Dëshmi

February 5, 2019 | 9:45

Briken Fejzullai: E mbaj hapur derën për miqësi të reja e të shëndetshme

Kur bie nata, ai i vë “drynin” zyrës dhe si ka përcaktuar më parë se kaq itinerarin, i bie qytetit cep më cep. Nuk ka të bëjë me njohjen e rrugëve dhe as të lagjeve më të largëta, por me një punë shumë të rëndësishme që ka lidhje drejtpërdrejtë me terrenin. Dhe këtu nis puna e tij. Pakkush e di që Tirana ka “dy” kryebashkiakë, Erionin që e njohin të gjithë dhe Brikenin, që është shumë më pak mediatik, ndoshta dhe për shkakun se punon “non stop” në turnin e tretë. Ai është gjatë gjithë kohës në terren, të ndjekë nga afër mbarëvajtjen e punëve të shumta në kryeqytet, që më së shumti kanë të bëjnë me jetën e natës dhe lokalet e shumta rreth të cilave bëhet kjo jetë.

Briken Fejzullai, kryebashkiaku i natës në Tiranë

Dhe nuk ka rëndësi për të në është mes korriku a mes dhjetori, në është vapë e zagushi sa të merret fryma apo ditë e ftohtë e me shi sa të përmbyten rrugët. Një gjë e tillë e bën atë të ketë çdo ditë kontakte me njerëzit dhe pa dyshim të krijojë njohje pa fund, të cilat ashtu siç mund të kthehen në miqësi të mira dhe humbasin në rrjedhën e kohës. Por gjithsesi, Briken Fejzullai thotë se pavarësisht njohjeve të shumta, miqtë e vërtetë janë të paktë, dhe për më shumë ata njihen vërtetë si të tillë kur ta “rrasin” ndonjë “shpullë”, në të njëjtën kohë kur të tjerët mundohen të të përkëdhelin shpatullat.

Më lejoni t’ju pyes paraprakisht për ecurinë e angazhimeve tuaj, më së shumti për profilin që ju identifikon në publik si Kryetar i Bashkisë së Natës në Tiranë. Si ka shkuar që nga dita e parë? Është i vështirë ky menaxhim?

Sektori i shërbimeve në Shqipëri zë rreth 60% të GDP-së dhe pjesa më e madhe e xhiros së bar-restoranteve, qarkullon natën, ndaj po flasim për një megaindustri. Nëse i ke idetë e qarta, nëse ke mbështetjen e të gjitha palëve të interesuara, nëse të gjithë duke filluar që nga pushteti lokal, tek ministria e turizmit, ajo e financave apo ajo e rendit, e shikojnë zhvillimin e jetës së natës si një e mirë e përbashkët dhe janë bashkëpunues për të njëjtin qëllim, atëherë nuk është aspak e vështirë, madje është shumë bukur. Por nëse bëhet sa për show, sa për të thënë që edhe ne kemi jetë nate apo kryebashkiak nate, thjesht për t’u futur te lista e pak qyteteve të cilat kanë një pozicion të tillë, atëherë jo vetëm bëhet e vështirë, por rrezikojmë të bëhemi edhe qesharakë në sytë e operatorëve të sektorit dhe mbi të gjitha të qytetarëve apo turistëve.

Imagjino një turist, që mbaron së darkuari gjatë javës dhe pastaj vendos të pijë një gotë, në vendin që ka më shumë bare për numër banorësh në botë… dhe pa kaluar ora 23.01 sheh grupe policësh apo inspektorësh tek dera e lokalit, që mësyjnë për të fikur muzikën dhe mbyllur lokalin. Dhe kjo ndodh çdo natë, nëpër Tiranë dhe jo vetëm. Normal që të bëhet e vështirë, në mos e pamundur, të menaxhosh jetën e natës në një vend, me këto kontradikta.

Ndalemi në temën e fokusit të revistës. Keni shumë miq?

Për si jam unë i gatuar dhe falë profilit të punës që bëj, kam me të vërtetë shumë, shumë miq, por ata ku mund të mbështetem pa ndrojtje kur kam një hall ose problem, janë pak, siç është normale të jetë për këdo. Mendoj se të gjithë ne, nëse mendojmë për miqtë e vërtetë, kemi një numër të limituar në mendjet tona.

Sipas jush, cila është vlera e miqësisë?

Të marrësh “shpulla” morale edhe kur të tjerët ndoshta të fërkojnë për të të bërë qejfin… dhe të japësh gjithashtu, pa e menduar dy herë, nëse mendon që kjo është për të mirën e atij që konsideron mik. Kjo për mua, është miqësia e vërtetë.

Jeni i prirë për miqësi të reja apo jeni besnik i atyre të vjetra?

Absolutisht që po, jam i prirë ndaj miqësive të reja dhe vazhdimisht bëj miq të rinj, por pa harruar kurrë nga kam ardhur dhe kush më ka ndenjur pranë pa interes gjatë gjithë viteve të mia. Miqësitë e vjetra të vërteta, mendoj se nuk vdesin gjatë gjithë jetës. Jo pa motiv, të paktën!

Si e ndani kohën me miqtë dhe a ju ndihmon apo pengon puna që bëni në ruajtjen e miqve?

Puna që bëj, më mban në raport të vazhdueshëm me njerëz, me miq të vjetër dhe të rinj, edhe pse duhet të them që ndoshta nuk ndaj, sa do të doja të ndaja kohë me ta, për faktin se të gjithë kemi shumë angazhime në jetët tona private. Gjithsesi me miqtë e ngushtë, nuk harrohemi.

Pas shpalljes si kryebashkiak i natës në Tiranë, keni bërë më shumë miq apo ju janë larguar ata?

Kush më njeh, e di mirë që unë jam i njëjti person që kam qenë gjithmonë, pavarësisht një pozicioni apo një tjetri, ndaj një punë e caktuar, nuk mund të m’i largojë njerëzit që dua dhe më duan. Por ka gjithmonë vend në jetën e çdokujt, për njohje të reja dhe energji pozitive, ndaj e mbaj me kënaqësi derën hapur për miqësi të reja dhe të shëndetshme.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top