Marrëdhënie

April 16, 2016 | 10:00

Bujar Kapexhiu: Çelësat e shtëpisë ia kam dorëzuar gruas

1“Profesioni im është i gjithi një krijimtari artistike… Gruaja ime gjatë gjithë kohës më ka krijuar qetësinë e nevojshme, rehatinë që kërkon kjo punë ,në mënyrë që të jem sa më produktiv. Të punoj shumë, të fitoj para që më pas t`i depozitoj tek arka e shtëpisë që quhet Veda”.

Ata kanë të njëjtin “top”, por luajnë në fusha të ndryshme! Ajo në familje dhe ai në profesionin e tij si artist. Njëfarësoj, detyrat i kanë të ndara. Nuk është një zgjedhje që ka ardhur natyrshëm, por një pakt që çifti i bashkëshortëve kanë bërë. “Profesioni im është i gjithi një krijimtari artistike… Gruaja ime gjatë gjithë kohës më ka krijuar qetësinë e nevojshme, rehatinë që kërkon kjo punë në mënyrë që të jem sa më produktiv. Të punoj shumë, të fitoj para që më pas t`i depozitoj tek arka e shtëpisë që quhet Veda”, thotë Bujari. Gruaja e tij, duket se nuk është mjaftuar vetëm me rolin parësor që ajo duhet të ketë në familje, por ka preferuar që ta shtojë edhe më, peshën e përgjegjësive ndaj vetes. Nuk mban vetëm kuletën e shtëpisë, por ka synuar të zëvendësojë edhe rolin e bashkëshortit në rritjen e fëmijëve. I ka ndjekur ata që në hapat e parë, u ka qëndruar pranë, i ka shoqëruar në rrugëtimin e gjatë drejt shkollës, studimeve të larta, takimeve me mësuesit, pedagogët e deri në pikën kur ata zgjodhën rrugën e jetës. Ka qenë pikërisht e shoqja e Bujar Kapexhiut që është kujdesur tej mase për ta, teksa ai punonte për orë të tëra në zyrën e tij, e ndonjë telefonatë e shqetësonte për ta vënë në dijeni mbi ngjarjet e ditës, apo mbi çdo gjë të fundit që mund t’i ndodhë djalit dhe vajzës. “Angazhimi ndaj shtëpisë dhe rritjes së fëmijëve është ekskluzivitet i sime shoqeje. Aq shumë është marrë ajo me to, sa ndonjëherë e ndjej veten në faj, se pse nuk kam qenë aq i përkushtuar dhe i devotshëm karshi probleme të ndryshme. Sigurisht, në çështjet më madhore që prekin interesat e të gjithë familjes, kemi qenë të dy të pranishëm, për të vendosur më të mirën e mundshme, por edhe kjo në funksion të logjikës dhe arsyes, dhe jo të vetos sime si baba apo figura mashkullore e familjes”. Në familjen Kapexhiu nuk ka gjëra të ndara me thikë! Nëse flet njëri nga partnerët, tjetri hesht, apo nëse njëri vendos për diçka, tjetri miraton pa bërë zë. Jo! Në çiftin e tyre, mbi të gjitha vepron mirëkuptimi në përpjekje për t’i bërë gjërat me maturinë e duhur. “Timonieri” apo drejtuesi i familjes, është pak vështirë të spikasë, pasi edhe vetë ata nuk kanë luajtur në marrëdhënien e tyre 40 vjeçare më të tilla karta. Nëse Vedës i shkrep në kokë të ndryshojë ngjyrën e mureve të shtëpisë, Bujari është i pari që miraton shijet e saj. Mobiliet nuk i pëlqejnë më, dhe kërkon t’i zëvendësojë me disa të tjera? Atëherë, këtu vendos Bujari dhe ajo i lë rrugën e lirë, kjo në emër të një mirëqenie të përbashkët. Sigurisht, roli i tij si lider apo kryefamiljar, nuk identifikohet me këtë situatë, por duket se rastet kur vulos vetëm Bujari janë tepër të rralla. Kompetencat dhe përgjegjësitë më të mëdha, ai i ka zhvendosur në punë, në skenë, filma e karikaturat që dalin nga dora e tij. Rehatia shpirtërore është ajo çka i nevojitet në çdo kohë. Dhe për të qenë i përmbushur nga ana profesionale, Bujar Kapexhiu, nuk i ka dorëzuar të shoqes vetëm çelësat e shtëpisë, por gjithçka ajo mban brenda. “Krijimtaria ime kërkon një angazhim special dhe të diferencuar nga shtëpia dhe problemet e mundshme që ajo ka. Besoj, se është shansi im që gruaja më ka krijuar këtë lehtësi, duke më lënë të lirë për të qenë lider në profesionin tim, ndërkohë që ajo merret me mbarëvajtjen e gjithçkaje. Ajo e di fare mirë fushën e saj të veprimit, që në rastin konkret është familja, ashtu siç unë di timen, që për mua është puna. Është gjëja më ideale që kemi bërë, së cilës i qëndrojmë edhe sot e kësaj dite besnikë”, përfundon ai.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top