Mirëqenie

June 11, 2016 | 9:17

Bukuri që buron së brendshmi

Sot nuk ka nevojë të vuash nga uria, të heqësh dorë nga çokollata e dashur apo të provosh skalpelën e kirurgut plastik në luftën kundër celulitit dhe rrudhave. Kjo ndodhte dje. Sot kush dëshiron të jetë i bukur, duhet… të përtypë: “Sip”- Drinks – për një lëkurë më të mirë dhe të bukur, Marshmallows japoneze me kolagjen – kundër rrudhave, “Newtree Bikini Chocolate” – për forma të rrumbullakosura femërore, “Beautywater Q10” – për të aktivizuar qelizat trupore, si dhe lloje të panumërta kokrrash e lëngjesh kundër celulitit dhe rrudhave. “Nutrikosmetik” (Kosmetika Ushqimore) – përbën sot një alternativë atraktive me moton: “Bukuria e vërtetë buron së brendshmi”. Kjo tingëllon shumë herë më premtuese sesa variacionet e panumërta dhe me sukses afatshkurtër të kremrave kundër rrudhave, apo ndërhyrjet jo të parrezikshme dhe të shtrenjta të operacioneve plastike. Arsyeja është e thjeshtë: përderisa kremrat, locionet apo produktet e tjera kozmetike e pastrojnë lëkurën nga jashtë – pra, në mënyrë sipërfaqësore – industria ushqimore ka zgjedhur rrugën e prodhimit të produkteve shtesë dhe të “Functional Food” (Ushqimit Funksional), të cilët depërtojnë në brendësi të trupit. Këto produkte kozmetike të larmishme bëjnë që përmirësimet e pamjes së jashtme ta marrin burimin nga thellësia e organizmit. Natyrisht, produkte të tilla kanë ekzistuar edhe më parë, por sot ato gëzojnë një marketing perfekt, të mbështetur nga një seri firmash dhe figurash të shquara, që u dhurojnë atyre jo pak Glamour: Modelja Naomi Cambell p.sh, reklamon kokrrat daneze të bukurisë: “Imeedin Time Perfection”, ndërsa firma “Nestlé” e shet pijen e bukurisë “Glowelle” ekskluzivisht në dyqane luksoze, në SHBA. Por jo vetëm pjesa e shquar e botës është sot përfituesja e kozmetikës ushqimore. Edhe konsumatori i thjeshtë në të gjithë botën mund t’i luftojë aknet e pubertetit duke ngrënë “gummi bears” si në SHBA; të fitojë lëkurë të lëmuar nëpërmjet një lloj “Joughurt”-i, siç reklamohet në Francë; apo të gëzojë një lëkurë elastike duke ngrënë çokollatën “Antioxidant” të firmës “Stollwerck”, në Gjermani.

Çfarë ndodh në organizëm me konsumimin e kozmetikës ushqimore?

“Magjia” e të gjitha këtyre produkteve (qofshin ato kokrra, ëmbëlsira apo lëngje kundër rrudhave, puçrrave dhe celulitit) qëndron në përmbajtjen e antioksidantëve si Vitamina E apo Betakarotina. Roli i tyre në organizëm është kapja e të ashtuquajturave radikale të lira. Këto të fundit janë produkte të metabolizmit, të cilat dëmtojnë qelizat trupore dhe nxjerrin kështu në pah plakjen e organizmit. Gjithsesi, sot nuk ekziston asnjë studim shkencor i plotë që të vërtetojë se marrja shtesë e antioksidantëve mund të influencojë proceset e plakjes në njërën apo tjetrën mënyrë. Me gjithë rezultatet pozitive të njohura (ku mund të përmendim kremrat mbrojtës kundër diellit me praninë e Karotinës, të cilat çojnë në reduktimin e rrudhave në lëkurë; apo Isoflavinat (produkte bimore me ndikim hormonal), të cilat mund të rrisin elasticitetin e lëkurës, si dhe rasti i proteinës Taurin (përbërëse e pijes “Red Bull”) e cila ndikon në fortësinë e flokëve), të gjitha këto studime janë vetëfinancuar nga industria kozmetike, ndërsa studimet e pavarura thuajse mungojnë tërësisht. Kritika mbi efektin e këtyre produkteve qëndron në faktin se, veprimi në organizëm është i ndërlikuar dhe nuk mund të merret i veçuar nga të tjerët. Kështu, përdorimi i produkteve të tjera ushqimore që ne konsumojmë gjatë ditës, si dhe orët e gjumit, të pirit duhan, stresi, alkooli etj, janë edhe ata faktorë bashkëveprues në trupin tonë, raportet e ndërsjella të të cilëve me përbërësit e kozmetikës ushqimore mbeten ende të panjohur. Por një gjë është e sigurt: edhe vetë prodhuesit e këtyre produkteve pohojnë se ato gjithsesi nuk mund të arrijnë rezultate më të mira se një ushqim i shëndetshëm. Meqenëse është thuajse e pamundur të vlerësosh se në cilën sasi dhe cilat lëndë janë vërtetë të domosdoshme për lëkurën dhe flokët, rruga më e mirë dhe më e sigurt është marrja e këtyre përbërësve drejtpërsëdrejti nga produktet ushqimore. Si rrjedhojë, spektri i burimeve të tyre është   më i gjerë, por edhe ndikimet në organizëm janë të llojit natyror. Gjithashtu nuk duhen harruar edhe efektet anësore të kozmetikës ushqimore. Studime të ndryshme kanë treguar se marrja në sasi të madhe e Betakarotinës apo Vitaminës E – si përbërës të thuajse çdo produkti ushqimor të bukurisë – mund të shkaktojë sëmundjen e kancerit, veçanërisht tek ata persona që pinë duhan. Shumë institute evropiane të vlerësimit të rreziqeve i këshillojnë gratë për rrezikun e marrjes për një kohë të gjatë të Isoflavinave, sepse produktet hormonale bimore dyshohet të ndikojnë në zhvillimin e kancerit të gjirit në periudhën e menopauzës.

E vërteta mbi plakjen njerëzore

Kështu është titulluar një manifest i studiuesve amerikanë i vitit 2002, në të cilin vihet edhe njëherë në dukje se produktet e kozmetikës ushqimore nuk mund të influencojnë apo të kthejnë mbrapsht proceset e plakjes në organizëm. Edhe pse ky pohim radikal është relativuar pak vite më pas, e vërteta është se kozmetika ushqimore, së pari, nuk të bën më të bukur se ushqimi i shëndetshëm dhe së dyti, ndikimi i produkteve të saj është i kufizuar dhe me efekte anësore. Ajo që vlen për organizmin në tërësi, vlen edhe për lëkurën – organin e saj më të madh: ushqim i shëndetshëm, i shumanshëm, me shumë fruta dhe perime të freskëta, vajra bimorë dhe peshk, ndërsa mishi dhe sheqeri në mënyrë të kufizuar. Ai që heq dorë nga duhani dhe alkooli, fle mjaftueshëm, lëviz shumë dhe nuk qëndron gjatë pasiv nën rrezet e diellit, mund të jetë i sigurt që ka bërë jo pak për të shtyrë sa më gjatë shfaqjen e rrudhave dhe për të rritur atraktivitetin.

Jo kozmetikë ushqimore, por ushqim dhe kozmetikë…

Po ja që edhe ushqimi i shëndetshëm ka një problem të vogël kozmetik. Kohët e fundit studiuesit kanë zbuluar se lëkura e japonezëve, e cila përmban sasi të mëdha acidesh yndyrore të shëndetshme si Omega-3 dhe Omega-6 (ndikuesit e ruajtjes të re të lëkurës, pavarësisht nga mosha), mban një erë jo të këndshme. Kjo sepse këto acide yndyrore oksidohen në një produkt që lëshon një aromë jo të mirë. Është pikërisht kozmetika ajo që i vjen në ndihmë zgjidhjes së këtij problemi ushqimor: një çamçakëz i firmës kozmetike japoneze “Kanebo” dhuron një erë trupore të mrekullueshme, si një buqetë lulesh të freskëta…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top