Bulizmi ndeshet në forma të ndryshe, ndërsa është përcaktuar si përdorimi i forcës apo abuzimi që praktikon një grup i shoqërisë për të frikësuar një target grup të caktuar. E pikërisht për të treguar se si ndodh në shkollat e vendit, në emisionin “Njerëz në Fokus” është transmetuar dëshmia e një 13-vjeçari i vënë në shënjestër nga shokët e klasës dhe më gjerë për shkak të zërit të tij të hollë.
Jo pak i tronditur dhe shumë i prekur 13-vjeçari që nuk e ka ndarë problemin e tij me askënd tjetër përveç psikologes ka rrëfyer se shumë herë nuk ka dashur të jetojë dhe i ka shkuar në mend t’i jepte fund jetës.
“Shokët më tallin, më thonë ‘Je gay’ për shkak të zërit të hollë. Ka 3 vjet që tallen me mua, ndjehem shumë keq. Nuk është faji im që e kam zërin e hollë. Kam patur raste kur nuk doja të jetoja. Nuk i kam treguar prindërve, vetëm psikologes”, thotë ai ndërsa iu ka bërë edhe një apel të gjithë adoleshentëve dhe të rinjve që mund të jenë në situatën e tij.
“Tregojani prindërve dhe psikologeve”, shprehet ai.
Për të diskutuar mbi këtë fenomen shqetësues në studio ishin të ftuar Nora Malaj, Zv.ministre e Arsimit dhe Sportit; Matilda Bega, Gazetare; Emanuela Ismaili, Pedagoge në UT, studiuese e bulizmit si dhe Gentiana Hoxhallari, mësuese.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.