Në fokus

February 16, 2017 | 11:09

Bulizmi dhe efektet te fëmijët

Bulizmi është një fenomen që ndodh rëndom, sidomos kohëve që jetojmë, ama duhet pranuar që është një problem shqetësues, një fenomen jo i vonë për shoqërinë tonë dhe që kohët e fundit po merr formën më “perfekte” dhe në fakt, edhe zhvillim shqetësues. Gjithsesi, koncepti i bulizmit është ende i huaj për ne.

Natyrshëm lind pyetja: Çfarë është bulizmi?

Anisa Nikolli BA.Psikologji

Anisa Nikolli
BA.Psikologji

Bulizmi është përdorim i forcës apo abuzimi që praktikon një grup i shoqërisë për të frikësuar një target grup të caktuar, apo sjellje të përsëritura, të dëmshme dhe agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forces, si fizike ashtu dhe psikologjike.

Bulizmi është një dëshirë e brendshme e agresorit për të dëmtuar tjetrin, një disbalancë në forcë midis personave apo përsëritje në mënyrë tipike, një kënaqësi e agresorit si edhe ndjenjë e përgjithshme e të qenit mbizotërues ndaj viktimës. Arsyet pse bulizmi egziston si fenomen janë nga me të shumtat, por padyshim që, edukimi dhe paragjykimi qëndrojnë në krye të listës. Shpeshherë pas bulizmit fshihen aksione të vërteta kriminale si: vjedhje, kërcënime, dhunë fizike, etj. Ato përfshijnë goditjet, rrahje, ngacmime verbale ose edhe thjesht presion për t’iu përshtatur atyre që dëshiron apo thotë bulisti. Mosha e viktimave të bulizmit lëviz kryesisht nga 6 deri në 17 vjeç dhe specialistët që e kanë studiuar këtë fenomen thonë se, kemi të bëjmë me një problem shumë serioz.

Në fakt, bulizmi shpesh konsiderohet si një dukuri që bën pjesë në etapat e rritjes së fëmijës dhe neglizhohet në masë nga prindërit, por që nuk duhet të ndodhë kështu, pasi mund të shkaktojë dëmë serioze në rritjen normale fizike dhe psikologjike të fëmijës. Marrëdhëniet që individët krijojnë midis tyre, shpesh mes të rinjve dhe sidomos adoleshentëve degradojnë. Duke qenë se këta të fundit përjetojnë çdo moment ndryshime, edhe karakteri apo gjendja e tyre emocionale është gjithnjë në ndryshim. Për ta nuk ka nevojë një shkak specifik për të nisur ashtu papritur një konflikt, që më vonë mund të degjenerojë në sherr. Vërehet gjithmonë një hije paragjykimi që i karakterizon. Ata nisin të bëjnë diferencën midis njëri-tjetrit dhe pa menduar shumë vendosin për bashkëmoshatarët e tyre damkën “të papranuar”. Pikërisht këta “të papranuarit” janë viktimat e bulizmit, ku çdo moment gjenden nën presionin e dhunës psikologjike. Shkaqet janë nga më sporadiket: Nuk u pëlqen modeli i flokëve, ndoshta muzika që dëgjojnë, rryma ideologjike që ndjekin, veshjet që përdorin, mënyra se si shprehen etj. Ky është i gjithë problemi i bulizmit, pranimi i tjetrit.

Çdo i ri duhet të kuptojë se, liria e tij shkon deri atje ku nuk cenohet liria e tjetrit.

untitled

Ja disa raste specifike kur ndodh bulizmi:

  • Fëmija merr ofendime, sharje dhe kërcënime
  • I vënë pseudonime
  • E shtyjnë, e gjuajnë
  • E ofendojnë mbi racën, seksin ose fenë e tij
  • Përhapin fjalë dashakeqe rreth tij
  • Flasin me kode kur është i pranishëm, duke e izoluar nga fëmijët e tjerë
  • Merr sms, e-mail ose telefonata fyese
  • I vjedhin ose i fshehin librat, lekët ose gjërat e tjera personale
  • E detyrojnë të bëjë gjëra që nuk do t’i bëjë

Pra, siç mund të kuptohet, bulizmi mund të shfaqet në forma të ndryshme. Ndryshimi kryesor është që këto janë akte që përsëriten në kohë, ku viktima nuk arrin të mbrohet nga sulmet. Agresori arrin të ketë fuqi jo vetëm se mund te jetë më i madh në moshë dhe më i fortë fizikisht, por edhe ngaqë arrin të rreshtojë përkrah tij dhe fëmijë të tjerë që bëhen aleatë me të për të mos qenë kështu edhe ata viktima të tij.

Vlen të përmenden, dy nga arsyet kryesore se pse fëmijët janë viktima të bulizmit: për shkak të paraqitjes dhe për shkak të statusit social.

Ndodh me ata fëmijë ku ngacmuesit mendojnë, që nuk përshtaten në shoqëri, ndoshta për shkak të asaj sesi i shikojnë këta fëmijë, sesi ata veprojnë.

 

untitledSi mund të mbrohen fëmijët në këto raste?

Në fakt nuk mund të flasim specifikisht se çfarë mund të bëjnë prindërit në raste të tilla, sepse aktet e bulizmit shpesh ndodhin larg syve të mësuesve dhe larg syrit të të rriturve. Në përgjithësi janë vetëm fëmijët e tjerë ata që janë në dijeni të asaj që ndodh. Viktimat nuk flasin, ose sepse ndihen të pafuqishëm, ose sepse kanë frikë se duke folur mund të përkeqësojnë situatën. Nëse mund të arrijnë të flasin me njeri, fillimisht ka shumë mundësi që të flasin me prindërit, më së shumti me nënat e tyre ose me ndonjë shok të tyre përpara se të flasin me mësuesit. Por, disa shenja mund të jenë sinjale të dallueshme dhe që nuk duhen shmangur në mënyrë absolute:

✓ Vula të zeza, gërricje dhe të vrara që fëmijët nuk arrijnë të shpjegojnë se nga vijnë

✓ Rroba të grisura, sende personale të humbura ose te dëmtuara

✓ Nxehje dhe shpërthim nervash të pazakonshme

✓ Lot pa asnjë motiv dhe gjendje depresive

✓ Mungesë dëshire për të ikur në shkollë

✓ Mungese dëshire për të luajtur me shokët

✓ Përkeqësim të notave në shkollë dhe ulje të rendimentit shkollor

✓ Kërkim lekësh nga prindërit pa asnjë motiv bindës

Djem edhe vajza, të cilët janë keqtrajtuar, mund të shfaqin edhe probleme shëndetësore si: për shembull: dhimbje stomaku dhe diarre, probleme me tretjen etj. Studimet tregojnë se, njerëzit të cilët janë abuzuar nga shokët e tyre kanë predispozitën për të shfaqur probleme të shëndetit mendor, të tilla si: vetëvlerësim të ulët, stres, depresion ose ankth. Ata gjithashtu mund të mendojnë shpesh për vetëvrasje.

1

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që prindërit të kuptojnë se duhet shumë kujdes që të mos nxehen dhe të mos e humbasin kontrollin, të mos ndjehen të turpëruar ose në faj, të mos akuzojnë shkollën ose më keq akoma fëmijën, të mos akuzojnë njeri pa njohur akoma faktet. Vetëm pasi ta keni më të qartë situatën, vetëm atëherë mund të reagoni, duke kontaktuar me shkollën për të fiksuar një takim me drejtorin, ose me mësuesin kujdestar, pa hyrë me vrull në klasë dhe pa shkaktuar skandal. Përpiquni të gjeni pikënisje në brendësi të shkollës si dhe ndonjë person që merret me anën sociale të problemeve të shkollore (psikologë, asistente sociale). Gjithashtu, duhet bërë shpesh punë intensive edhe për t’i shpjeguar fëmijës se, të tregosh menjëherë aktin e bulizmit nuk do të thotë që po bën spiunin, në të kundërt denoncimi i menjëhershëm i kësaj dukurie është shumë serioze sepse bulizmi vetë është diçka shumë serioze dhe që shpesh sjell dëme të pariparueshme për atë që e pëson në vetë të parë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top