Të shpeshta janë rastet kur bulizmi është i pranishëm në shkollat e mesme, por nuk mungojnë as rastet kur bulizmi është i pranishëm edhe në ambientet e punës. Në çdo mjedis, pasojat e tij janë të tmerrshme. Bulizmi në ambientin e punës ndodh kur një punonjës ushtron dhunë psikologjike ndaj një punonjësi tjetër që është në një nivel më të ulët.
Studimet e fundit kanë treguar se ka forma të ndryshme të bulizmit në punë:
– Veprime të tepruara, si kërcënime, kërkesa për dorëheqje.
– Dhunë verbale, si fyerje të ndryshme, thashetheme, tallje.
– Mbingarkesa në punë, mosdhënia e lejes vjetore, edhe këto janë forma të shfaqjes së bulizmit.
– Faktorët organizues, mungesa e politikave të qarta, mungesa e një kodi të caktuar etik, etj.
Lloji i vendit të punës
Bulizmi ka të bëjë shumë edhe me llojin e kompanisë apo me biznesin në të cilin punoni.
Zakonisht, ai ndodh në ato ambiente ku hierarkia ndërmjet punonjësve është shumë e theksuar ose në ato vende ku nuk ka drejtësi apo mungon korrektësia.
Ai është pjesë edhe e ambienteve të tilla që nxisin konfliktin ndërmjet punonjësve ku duhet të dalë më i miri apo mjediseve të tilla të cilat krijojnë shumë konkurrencë ndërmjet grupit të punës.
Mungesa e vëmendjes dhe pakujdesisë nga supervizorët është një faktor tjetër që ndikon në krijimin e bulizmit në punë.
Viktimat e bulizmit
Zakonisht njerëzit që bien viktimë e bulizmit janë persona të turpshëm dhe shumë të rezervuar, ose tipi i personit, të cilin ju mund ta etiketoni si “i brishtë” dhe që shpeshherë e gjen veten në situata që nuk mund t’i zgjidhë dot. Por ekziston edhe kategoria e personave të suksesshëm, të cilët duke shkaktuar zili te të tjerët, i bën që të bien edhe vetë pre e këtij fenomeni.
Studimet kanë treguar se meshkujt janë më të predispozuar për të qenë viktima të këtij fenomeni, në krahasim me femrat.
Është një prej fenomeneve që nuk duhet nënvlerësuar
Sipas një studimi të kryer në Angli, kur bëhet fjalë për parandalimin dhe zvogëlimin e pasojave të tij, 91 për qind e 1,500 punonjësve të intervistuar ishin skeptikë se kultura e kompanisë së tyre mund të ndikonte në përmirësimin e një fenomeni të tillë.
Këto shifra janë vërtet alarmante, sepse pasojat e bulizmit nuk bien vetëm viktimat e një fenomeni të tillë por shtrihen edhe më gjerë.
Ato përfshijnë si klientët, blerësit dhe vetë kompaninë. Bulizmi shoqërohet me humbje të dëshirës për punë, që çon në ulje të rendimentit. Motivimi i tyre sa vjen edhe humbet dhe rezultatet ulen, pasi këta persona duan që të mos jenë të pranishëm në atë ambient dhe për pasojë, mundohen të shkëputen mendërisht, gjë që çon në bërjen e gabimeve të ndryshme në punë, si pasojë e mungesës së përqendrimit.
Prandaj është shumë e rëndësishme që në çdo nivel organizate, punonjësit të kenë mundësi të shprehin problemet dhe shqetësimet e tyre. Një prej taktikave të ndjekura në shumë kompani të suksesshme në botë për të parandaluar një fenomen të tillë është prania e një psikologu si pjesë e stafit. Rishikimi i politikave të burimeve njerëzore dhe strategjive antibulizëm janë esenciale në zhvillimin e ambienteve të punës dhe ofrimin e kushteve sa më të mira.
/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.