Në fokus

May 11, 2016 | 11:52

Burrat, si… dashurojnë

Të paaftë për të dashur. Ja çfarë gratë mendojnë për burrat. Përgjithësisht e kundërta nuk artikulohet (fjala është për raste tipike, për burrin tipik dhe gruan tipike). Sepse, sipas psikologëve, gratë janë më të interesuara për komunikimin, marrëdhënien, janë më të prirura ndaj ndjenjave dhe emocioneve, kurse burrat janë më konkretë. Ndaj dhe do të merremi me pakënaqësitë femërore… Por, teksa ankohen, e kanë gabim apo mirë? Burrat nuk dinë të duan apo thjesht kanë një mënyrë të tyren të të dashurit. Kemi hetuar mbi këtë argument…

“I brishtë si një burrë”… fraza më tingëlloi disi jashtë realitetit. Tek e fundit do të më dukej më natyrale të dëgjoja: “I fortë si një burrë”. Por, mesa duket, nuk është krejt kështu. Psikoterapeutja Maria Rita Parsi ka shkruar një libër pikërisht me titullin “I brishtë si një burrë”, sepse burrat, pavarësisht dukjes së jashtme, siç dhe psikoterapeutja thekson, qenkëshin të brishtë së brendshmi. Sidoqoftë, problemi tek i cili do të fokusohemi është mendimi femëror sipas të cilit “burrat nuk dinë të duan”. “…Brezi aktual femëror… ka vendosur disa kode të reja dashurore, i do burrat të butë e të ndjeshëm dhe njëkohësisht të fortë e të qëndrueshëm – nga ana tjetër – …Pas shekujsh edukimi dhe kulture burrërore, meshkujt janë bindur se nuk e kishin të drejtën e ndjenjave”, – shkruan Parsi në librin e saj të sipërcituar. Por jo vetëm nga ç’shkruan ajo, edhe nga përvoja, rastet e pafundme e nga konkluzione të shumta studimesh psikologjike, mund të thuhet se: në çështjet e dashurisë, duket sikur burrat dhe gratë janë në luftë, sikur nuk janë në gjendje të kuptohen. Gratë pothuaj gjithnjë thonë: “Burrat… të paaftë për të dashuruar!” Kurse burrat…

Le të hyjmë në detaje: Si dashurojnë burrat? A e dinë ata vetë tek e fundit, se si dashurojnë? Pasi lexova në një revistë italiane një shkrim mbi të njëjtin argument, vendosa të ndjek hapat e autores. E meqë ajo ia kish nisur duke pyetur burrat që njihte, miqtë që janë në çift, kështu vendosa të veproj edhe unë. Dhe nuk humba kohë. Andi Tela, drejtori i revistës, mbërriti në takimin e rregullt që bëjmë zakonisht për të diskutuar mbi numrin në proces, i veshur sport… (nuk mban kurrë kollare, pothuaj kurrë xhaketë). Porositi kafen, ndezi cigaren. “Si dashurojnë burrat?”, e pyeta pa e përgatitur më parë. Ai në fillim u çudit nga pyetja e papritur, pastaj qeshi: “Nuk e di. S’ia kam bërë kurrë vetes këtë pyetje. M’u përgjigj. E çuditshme! Autorja e shkrimit në revistën italiane kish pyetur Stefanon, avokatin 39-vjeçar, mikun e saj, që kish mbërritur në takim me motor, veshur me një xhup sportiv dhe kollaren të palosur e të futur në xhep, pa e parapërgatitur mbi temën e diskutimit. Dhe ajo ish hasur në mënyrë identike me të njëjtin reagim e përgjigje: befasia e burrit përballë ish shoqëruar me të qeshurën e tij dhe pastaj me përgjigjen: “S’e di… s’e kisha menduar ndonjëherë…”. Të njëjtën përgjigje mora sërish kur pyeta të tjerë, Ardian Klosin, Besnik Mustafajn… e ndonjë burrë jo edhe aq të njohur publikisht… Mesa duket burrat s’e dinë as vetë se si duan. E duke qenë kështu, a munden ata ta dinë se si gratë do të donin të duheshin prej tyre? Si duan gratë që të dashurohen prej burrave? Gratë duan vëmendje të vazhdueshme. “Duan të jenë të dëgjuara”, -psikoseksologu John Gray e thotë këtë qysh në titullin e librit të vet mbi ndryshueshmërinë mes sekseve. Gratë duan përkëdhelje, një dhuratë simbolike… një tufë me lule dhe jo një herë të vetme… Por, nuk rezulton të jetë edhe aq e lehtë: “E kam kuptuar shpejt që im shoq nuk është mashkulli i tufës me lule: ka harruar të më sjellë edhe ditën e martesës”, thotë shkrimtarja Mimoza Hysa. Dhe rasti i saj nuk është unik. Sepse s’do shumë mund për të kuptuar se burrat “s’dinë!”. “Një burrë e di që një grua i pëlqen, një grua di përse një burrë i pëlqen”, shkruan psikanalisti jungian Claudio Risé. E ndërsa njëra “e di” kurse tjetri jo, “lufta” duket e pashmangshme…

Ndryshueshmëria në dashuri! …Atëherë, lashë një takim me psikologen. Ornela Zhilla (Doktorante, pedagoge në Universitetin e Tiranës), bashkëpunëtore e revistës “Psikologji”. -Si dashurojnë burrat? – e pyeta, kurse ajo nuk u përgjigj menjëherë. Pasi u mendua tha: -Burrat kanë një mënyrë te tyren të të dashuruarit, të ndryshme nga ajo e grave. -Që do të thotë? -Sigurisht që ata dashurojnë. Zakonisht shprehen në mënyra jo të drejtpërdrejta, jo me fjalë. S’e kanë zakon të bëjnë deklarata të përditshme dashurie. Po. Të njëjtën gjë thotë edhe psikanalisti jungian Claudio Risé: “Burrat janë më pak verbalë se gratë, flasin me vështirësi.

“Burrat kanë nevojë për besim, pranim, admirim, inkurajim… nuk janë të fortë… janë sidomos të brishtë: përmes zotërimit dhe kontrollit fshehin frikën e braktisjes”

Nga pikëpamja emotive burrat janë më introspektivë. Parapëlqejnë veprimin, ndërsa gratë komunikimin”. … Nga ana e tyre gratë, sipas Enrico Cheli, psikolog dhe psikoterapeut, docent në Sociologjinë e komunikimit dhe marrëdhënieve ndërpersonale: “…kanë imponuar gjuhën e tyre në pikëpamjen dashurore: të dish të duash, është të duash si një grua. Por burrat nuk janë kaq të aftë të shprehin ngrohtësi dhe ndjenja. Gruaja këmbëngul, ai tulatet. Te një burrë alternimi mes dëshirës për intimitet dhe autonomisë është automatike. Për të dhënë kënaqësi në raport nevojitet të çmohet nevoja për të qenë larg. Pashmangshëm gruaja përfundon në panik dhe arrin në konkluzionin se ai nuk e do më. Moskuptime. Keqkuptime”. E pra, janë mënyrat e ndryshme të shprehjes së dashurisë që e shkaktojnë konfuzionin. Por, ndoshta, meqë burrat s’dinë të shprehen, ka të ngjarë të kenë të drejtë gratë. Tek e fundit nuk duhet të jetë e lehtë të kuptosh, të shohësh, besosh, vlerësosh ekzistencën e një ndjenje që nuk shprehet… -Si mundet një grua ta kuptojë dashurinë e pashprehur të një burri? – i drejtohem sërish bashkëpunëtores së revistës, Ornela Zhillës, e cila nuk është krejt dakord. -Nuk është dashuri e pashprehur. Edhe pse më së shumti jo verbalisht, një burrë ka mënyrat e tij të shprehjes së dashurisë… -Por si ta identifikojë një grua? -Mundet ta identifikojë: nëpërmjet përkushtimit ndaj saj dhe familjes; nëpërmjet kohës që shpenzon me të (jo gjithnjë në pikëpamjen sasiore, por më së shumti cilësore); nëpërmjet gatishmërisë së tij për të dhënë ndihmë kur një grua e kërkon; nëpërmjet mënyrës se si organizohen apo ai është i pranishëm në aktivitetet familjare; nëpërmjet mbështetjes që i jep gruas për t’u zhvilluar në karrierë… – argumenton më në detaje Zhilla, duke lënë të kuptojë se ka mënyra të pafundme për të shprehur dashurinë edhe pa thënë “të dua”, pa qenë përkëdhelës dhe i ëmbël në çdo çast…

Frikë nga refuzimi

Psikologët kanë hetuar dhe sipas konkluzioneve të tyre, ka shumë arsye pse burrat nuk shprehen. Mes tyre: frika nga refuzimi. Tingëllon e çuditshme, e megjithatë burrat paskan frikë se mos refuzohen. Sipas Ornela Zhilës: “Pikërisht… burri ka qenë qysh në fillesë gjahtari dhe gruaja, preja e tij. Në përvojën e tij jetësore jo gjithnjë “gracka” i ka rezultuar e suksesshme. E meqë është kështu, ai, si rezultat, trembet: gracka rrezikon të mos funksionojë. Mund të mos ia dalë, preja mund të mbetet e paarritshme. Njeriun (jo vetëm burrin) gjithnjë përvojat jetësore e modelojnë. Kjo është e pashmangshme” . I rikthehem sërish intervistës që lexoj nga Maria Rita Parsit dhe vë re këmbënguljen e saj te brishtësia mashkullore: “Burrat kanë nevojë për besim, pranim, admirim, inkurajim… nuk janë të fortë… janë sidomos të brishtë: përmes zotërimit dhe kontrollit fshehin frikën e braktisjes”, – nënvizon ajo.

Mbeten të paqartë

Gratë s’i kuptojnë burrat, dhe anasjelltas. Diku lexova rrëfimin e një 34-vjeçari, i cili i ish drejtuar me një letër psikologes për ndihmë: “Nuk di si të sillem. Kur Ana ia mbathi nga unë, më qortoi se isha shumë i ngjitur dhe nuk e lija të jetonte jetën e saj. Dy vjet më vonë, Suzana më la sepse nuk impenjohesha sa duhej. Kurse unë jam gjithnjë i njëjti burrë, nuk kam ndryshuar…”. “Nuk ka ndryshuar? – më pyet me nënkuptim Ornela Zhilla, kur i rrëfej rastin. – Kjo nuk mund të thuhet me siguri. Së pari, ka shumë gjasa që ai të sillet ndryshe përballë dy grave të ndryshme, pikërisht i imponuar nga gruaja që ka përballë. Dy gra të ndryshme mund të duhen në mënyra të ndryshme nga i njëjti burrë. E nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që përvoja e parë ta ketë ndryshuar burrin, kurse ai duhet të reflektojë gjatë për ta kuptuar ndryshimin e vet”. Sepse njerëzit ndryshojnë, por mbi të gjitha janë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe më shumë akoma janë të ndryshëm mes tyre, burrat dhe gratë.

Kontradikta

Burrat dhe gratë i shohim gjithnjë duke vrapuar drejt njëri-tjetrit e menjëherë pastaj duke marrë drejtimet e kundërta. Psikoseksologu John Gray u referohet statistikave, teksa shkruan në librin e vet “Pse nuk më dëgjon kur flas”, një libër me shitje marramendëse në të gjithë botën: “Çdo ditë miliona njerëz, – thotë ai, – janë në kërkim të një shoku për të ndarë një përvojë a ndjenjë. Çdo vit miliona çifte të bashkuara nga dashuria, ndahen ngase dashuria mbaron. Mes çifteve të afta për të mbajtur gjallë dashurinë deri në mëngjes, vetëm gjysma vazhdojnë të rrinë bashkë. Nga kjo pjesë ka gjasa që gjysma nuk e gjejnë në jetën e përbashkët gjithë kënaqësinë që do të donin. Mbeten bashkë për besnikëri, ose nga frika e rifillimit nga e para”. Dhe kjo, jo gjithnjë, sepse dashuria mbaron dhe është e vështirë të zgjohesh në mëngjes me pasionin e mbrëmjes së shkuar. Arsyen John Gray e gjen tek të qenit të ndryshëm. Ndryshueshmëria vështirëson mirëkuptimin. Kontradiktë! Moskuptim! Pikërisht ndryshueshmëria pranohet, shpesh, së paku teorikisht, preferohet: “Për fat jemi të ndryshëm”, kam dëgjuar shpesh burra të thonë. Për të dhënë një shembull, do të kujtoj regjisorin Fatmir Koçi, i cili m’u përgjigj kështu kur e intervistova: “E dua femrën… të jetë e kundërta femërore e mashkulloritetit tim. Feminiliteti duhet të jetë thelbi i saj”. E pra, komplementariteti s’është diçka për t’u anashkaluar. Aspak, madje është vlerë në funksion të marrëdhënies. Fundja, ç’është tjetër dashuria mes një burri e një gruaje, në mos kjo distancë e pambarimtë që fsheh pasionin dhe butësinë? Një distancë njëkohësisht shkaktare kaosi, një distancë që josh për t’u afruar dhe priret për të larguar… burrin nga gruaja. “Po, burrat dhe gratë janë të ndryshëm”, më thotë Ornela Zhilla. Është një shprehje që të gjithë e dinë, por që mesa duket s’e kanë të lehtë ta pranojnë në mënyrë konkrete. “Ndaj, është e rëndësishme që secili të vetedukohet, të vetëndërgjegjësohet për ndryshueshmërinë. Fundja, format e shprehjes së dashurisë janë të ndryshme, jo ndërmjet burrit dhe gruas, por edhe ndërmjet individëve… Mandej, pasi jemi ndërgjegjësuar, e kemi njohur ndryshueshmërinë, e kemi më të lehtë ta pranojmë. Tek e fundit, – konkludon psikologia, – nëse një burrë nuk e shpreh dashurinë ashtu siç gruaja mendon se dashuria duhet shprehur, nuk do të thotë aspak se ai nuk dashuron”. Thjesht duhet kuptuar, duhet njohur tjetri (burri)… duke dalë disi nga rrethi vetjak. Sepse… “Dashuria është nevoja që të ikësh nga vetvetja”, do të shkruante Sharl Bodleri.

Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top