Në fokus

May 9, 2016 | 8:29

Burrat vijnë nga Marsi… gratë nga Venusi

Psikoseksologu amerikan, John Gray, rrëfen këtë përrallë në librin e vet me një titull kaq origjinal “Burrat vijnë nga Marsi, gratë nga Venusi”: Një ditë shumë kohë më parë, duke parë në teleskopët e tyre, marsianët zbuluan venusianet. Kaq mjaftoi për të zgjuar tek ata ndjesi të panjohura më parë. U dashuruan dhe me shumë nxitim sajuan udhëtimet hapësinore, për të shkuar në Venus. Banoret e Venusit i pritën marsianët krahëhapur. Gjithnjë e kishin ditur se një ditë do të vinin dhe zemrat e tyre u hapën për një dashuri kurrë të provuar më parë. Dashuria mes venusianeve dhe marsianëve kishte një cilësi magjike. Provonin kënaqësi të madhe duke qëndruar bashkë, duke bërë gjëra bashkë në gjithçka të ndryshme. Edhe pse me origjinë nga vende të ndryshme, e vlerësonin ndryshueshmërinë e ndërsjellët. Iu kushtuan studimit, eksplorimit të nevojave respektive, preferencave dhe mënyrave të sjelljes. Për vite të tërë u dashuruan dhe mirëkuptuan. Pastaj vendosën të shkonin në Tokë. Në fillim gjithçka ishte e bukur. Por pastaj efektet e atmosferës tokësore filluan t’i ndjenin dhe një mëngjes u zgjuan të gjithë dhe zbuluan efektet e humbjes së kujtesës… Si marsianët, ashtu edhe venusianet harruan se rridhnin nga botë të ndryshme. Në një mëngjes të vetëm, gjithë çfarë kishin ditur e mësuar, u fshi. Dhe që nga ajo ditë burrat dhe gratë u ndodhën në konflikt.

KUJTONI NDRYSHIMET

Kështu fillon historia-përrallë. Por, përtej trillimit, e vërteta e madhe qëndron te “lufta” mes burrit e gruas dhe po kaq te ndryshueshmëria që shkakton moskuptimin. John Gray thotë: “Pasi shpërfillën ndryshimet mes tyre, burrat dhe gratë u dënuan të jetojnë në gjendje lufte. Zakonisht ndihen të zemëruar me tjetrin, ngase e kanë harruar të vërtetën e madhe. Presim që përfaqësuesit e sekseve të kundërta të jenë të njëjtë me ne. Na pëlqen që ‘të duan siç duam ne’ dhe ‘të ndjejnë siç ndjejmë ne’. Gabimisht i kemi përcaktuar disa skema sipas të cilave partneri duhet të dojë, të reagojë dhe të sillet: pikërisht ato që përdorim ne kur duam dikë. Pikërisht një sjellje e destinuar të përplaset me realitetin dhe që frenon sinjalizimin e ndryshueshmërisë sonë. Gabimisht burrat presin që gratë të mendojnë, të komunikojnë dhe reagojnë si burrat vetë; gabimisht gratë presin që burrat të ndjejnë, të reagojnë dhe komunikojnë siç vetë gratë e bëjnë. Kemi harruar që gratë dhe burrat janë të ndryshëm… dhe se njohja e respektimi i ndryshimeve zvogëlon në mënyrë të qartë konfuzionin. Mjaft të kujtojmë që burrat vijnë nga Marsi dhe gratë nga Venusi, për të qenë gjithçka e qartë”. Por cilat janë ndryshimet? Tek e fundit, si është ndërtuar jeta në Mars dhe jeta në Venus? Si funksionojnë banorët e këtyre dy planetëve dhe çfarë i dallon? John Gray e tregon më poshtë, duke përshkruar jetën në dy planetët… në të vërtetë s’ka asgjë të përfytyruar, përveç “terrenit” dhe emërtimit të banorëve “marsianë” e “venusiane”. Sepse gjatë përvojës së tij John Gray ka intervistuar jo pak, por plot 25 mijë çifte, të cilët ia kanë qartësuar ndryshueshmërinë dhe e kanë bërë të nxjerrë konkluzionet e duhura…

Jeta në Mars

Marsianët i japin rëndësi sidomos pushtetit, pasurisë, efektshmërisë së rezultateve, jetojnë duke vënë vazhdimisht veten në provë dhe duke u përpjekur të zhvillojnë orbitën e tyre. E përcaktojnë veten në bazë të aftësisë për të arritur rezultatet. Ndihen të realizuar, sidomos në varësi të suksesit. Në Mars, gjithçka i reflekton këto vlera. Deri edhe veshjet mashkullore janë ideuar për të reflektuar aftësitë e tyre dhe vlerat. Policë, ushtarë, biznesmenë, shkencëtarë, taksistë, teknikë e kuzhinierë, të gjithë kanë uniforma që japin përshtypjen vizive të pushtetit të tyre dhe vlerave. Marsianëve nuk u intereson psikologjia. Janë më të interesuar për aktivitetin e hapur si gjahu, peshkimi dhe automobilizmi… për lajmet, motin, sportin (aspak romanet apo bashkëbisedimet). Kanë interes më shumë objektet dhe gjërat, sesa njerëzit dhe ndjenjat. Deri edhe sot, në Tokë, ndërsa gratë ëndërrojnë aventura romantike, burrat fantazojnë për makina garash, kompjuter të shpejtë dhe mjete teknologjike gjithnjë të përparuara. Burrat kanë për zemër “gjërat” që i ndihmojnë për të arritur qëllimet. Për të qenë mirë me veten në Mars, duhet të ndjekësh vetëm qëllimet që marsianët i kanë vënë vetes. Askush tjetër s’mund ta bëjë për ta. Marsianët e kanë motiv krenarie faktin që i bëjnë gjërat vetë. Autonomia barazohet me efektshmërinë, pushtetin dhe pasurinë. T’i ofrosh një burri një këshillë që s’e ka kërkuar, do të thotë që të pranojë se nuk di çfarë të bëjë ose që nuk është në gjendje ta bëjë vetë. Burrat janë shumë të ndjeshëm sa i përket kësaj.

Jeta në Venus

Venusianet kanë vlera të tjera. Për to është e rëndësishme sidomos dashuria, komunikimi, bukuria dhe raportet ndërpersonale. I kushtojnë shumë kohë ndihmës dhe përkëdheljes së njëra-tjetrës. Ndjesia për veten përcaktohet përmes ndjenjave dhe cilësisë së raporteve ndërpersonale. Ndihen të realizuara midis pjesëmarrjes dhe realizimit. Në Venus gjithçka reflekton këto vlera. Më shumë sesa të ndërtojnë autostrada dhe shumëkatëshe, venusianet interesohen të jetojnë në harmoni dhe në bashkëpunim të ndërsjelltë. Marrëdhëniet janë më të rëndësishme se puna dhe teknologjia. Nuk mbajnë uniforma si marsianët. Përkundrazi, duan të ndryshojnë veshjet çdo ditë, në varësi të ndjenjave që provojnë. Komunikimi është i rëndësisë parësore. T’i bëjnë të tjerët pjesëmarrës të ndjenjave të veta është më domethënëse sesa të ndjekin qëllimet dhe suksesin. Dy marsianë e hanë drekën bashkë për të diskutuar një problem pune ose projekt; kanë diçka për të zgjidhur. Pastaj, për ta restoranti përbën një afrim të efektshëm drejt ushqimit; i shkarkon nga pazari, gatimi dhe larja e pjatave. Për venusianet dreka është një mundësi për të përfituar një raport, për të dhënë e marrë mbështetje dhe ndihmë. Bashkëbisedimet që gratë bëjnë në një restorant mund të jenë shumë të hapura dhe intime, pothuaj si një dialog që kryhet mes terapeutes dhe pacientes. Në Venus të gjitha studiojnë psikologji dhe janë dëgjuese të mira. Venusianet janë shumë të interesuara për rritjen vetjake, spiritualitetin dhe gjithçka që i ndihmon për t’u përmirësuar. Venusi është i mbuluar nga parqe, qendra tregtare, kopshte e restorante. Venusianet janë shumë intuitive, një cilësi që e kanë zhvilluar ndër shekuj me përpjekje të vazhdueshme për t’i paraprirë nevojave të tjetrit. Të tregosh kujdes ndaj nevojave dhe ndjenjave të tjetrit është për to motiv krenarie. Është shenjë e një dashurie të madhe të ofrosh asistencë edhe të pa kërkuar (sipas një venusianeje, nuk ka asgjë sulmuese në ofrimin e ndihmës dhe të kesh nevojë nuk është shenjë dobësie, siç ndodh me një marsian). Prandaj, përpjekjet që një grua bën për të përmirësuar burrin shihen nga këta si përpjekje për t’i riparuar. “Nuk je në rregull” është mesazhi që ata lexojnë nga gratë, të cilat në fakt nuk duan të thonë këtë. Ato nuk e kuptojnë pse përpjekjet e tyre shpërfillen. Pse qenka e gabuar shtysa për t’i ndihmuar burrat të rriten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top