Mirëqenie

September 27, 2019 | 10:35

Cara Dental / Fasetat, trendi i estetikës

Pasioni për punën është A-ja e një rrugëtimi të suksesshëm profesional. Falë tij ndihesh i realizuar shpirtërisht, duke bërë të ndihen si ty dhe ata që kanë qenë pjesë e udhëtimit tënd të arritjeve. Mjekja stomatologe Ariola Cara e nisi me pasion ëndrrën. Pas një përvoje të gjatë, tanimë ka klinikën e saj dentare, ku ofron të gjitha llojet e shërbimeve.

Natyrisht që në këtë investim serioz, ajo ka ndërtuar një strukturë bashkëkohore në pajisje teknologjike dhe një bashkëpunim me mjekë të huaj e vendas të fushës për specializime të ndryshme. Cara Dental është një klinikë luksoze në bulevardin e Kamzës. Natyrisht që për një vend të populluar si kjo zonë, nevoja për shërbime të tilla mjekësore, është e arritshme falë këtij angazhimi që përcjell Dr.Ariola dhe stafi i saj.

Një ambient mikpritës, me shumë dritë, ku era e dezinfektantëve të shpon hundët, ndërsa teknologjia është ftuese, duke ta hequr frikën e shtrimit në poltronin blu. “Gjithçka është konceptuar me standarde perëndimore, për t’i bërë gjërat të sakta”, pohon Ariola. Ndërkaq ndalemi në bisedë mbi përvojën e saj, problematikat dhe këshillat që çdo lexues duhet të tregojë vëmendje.

Si u krijua “Cara Dental”?

Klinikën time e kam hapur shtatë vjet pas diplomimit, pas një përvoje të gjatë pune, pas një përkushtimi të madh, i cili ka nisur që në vitin e parë të fakultetit. Erdhi një moment që kisha besim në vetvete, ndihesha e plotësuar, pacientët më besonin, ndiheshin të sigurt me mua dhe më kërkonin sa herë që vinin për të kuruar dhëmbët. U specializova në Itali si mjeke ortodonte. Atëherë mendova se kishte ardhur çasti të kisha diçka timen.

Çfarë realizoni këtu?

Në klinikë realizojmë të gjitha shërbimet, duke filluar nga mbushjet e thjeshta e tek implantimi i dhëmbëve (mbjellja e dhëmbëve). Ofrojmë shërbime të kirurgjisë, ortopedisë, ortodoncisë dhe sigurisht punime estetike si fasetat.

Vë re problematika në këto dy fusha?

Ka ende pacientë që vijnë kur i kanë dhëmbët të shkatërruar, por sigurisht kemi dhe pacientë që janë shumë të informuar rreth punës që duan të bëjnë dhe janë gati për të filluar punën. Falë mediave dhe rrjeteve sociale, sot pacientët janë shumë të informuar. Në ditët e sotme është shtuar shumë nevoja e vendosjes së aparateve ortodontike për të korrigjuar defektet dhëmbore te fëmijët, që të kemi perfeksion në funksion dhe paraqitje.

Fatmirësisht, teknologjia e mundëson me aparate shumë komode, të cilat mund të fillojnë të vihen që në mosha shumë të vogla deri te pacientët adult. Sot aparatet transparente (invisalign) janë ndër më të preferuarat për pacientët në mosha të rritura. Është shumë e rëndësishme edhe cilësia e aparateve. Në klinikë kemi marka gjermane dhe italiane.

Si është me fëmijët?

Tanimë prindërit janë shumë të ndërgjegjësuar dhe fëmijët i sjellin që në mosha shumë të vogla. Është e këshillueshme që fëmijët të shkojnë te mjeku stomatolog sa më herët, qoftë edhe për t’u mësuar me ambientin. Lidhur me problematikat dhe defektet e dhëmbëve, qofshin ato skeletike apo dhëmbore, duhet të përcaktohet një diagnozë dhe plan trajtimi nëpërmjet analizave të posaçme që kryhen nga mjeku ortodont. Sa më herët të kapet defekti, aq më shpejt korrigjohet. Kocka e tyre është e njomë, nuk ka përfunduar rritja. Nëse një rast do ta trajtojmë 25 vjeç dhe do na zgjasë 3-4 vjet, tek një fëmijë shkon 2-3 vjet maksimumi.

Sa ndikojnë kequshqyerja, kafshimi, mungesa e fluorit?

Është një problematikë që e has shumë. Më vjen keq ndonjëherë kur fëmijët të shoqëruar nga prindërit, kanë në duar patatina dhe çokollata. Rëndësia e ushqimit të shëndetshëm është esencial te fëmijët. Personalisht, djalit tim 3-vjeçar deri më sot nuk ia kam lejuar ta provojë shijen e sheqerit sintetik, preferoj atë natyralin, të cilin mund ta marrim me shumicë nëpërmjet frutave. Sheqernat e fabrikuara e shkatërrojnë dhëmbin e fëmijës. Edhe sa i takon kafshimit, mungesa e bluarjes së ushqimit i dobëson muskujt e gojës. Është e këshillueshme që fëmijët të dinë të përtypin sa më shumë, pasi kjo po rrit incidencën e shumë problemeve dhëmbore.

Po fluorizimi si proces, sa rëndësi ka?

Nga disa studime, nuk e rekomandoj fluorin si tabletë, sepse mendohet se rrezikon koren e trurit. Preferoj fluorizimet topikale, që vendosen te dhëmbët për disa minuta. Është një procedurë e shkurtër, një masë parandaluese shumë e mirë, që bëhen në klinikë dhe është totalisht pa dhimbje. Trajtimi me fluor nuk është eficent në dhëmbë të prishur. Këshillohet të nisë që 3 vjeç dhe të bëhet një herë në gjashtë muaj deri 12-13 vjeç kur përfundon edhe dalja e dhëmbëve të përhershëm. Fluorizimi përdoret gjithashtu edhe për uljen e ndjeshmërisë në moshat adulte. Silanizimi gjithashtu është një masë parandaluese, e cila kryhet në dhëmbët e parë të përhershëm që dalin në moshën 5-6 vjeçare. Mbushja e ulluqeve të dhëmbëve me një material që shërben si barrierë për prishjen e dhëmbëve, rrit mineralizimin e tyre përmes çlirimit të fluorit.

Ndalemi te fasetat, trendi i estetikës.

Fasetat janë ndër punimet e preferuara të pacientëve të mi. Mund të bëhen në dhëmbë vitalë, të shëndetshëm. Duke qenë se është punim estetik shumë i hollë, dhëmbi preparohet 1-2mm. Fasetat mund t’i bëjmë kur nuk na pëlqen shumë forma apo ngjyra e dhëmbëve. Fasetat janë ndërhyrje mini-invazive për dhëmbin, dhe bëhen në vetëm 2 seanca. Është trend, por pse jo edhe për ata njerëz që nuk kanë pse të bëjnë ura për të korrigjuar deformime të vogla apo për mbylljen e hapësirave të vogla ndërmjet dhëmbëve. Faseta është punim estetik, duke preparuar shumë pak sipërfaqe dhëmbi dhe jep një rezultat natyral. Unë i jap rëndësi këtyre punimeve delikate, por që japin rezultate të mahnitshme te pacientët.

Me cilat punoni më shumë?

Me fasetat E-Max që përgatiten në laborator, si dhe me fasetat me kompozit, të cilat realizohen direkt në klinikë në një seancë të vetme. Këto të fundit e dëmtojnë dhëmbin shumë më pak, por nuk janë rezistente në kohë, krahasuar me fasetat E-max. Me kalimin e kohës 5-10 vjet duhen riparë. Në momentin që pacienti dëshiron të bëjë një ndryshim total të buzëqeshjes, rekomandohen 10 faseta aq sa arrin buzëqeshja të tregojë. Më pëlqejnë fasetat natyrale në ngjyrë dhe formë. Punimet realizohen varësisht defekteve. Mosha nuk përbën kundërindikacion, mjafton që dhëmbi të jetë maturuar.

Mirëmbajtja e fasetave apo e të gjitha punimeve ortopedike është njësoj si për të gjithë dhëmbët. Nëse për dhëmbët normalë pastrimi i gurëzave bëhet një herë në 6 muaj, kur pacienti ka punime ortopedike në gojë duhet të bëhen 1 herë në 3 muaj. Trajtim shumë i rëndësishëm është dhe pjesa e gingivave. Nëse nuk kemi gingiva të shëndetshme, punimet që realizojmë nuk mund të jenë rezistente dhe afatgjata. Prandaj në klinikë i japim rëndësi të madhe trajtimit të gingivave me metoda dhe preparate shumë cilësore.

Sa të lumtur të ka bërë kjo punë?

Është shumë bukur kur sheh një ndryshim, një buzëqeshje të madhe dhe mesazhe foto-falënderuese nga pacienti. Është shumë emocionuese kur pacientë të cilët kanë ngurruar për shumë vite të buzëqeshin, në fund të trajtimit janë shumë të lumtur e të pakompleksuar. Kjo shikohet jo vetëm në gojën, por edhe në sytë e tyre. Shumë motivues janë edhe fëmijët, të cilët kanë shumë frikë dhe mosbesim në vendosjen e aparateve ortodontike, por sapo në muajt e parë ndryshimet fillojnë të bëhen të dukshme, merr falënderime dhe përqafime shumë të sinqerta. Sigurisht që duhet të jesh vazhdimisht i përditësuar me të rejat dhe zhvillimet më të fundit të dentistrisë që të jesh i suksesshëm.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 141

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top