Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri është një dukuri masive. Të ftuara në emisionin e Rudinës, psikologia Jeta Toçila dhe kryetarja e Shoqatës në Dobi të Gruas Shqiptare, Sevim Arbana u kërkojnë grave të mos heshtin, por të refuzojnë dhe dencojnë dhunën që në fillesat e saj.
“Është e vërtetë se rastet që përfundojnë në gjykatë,janë më tepër rastet ku janë të dukshme për shkak të dhunës fizike. Por derisa të arrijmë te dhuna fizike, është e sigurtë që ka pasur edhe dhunë psikologjike, dhe pse jo, edhe dhunë ekonomike. Gratë në vendin tonë janë së pari të dhunuara psikologjikisht, së dyti ekonomikisht, dhe së treti dalim te dhuna fizike që kontribuojnë shumë elementë të tjerë, që nga edukimi i varfër, mentaliteti, kultura e pamjaftueshme, cikli i dhunës, mënyra si ai/ajo është rritur, pra sa kanë qenë të ekspozuar gjatë jetës së tyre ndaj dhunës”, shprehet psikologia.
“Gratë këtë nuk e kuptojnë. Vazhdimisht u themi, mos heshtni edhe kur i ofendojnë. Reagoni që në fillim, mos reagoni kur ju godet, reagoni që në fjalën e parë”, bën thirrje kryetarja e Shoqatës në Dobi të Gruas Shqiptare, Sevim Arbana, e cila nënvizon se, sot është mëkat të arrihet deri në vrasje, pasi sipas saj, të gjitha strukturat funksionojnë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.