Komiteti Shqiptar i Birësimeve është Autoriteti Qendror i vetëm në Shqipëri në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve në fushën e birësimit vendas dhe ndërvendas. Ai synon të garantojë interesin më të lartë të fëmijëve të deklaruar të braktisur, për të siguruar familje të përshtatshme dhe të denja në mënyrë që të krijohen kushte për mirërritjen dhe edukimin e tyre. Funksionon si organ kolegjial në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe në përputhje me dispozitat ligjore që janë përcaktuar saktësisht në një sërë konventash, ligjesh dhe derivatesh të tjera që rrjedhin në mbështetje të këtyre të fundit. Parimet e përgjithshme që do të udhëheqin në vijim punën e Komitetit Shqiptar të Birësimeve synojnë në çdo moment mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijëve përmes procesit të birësimit, pasi çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në familje.
Genci Terpo kreu i Komitetit Kombëtar të Birësimeve
A është rritur numri i birësimeve?
Në vitin 2013 Komiteti Shqiptar i Birësimeve ka realizuar gjithsej 47 birësime të cilat kategorizohen në tre lloje dhe konkretisht, birësime vendase, ndërvendase dhe birësime me pëlqim. Në vitin 2014 deri në muajin maj janë realizuar 25 birësime, që do të thotë është më shumë se gjysma e birësimeve për vitin 2013 në një kohë që akoma nuk kemi mbyllur 6-mujorin e parë të këtij viti. Për rrjedhojë konsiderohet një rritje e numrit të birësimeve. Nga parashikimet tona, deri në fund të vitit 2014 numri i birësimeve do jetë më i madh se ai i vitit 2013.
Kërkohen më shumë nga shtetas të huaj apo edhe shqiptarët e njohin tashmë si dukuri të rëndësishme për të pasur familje të plotësuara?
Në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimeve janë 36 çifte shqiptare dhe rreth 90 çifte të huaja që presin të birësojnë fëmijë. Shpërndarja gjeografike e çifteve shqiptare përfshin zona nga më të ndryshmet në Shqipëri ndërsa çiftet e huaja janë kryesisht italianë, amerikanë, kanadezë, francezë, grekë, maltezë, etj. Sigurisht në harkun kohor një vjeçar numri më i madh i kërkesave është nga çiftet shqiptare.
Kanë ndryshuar kriteret bazë?
Kriteret bazë janë pikërisht ato që përcaktohen në nenin 18 të Ligjit nr 9695 datë 19/03/2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit” i ndryshuar me Ligjin Nr.10 358, datë 16/12/2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9695, datë 19/03/2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” si dhe ato që parashikon Ligji nr. 8624 datë 15/06/2000 mbi Aderimin e Shqipërisë në Konventën e Hagës “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit”. Por gjatë këtij viti edhe në vazhdim jemi përpjekur që të sigurojmë një ngritje akoma të mëtejshme në aspektin e nivelit intelektual të çifteve apo aplikantëve që kërkojnë të birësojnë fëmijë. Kjo ka ndikuar pozitivisht për të garantuar interesin më të lartë të fëmijës, pra pikërisht gjetjen e një familjeje sa më të përshtatshme për secilin prej fëmijëve kontingjent birësimi.
Sa zgjasin procedurat?
Pas shqyrtimit të kërkesës të paraqitur nga aplikantët shqiptare për të birësuar një fëmijë të braktisur, e cila shoqërohet me dokumentacionin e nevojshëm sipas nenit 18 të ligjit nr. 9695 datë 19/ 03/2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” Sekretariati Ekzekutiv realizon intervista dhe bën një studim të aftësisë së tij birësuese, sipas pikës 7 të nenit 13 të ligjit nr. 9695 datë 19/03/2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve”. Dosja e aplikantit si dhe studimi i bërë për të, sipas nenit të 19 të ligjit nr. 9695 datë 19/03/2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” ndryshuar me Ligjin Nr.10 358, datë 16/12/2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9695, datë 19/03/2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve” i paraqitet Këshillit Drejtues për shqyrtim, në mbledhjen e tij të radhës. Sipas pikës 1 të nenit 9 të ligjit nr. 9695 datë 19/03/2007 “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve “ Këshilli Drejtues vendos ose jo për “përshtatshmërinë” e aplikantit birësues. Vetëm kandidatët ose çiftet për të cilët është vendosur nga ana e këshillit drejtues “dhënia e përshtatshmërisë” mund të birësojnë fëmijë dhe këta të fundit që nga ky moment vendosen në listat e pritjes ku edhe qëndrojnë të tillë derisa nga ana e institucionit u propozohet për birësim një fëmijë i cili është në listat e KSHB me cilësinë e fëmijës së braktisur. Procedura administrative pranë KSHB për çiftet që synojnë të birësojnë fëmijë zgjat 60 ditë dhe në përfundim të tyre çiftit konsiderohet si i përshtatshëm ose jo për të birësuar fëmijë. Koha më pas konsiderohet si periudhë pritjeje dhe është relative varur nga numri i fëmijëve që janë kontingjent birësimi por praktikat e fundit që po ndjekim janë të tilla që çdo çift pret jo më shumë se 15 muaj derisa të birësojë një fëmijë ndërkohë që më parë çiftet prisnin mbi dy vjet për të birësuar.
Birësimi si prioritet
Në të vërtetë puna e KSHB tashmë ka kaluar në një nivel më të lartë duke qenë se edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe veçanërisht prej Ministrit Nasip Naço është parë me mjaft prioritet sektori i birësimit të fëmijëve. Gjithashtu mbështetje të pashembullt kemi marrë edhe prej Ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë Aleksandër Arvizu i cili prej më shumë se 6 muajsh ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të ndihmuar punën e KSHB si në aspektin e përmirësimit të legjislacionit ashtu dhe në ofrimin e praktikave më të mira në këtë drejtim. Unë personalisht kam marrë përsipër të ofroj maksimumin e bashkëpunimit me të gjithë faktorët që do të sigurojnë në vijim një shërbim sa më cilësor dhe një qasje sa më të afërt me standardet që disponon edhe vetë praktika më e mirë në këtë proces kaq sensibël, siç është birësimi i të gjithë fëmijëve të braktisur në vend.
Botuar në revistën Nr. 85, viti 2014
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.