Në fokus

May 15, 2017 | 13:30

Celularët e tabletët, si t’i ruani sytë e fëmijëve

happy child in glasses looking at mini tablet pc screen sitting at table

Telefonat dhe tabletët dëmtojnë shikimin e fëmijëve përmes rre-zatimit të drejtpërdrejtë, që prish ekuilibrin e filmit të lotit preokular dhe përmes afërsisë ekstreme të këtyre pajisjeve telefonike me sytë, çka çon në spazmë të theksuar të akomodimit dhe në shtrembërim të syve”. Deklarata vjen nga mjekja okuliste, pranë Poliklinës Qendrore në Tiranë, Rezarta Shkurti, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin “Life Pages”, të “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje rrezikun e përdorimit të tabletëve dhe celularëve nga moshat fëminore. Po ashtu, mjekja jep një sërë këshillash, që mund të ndihmojnë prindërit në minimizimin e këtyre rreziqeve, ndërsa thekson se çdo vit, në institucionin ku ajo punon diagnostikohen me probleme në sy rreth 2000 fëmijë.

Nga Ola Mitre

Rezarta Shkurti Mjeke  okuliste, pranë Poliklinës Qendrore në Tiranë

Rezarta Shkurti
Mjeke okuliste, pranë Poliklinës Qendrore në Tiranë

Doktoreshë, çfarë mund të shkaktojë probleme në sy, te fëmijët?

Mosha fëminore zë një vend të konsiderueshëm në numrin e vizitave të  përditshme të një mjeku okulist. Specifika e një vizite fëmije qëndron në vetë faktin që kjo moshë është delikate. Gjithashtu, mosha fëminore është moshë në të cilën në organizmin e fëmijës nuk janë instaluar mekanizmat përfundimtarë të imunitetit, gjë që çon në një përballje të vazhdueshme të organizmit të fëmijës me viruset dhe mikrobet rrethuese në ambientin ku ai jeton (çerdhe, kopsht, shkollë, shtëpi etj.). Kjo çon në një luftë të përditshme të trupit të fëmijës me këta faktorë patogenë (sëmundje shkaktues) dhe në rastin e fillimit të një sëmundjeje të syve do të thotë që ka mbizotëruar faktori patogen, pasi kanë qenë të pamjaftueshëm faktorët imunitarë (mbrojtës). Gjithashtu, faktor tjetër që e bën moshën fëminore të veçantë te okulisti është edhe fakti që fëmijët janë të rriskuar për dëmtime eventuale të syve gjatë aktivitetit të tyre të përditshëm, si për shembull kur luajnë. Këtu problematike janë goditjet e syrit ose traumat, që përbejnë jo pak raste në praktiken tonë të përditshme. Në një masë jo të vogël të fëmijëve vihet re strabizmi (shtrembërimi i njërit sy ose i të dyve) nga brenda ose nga jashtë. Në përgjithësi ky defekt i të parit lidhet me anomali të refraksionit, që korrigjohen me syze. Problematikë në vizitat e moshës fëminore përbëjnë edhe defektet e lindura si: perdja e syve, sëmundja e tensionit të lindur të syrit, rënia e kapakut të syrit, etj. Këto raste fatmirësisht përbëjnë një përqindje të ulët në numrin e vizitave vjetore të okulistit, por që janë pjesë e sëmundjeve të syrit.

Nga vizitat që ju kryeni, cila është situata? Sa raste të  diagnostikuar kemi në vit?

Në praktikën tonë të përditshme nuk ekziston asnjë ditë që të mos kryhen vizita të moshës fëminore. Nga praktika ime e përditshme e punës, motivi i vizitës, pra ankesa, e cila e sjell fëmijën për vizitë mund të jetë e ndryshme dhe e larmishme. Nëse do t’i referoheshim grup moshës së fëmijëve mbi 6-7 vjeç ankesa në përgjithësi është: nuk shohin mirë në klasë ose në shtëpi kur bëjnë mësimet apo kur shohin televizor në kohën e lirë. Ky grup fëmijësh, në pjesën më të madhe të rasteve diagnostikohet me anomali refraksioni (defekt i të parit), situatë e cila korrigjohet pa asnjë problem me syze. Shqetësim tjetër që e sjell fëmijën te okulisti është strabizmi, që në përgjithësi trajtohet në kohë me mbajtjen e syzeve apo më vonë edhe me ndërhyrje estetike. Lotimi mund të jetë një tjetër arsye për vizitë okulistike. Në përgjithësi në moshë të vogël lotimi lidhet me anomali të lindura të kanalit të lotit, për të cilat trajtimi mund të jetë medikamentoz ose hapja e kanalit. Nozologji tjetër që përbën interes për vizitat e fëmijëve janë infeksionet mikrobiale ose virale, që diagnostikohen rëndom në praktikën tonë të përditshme. Vitet e fundit, me zhvillimin marramendës të teknologjisë telefonike, telefonave celularë, tabletëve apo kompjuterëve është shtuar sëmundshmëria e “syrit të thatë” ose tharja e syrit me infeksionet shoqëruese që vijnë si pasojë e dëmtimit të strukturës së lotit nga rrezet e këtyre pajisjeve. Traumat apo goditjet e syrit, apo trupat e huaj që futen në sy kryesisht gjatë lojërave fëminore përbëjnë një pjesë shumë të vogël të vizitave. Për sa i përket pyetjes se sa raste janë diagnostikuar në vit, me përafërsi vizitohen 7-8 fëmijë në ditë, pra rreth 200 fëmijë në muaj apo afërsisht 2400 fëmijë në vit. Të sëmurë rezultojnë afërsisht 80-85% e kësaj shifre. Ne periudhën maj-shtator të depistimit të shikimit, numri i fëmijëve të vizituar në ditë ka arritur dhe 25 fëmijë.

Sa ndikon përdorimi i celularëve dhe tabletave në këtë drejtim?

E konsideroj shumë me vend këtë pyetje pasi në jetën tonë të përditshme, ne ndeshemi me valë të shumëllojshme, ndaj të cilave organizmi reagon në mënyra të ndryshme. Valët e detit zakonisht kanë efekt relaksues mbi organizmin human, e kundërta ndodh me valët elektromagnetike. Përveç valëve të dritës, në shtëpitë tona hyjnë edhe valë te prodhuara artificialisht si nga: telefonat celularë, tabletat, kompjuterët, etj. Të gjitha këto valë transmetojnë energji, secila në masë më të madhe apo më të vogël. Efekti i tyre mbi organizmin është i ndryshëm sepse janë valë me karakteristika të ndryshme. Problemi i elektromagnetizmit qëndron, pasi është një ndotje e “padukshme”, “nuk ka erë”, por që shkakton rrezatim elektromagnetik veçanërisht të rëndë dhe të dëmshëm, duke rrezikuar sidomos fëmijët. Studimet e viteve të fundit kanë vënë në dukje që valët e padukshme, të spektrit elektromagnetik, kanë një ndikim të thellë mbi çdo aspekt të rregullimit biologjik. Në këtë kontekst, pa diskutim sytë e fëmijëve janë të rrezikuar nga këto rreze. Dëmet të cilat ky rrezatim shkakton mund të jenë të nivelit minimal, si: skuqja e lehtë e syve apo mungesë loti, dhe deri në shfaqjen e anomalive të refraksionit (defekte të të parit), që korrigjohen patjetër me syze. Telefonat dhe tabletat i shkaktojnë dëmet në sy përmes disa mekanizmave, por më kryesoret janë dy: përmes rrezatimit të drejtpërdrejtë, që prish ekuilibrin e filmit të lotit preokular dhe përmes afërsisë ekstreme të këtyre pajisjeve telefonike me sytë e fëmijëve, pasi fëmijët i mbajnë ato 15-20 cm larg syve dhe kjo çon në spazmë të theksuar të akomodimit dhe në shtrembërim të syve.

Duke qenë se shmangia e tyre nga prindërit rezulton “pothuajse” e pamundur, çfarë këshillash do u jepnit për të minimizuar rrezikun?

Fillimisht dua të insistoj që të paktën për moshën 3-5 vjeç lënia e këtyre aparateve në duart e fëmijëve duhet të ndalohet nga prindërit. E kuptoj që është shumë e vështirë, por nuk është e pamundur. Kjo është një moshë në të cilën fëmija fillon të ecë, luan, njihet me botën dhe duhet të zhvillojë aktivitet të plotë dinamik në natyrë. Ndaj nuk ka asnjë kuptim lënia e telefonit në dorë të fëmijës dhe kjo konsiderohet “lojë”. Sytë e fëmijës në këtë moshë janë në zhvillim e sipër dhe nuk duhet të zhvillohet nën sfondin e një rrezatimi elektromagnetik. Për sa i përket grup moshës më të rritur, kur fëmija është në moshë shkollore, pjesën më të madhe të orëve të tij të ditës e kalon në klasë në mësim dhe në shtëpi duke kryer detyrat. Rrjedhimisht një sasi kohe e limituar duhet t’i rezervohet lojërave kompjuterike. Dhe këtu rrjedhimisht buron këshilla për prindërit: mundohuni ta angazhoni sa më shumë fëmijën tuaj në detyrat në shtëpi, lexime jashtëshkollore, punë suplementare, hobi si: futboll, not, kërcim, piano apo aktivitete të tjera, të cilat duke marrë pjesë nga dita e fëmijës tuaj automatikisht pakësojnë kohën e qëndrimit para kompjuterit, telefonit, tabletit.

A ka një sasi të rekomanduar kohore për përdorimin e këtyre pajisjeve?

Shumë studime në botë janë kryer në këtë fushe nga studiues të ndryshëm, por nuk kanë arritur në një përcaktim të saktë të kohës në të cilën sytë e fëmijëve lejohen të jenë të ekspozuar me pajisjet elektronike. Gjithsesi emëruesi i përbashkët i studimeve është që koha e ekspozimit me to të jetë sa më minimale në moshat e vogla dhe të rritet me rritjen e moshës. Do të sugjeroja për shembull që në ditët e fundjavës, që fëmija është pushim nga shkolla të lejohet të qëndrojë relativisht 2 herë më shumë sesa në ditët e shkollës.

Po në lidhje me largësinë e tyre gjatë përdorimit, çfarë rekomandoni?

Për të mbrojtur sytë nga kompjuteri apo laptopi, rekomandohet të mbahet larg nga prehri, të vendoset në tavolinë. Ambientet me ndriçim të dobët amplifikojnë ose shtojnë rrezikun e rrezatimit të përthithur në sy. Largësia e kompjuterit ose laptopit duhet të jetë jo më pak se 50 cm, ndërsa ajo e telefonit ose tabletit jo me pak se 30 cm, pra, me fjalë të tjera e barabartë ose më e madhe se distanca e qëndrimit para kompjuterit të punës ose e leximit.

Si mund të shmangen problemet e fituara në sy te fëmijët?

Për të shmangur problemet e fituara gjithmonë vend të parë zë strategjia e parandalimit. Që në lashtësi njihet thënia mjekësore “është me e lehtë të parandalosh, sesa të kurosh”. Duhet të ndahet korrekt gjithë koha e ditës sesi e kalon fëmija. Ndarja e saktë në porcione e orëve të ditës së fëmijës çon në një jetë të shëndetshme për sytë. Nuk duhet të ndërhyjë në orët e mësimit ose bërjes së detyrave në shtëpi mbajtja nëpër duar e celularëve apo tabletit. Po ashtu, duhet të konsumohen super-ushqime dhe suplementare antioksidues, për të luftuar radikalet e lira që valët elektromagnetike krijojnë. Pasi kalon 2 orë para kompjuterit apo duke lexuar, fillon turbullimi i shikimit dhe pastaj është e vështirë fokusimi më tej. Në këto kushte shkëputja nga kompjuteri ose leximi është e detyruar, dhe rekomandohet konsumimi i ndonjë frute ose gjysmë orë pushim i detyruar në një ambient tjetër (me ndriçim). Fëmijët që mbajnë syze e kanë të detyruar kontrollin periodik çdo 4 muaj te mjeku okulist, ku fëmija është i kartelizuar. Po ashtu rekomandohet mbajtja tepër e pastër e xhamave të syzeve dhe përdorimi i syzeve pa numër, por me xham antirefleks për mbrojtje nga rrezet e pajisjeve elektronike. Rekomandohet herë pas here aplikimi gjatë orëve pas shkollës i pikave “lot artificial” në sy, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë që qëndrojnë me orë të tëra me celular në duar apo para video-game, pasi fusha elektromagnetike e këtyre pajisjeve dëmton vazhdimisht filmin lotit, strukturë e cila mbulon syrin dhe krijon komoditet dhe rehati. Gjithashtu, e domosdoshme është vendosja për të fjetur gjumë jo më vonë se ora 21:00./gsh.al

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top