Çdo gjë nisi me përpikërinë që e meritonte një aktivitet i tillë. Gjithçka ishte organizuar deri në detaje. Pritej vetëm sinjali regjisorial e shfaqja të niste. Transmetimi i drejtpërdrejtë kishte emocione.
Nga Orjona Tresa / Fotot Vlasov Sulaj
… Më herët, në krye të kangjellave kryesore, qëndronte posteri i madh, i cili njoftonte këtë datë të shënuar “15 shtator, ceremonia e diplomimit të studentëve pranë KU Luarasi”. Karriget e bardha, vendosur në simetri me njëra-tjetrën kishin mbushur hyrjen e universitetit. Ndriçimi i jepte ngrohtësi këtij ambienti, përshtatur me ngjyrat simbolike të këtij institucioni të lartë arsimor. Projektori i madh, zinte vendin kryesor në anën e majtë të godinës shumëkatëshe, prej nga ku do të shfaqeshin të memorizuara në film, aktiviteti i gjatë universitar që prej vitit 2003.
… Karriget u mbushën shpejt, aq sa shumë të ftuar e ndoqën në këmbë ceremoninë e diplomimit të studentëve. Ishin aty mjaft figura, personalitete të fushave të ndryshme, por edhe prindër të bijve e bijave që sot jeta e tyre do të marrë tjetër rrjedhë.
Në moderimin e gazetares Androniki Kolka, festa filloi, e në ekranin e madh u shfaq një promemorie për punën ndër vite të këtij universiteti. Mandej një fjalë përshëndetëse nga mjeshtri i penës shqipe, Ismail Kadare.
Ndër të tjera ai citon: “Fryma studenteske është përherë e nevojshme në të gjitha fazat e zhvillimit. Zbehja, e sidomos shuarja, do të ishte një fatkeqësi për të gjithë. Ju do të keni fatin që për disa vite rresht do të jeni bartës të drejtpërdrejtë të kësaj fryme, të kësaj shprese, të këtij ngazëllimi të bukur. Së bashku me ju është tërë shoqëria që do të gjallërohet e të fisnikërohet prej tij”.
Vlen të theksohet dëshira dhe vullneti për ta ngritur në nivele edhe më të larta arsimin në këtë institucion, ku padyshim merita i takon Presidentit të “Hysenbelliu Group”, z.Irfan Hysenbelliu, i cili ka treguar këmbëngulje dhe mbi të gjitha pasion për ta çuar përpara këtë iniciativë të guximshme. Ceremonia vijoi me fjalimet përkatëse të themeluesit të këtij universiteti, Aleks Luarasit, të përfaqësuesve, të ftuarve dhe rektorit të shkollës, Arben Malaj, të cilët dhanë mesazhe bindëse për rëndësisë e arsimimit në jetë.
Një mesazh i veçantë ishte dhe ai i ministres së arsimit, znj. Lindita Nikolla, e cila shprehu falënderime dhe mirënjohje për familjen Hysenbelliu. “Ka diçka të veçantë në Kolegjin Universitar “Luarasi”, sepse familja Hysenbelliu investon jo vetëm për të garantuar një institucion me infrastrukturën më të lartë, por ka një veçori, sepse investon në gjithë komunitetin, apo netuorkun, sepse kujdeset për çdo emër që del dhe formohet nga kjo godinë, në mënyrë që ai nesër të jetë i suksesshëm në tregun e punës. Ndaj unë duatë shpreh mirënjohje dhe falënderim për presidentin e Luarasit. Dua të shpreh mirënjohje edhe për prindërit e këtyre studentëve. Prindërit shqiptarë investojnë kaq shumë për shkollimin dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Të dashur prindër, fëmijët tuaj marrin sot një diplomë të akredituar, një diplomë të standardeve të larta europiane, dhe marrin dije nga ky staf i specializuar. Faleminderit për mbështetjen që i keni dhënë institucionit dhe gjithçkaje që organizohet”, u shpreh ministrja Lindita Nikolla.
Tri medalje ari për studentët ekselencë, të cilat u dorëzuan nga zv.presidentja Fabiola Hysenbelliu, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe kreu i “Biznes Albania”, Luan Bregasi. U vlerësuan me certifikatë edhe 10 studentë të dalluar, ndërsa ceremonia kulmoi me dorëzimin e diplomave, hedhjen e kapelave, por edhe të fishekzjarrëve që i dhanë adrenalinë atmosferës.
Pas rreth një ore e gjysmë, festa vijoi me një banket në ambientet e Kolegjit Universitar Luarasi, ku siç e do zakoni, të pranishmit këmbyen përshtypje, por edhe pritshmëritë për atë që do të pasojë në vitet e tjera akademike. Shtensionimin e festës e bënë fiksimi i momenteve të tilla në foto, ku studentët e diplomuar dhe jo vetëm, me lirshmërinë dhe thjeshtësinë e tyre iu dhuruan vetes kujtime që do mbeten gjatë në memorie me profesorët e tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.