Nëse jeni të shqetësuar sepse fëmija juaj ka problem me të folurit apo nuk flet fare, atëherë kjo është ajo që duhet të dini! Pra, çfarë duhet të bëni nëse fëmija juaj nuk është duke folur akoma? Të përballesh me një fëmijë i cili ka probleme në të folur, mund të jetë shumë shqetësuese. Vonesat në të folur ndërlidhen me vonesa të tjera të zhvillimit, siç janë shkathtësitë e komunikimit social dhe fizik. Nuk ka nevojë të brengoseni vetëm nëse fëmija juaj 18 muajsh nuk është duke prodhuar zëra, sikurse ndonjë moshatar i tij, por duhet të kuptojmë se çfarë është duke ndodhur dhe përse?
Çfarë është normale sa i përket zhvillimit të të folurit tek fëmijët?
Të gjithë fëmijët zhvillohen në mënyra të ndryshme sa i përket aspektit verbal, por shumica prej tyre shqiptojnë ndonjë fjalë deri në moshën 18 muajsh, edhe nëse fjalët nuk janë shumë të deshifrueshme! Janë disa gjëra që vlen të theksohen:
- Djemtë kanë tendencë të zhvillohen pak më vonë, sesa vajzat në këtë aspekt.
- Fëmijët të cilët flasin me zëra dhe veprime joverbale dhe të cilët ju kuptojnë qartë juve, janë zakonisht në rregull.
- Më shumë se gjysma e rasteve me vonesa në të folur tek fëmijët nën 3 vjeç e përmirësojnë gjendjen e tyre.
- Fëmijët me më shumë motra dhe vëllezër më të mëdhenj zakonisht flasin më vonë, sepse është dikush që flet për ta!
Problemet e komunikimit verbal tanimë janë çrregullimet më të shpeshta tek fëmijët dhe prekin 14% – 20% të parashkollorëve. Sipas National Literacy Trust, shumica e drejtorëve të çerdheve dhe të shkollave mendojnë se kompetenca e gjuhës tek fëmijët 3 vjeç ka rënë dukshëm në vitet e fundit.
Sipas tyre kjo ndodh për tri arsye:
- Shikimi i televizorit dhe telefonave nga fëmijët për orë të tëra, pa mbikqyrje.
- Kujdesi “modern” i fëmijëve nga ana e prindërve, ku është larguar kontakti i fëmijës me prindin dhe kemi shumë pak kontakt me sy dhe mundësi shumë të vogla për biseda.
- Prindërit e zënë, të cilët nuk u lënë vend fëmijëve të thonë nevojat e tyre apo përgjigjet e tyre më të gjata – U bëjnë pyetje që kërkojnë përgjigje sa më të shkurtëra dhe më të shpejta si psh: “Ti dëshiron më shumë lëngun sesa qumshtin apo jo”? Pra, kjo kërkon vetëm një përgjigje të shkurtër nga ana e fëmijës.
Këto dhe shkaktarë të tjerë që ndërlidhen me sjelljen llogariten të jenë shkaktarë të rreth 60% e rasteve të vonesave në të folur, por 40% të rasteve të tjera arsyet mund të jenë më të thella. Sidoqoftë, vetëm 1 në 10 fëmijë vuan nga vonesat në të folur për shkak të ndonjë problemi të rëndësishëm fizik apo problem zhvillimor.
Këto mund të përfshijnë:
- Humbja e fituar e dëgjimit (si pasojë e infeksionit apo ndonjë sëmundjeje apo lëndimi).
- Vështirësie në të nxënë, siç është Disleksia apo Autizmi.
- Apraksia e të folurit tek fëmijët (çrregullim neurologjik i të folurit)
- Disa forma të dëmtimeve neurologjike.
Në këto raste, zbulimi i hershëm dhe ndërhyrja është shumë e rëndësishme në mënyrë që fëmija juaj të shmangë problemet e mëtejshme sociale dhe emocionale.
Si të kërkoni ndihmë, nëse shqetësoheni për zhvillimin e të folurit të fëmijës suaj?
Shërbimi shëndetësorë do të ju vinte shumë në ndihmë nëse ju u drejtoheni atyre për shqetësimin tuaj. Para së gjithash, flisni me mjekun tuaj, por në çoftë se fëmija është nën moshën 2 vjeç, mos u befasoni nëse ai mendon se vonesa në të folur e fëmijës suaj është normale.
Nëse gjendja e fëmijës suaj kërkon të bëhen egzaminime të mëtutjeshme ndoshta do të duhej të konsultoheshit me një psikolog, terapist të gjuhës dhe të folurit, audiolog.
Testet ndoshta do të kryhen për të përcaktuar peshën e situatës, si dhe shkakun themelor. Fëmija juaj duhet të trajtohet në mënyrë individuale, duke ndihmuar atë për të gjetur strategji për të kuptuar gjuhën dhe komunikimin, madje edhe nëse kjo nuk përfshin fjalën e folur. Nëse do të mund të trajtohet apo jo problem i fëmijës varet shumë nga ashpërsia dhe natyra e gjendjes së fëmijës. Por, sa më parë që të bëhet diagnostifikimi do të jetë më mirë.
Si ta mësosh fëmijën të flas?
Pavarësisht nëse shkaktarët e vështirësisë në të folur të fëmijës janë mjedisore apo fizike, ju mund të bëni shumë për të stimuluar zhvillimin e tij:
- Kaloni sa më shumë kohë të jetë e mundur duke folur, lexuar dhe duke kënduar me fëmijën tuaj. Sa më shumë që të pasurohet fjalori i tij, kjo do të rrisë besimin, i cili është një pjesë mjaftë e rëndësishme e komunikimit.
- Mbani kohën televizive (mediatike) në minimum. Edhe të ashtuquajturat “programe edukative ” privojnë fëmijën tuaj nga ndërveprimi me lojëra verbale dhe e bëjnë komunikim një drejtimsh.
- Nëse fëmija juaj ka tantrume të shkaktuara nga frustrimi mbi aftësitë e tij komunikuese të kufizuara, bëhuni i afërt me të dhe bisedoni për atë që ai dëshiron ose është duke u përpjekur për ta thënë.
- Këndoni këngë – Për veten dhe për fëmijën tuaj, i cili së shpejti do t’ju bashkangjitet. Këndimi është një stimul i shkëlqyer për të folurit, veçanërisht nëse përfshin rima, përsëritje të fjalëve apo fjalive dhe veprime (gjeste).
- Duartrokisni përpjekjet e fëmijës suaj për të folur, edhe nëse fjalët nuk i thonë shumë saktë, në mënyrë që të zhvilloni besimin e tij verbal.
- Jepni një koment për të vazhduar atë që jeni duke bërë, edhe nëse ai koment është vetëm sa për të thënë, në mënyrë që ta mbani aktiv në atë që po bëni.
- Lexoni libra – mund të merrni një të tillë në çantë kur ju dilni së bashku për momente të qeta në kafene, duke pritur autobusin apo duke pritur tek shkolla vëllain apo motrën etj.
- Prodhoni tinguj së bashku, si psh “quf quf treni”, nëse jeni duke luajtur me tren, etj.
Pra, para se të shqetësoni për problemin e mundshëm të fëmijës me të folurit duhet të dini se jo çdo fëmijë ka zhvillim të njëjtë, por në rast se dyshimet tuaja janë të bazuara atëherë sa më parë të kërkoni ndihmë tek profesionistët, është gjëja më e mirë që mund të bëni për fëmijën. Gjithashtu edhe pasi të jeni konsultuar me personat profesionist, siç mund të jetë psikologu, terapisti i të folurit apo audiologu dhe të jetë gjetur problemi i mundshëm i fëmijës, roli juaj është shumë i madh në zhvillimin e tij të mëtutjeshëm sa i përket zhvillimit të të folurit. Prindërit mund të ndihmojnë shumë në këtë aspekt, duke kaluar kohë efektive me fëmijët e tyre përmes aktiviteteve të ndryshme që e stimulojnë të folurit, duke mbajtur kontaktin me sy gjatë komunikimit dhe duke bërë pyetje që kërkojnë përgjigje më të gjata. Dhe ajo që është shumë me rëndësi të mos lejohet fëmija të kalojë orë të tëra para televizorit edhe telefonave “Smart/të mençur”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.