Në fokus

August 18, 2017 | 11:04

Çfarë është anoreksia nervore?

Anoreksia nervore është një çrregullim i mënyrës së të ngrënit dhe karakterizohet nga kufizimi i tepruar i ushqimit, nga një frikë e tepruar dhe e paarsyeshme për të shtuar në peshë. Ky fenomen është vënë re nëntë herë më tepër te femrat se te meshkujt. Për shkak të frikës së mbipeshës, individët me këtë çrregullim e kufizojnë sasinë e ushqimit që konsumojnë.

 

Fjala anoreksi është thjesht një term mjekësor që nënkupton mungesën e oreksit (nga greqishtja an-mohim dhe oreks-dëshirë për të ngrënë), por në rastin e anoreksisë nervore individët e prekur nga ky çrregullim nuk e humbasin oreksin e tyre. Ata vuajnë nga frika e mbipeshës, kanë një perceptim të gabuar për imazhin dhe figurën e tyre, e për rrjedhim kufizojnë ushqyerjen dhe hanë në porcione të vogla. Këta pacientë kanë një mungesë të shprehur të energjisë dhe vitalitetit të tyre.

Anoreksia nervore më shpesh e ka fillimin e saj në periudhën e adoleshencës, moshë kur fillon dhe interesimi më i madh për vetveten dhe imazhin, kjo ndodh sidomos tek femrat. Shumica e pacientëve të tillë ndjehen të uritur, por këtë e mohojnë para të tjerëve duke konsumuar porcione të vogla të ushqimit. Kaloritë mesatare që konsumon një person, i cili vuan nga anoreksia nervore luhaten midis 800-1000 kalori në ditë që është jashtëzakonisht pak në raport me kaloritë që duhen marrë normalisht. Kur arrijnë në vlera të tilla kemi të bëjmë me gjendje kritike për jetën. 

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Këta persona kanë në gjakun e tyre një nivel shumë të lartë të hormonit të urisë, megjithatë thirrja e urisë shtypet dhe injorohet prej tyre. Anoreksia nervore mund të ketë pasoja serioze nëse kohëzgjatja dhe ashpërsia e shenjave janë të shpeshta. Problemet bëhen edhe më të mëdha, nëse shenjat e para fillojnë që në adoleshencën e hershme, përpara se të arrihet pjekuria e plotë fizike dhe mentale. Komplikacionet specifike për të rinjtë përfshijnë frenimin e procesit të rritjes, humbje të rënda të peshës dhe kequshqyerje kronike. Sa më shpejt të fillojë trajtimi aq më mirë është. Steatoza hepatike (infiltrimi yndyror i mëlçisë) është një tjetër tregues i ushqyerjes tek këta pacientë. Të shpeshta janë edhe sëmundjet e zemrës, çrregullimet neurologjike e deri në vdekje mund të shkojnë, si shkalla më e lartë e dëmit që mund të shkaktojë anoreksia nervore.

Nuk është se ka të dhëna të veçanta dhe shumë specifike për këtë çrregullim, por sa më herët të ndërhyhet aq më e madhe është mundësia për ta dominuar dhe aq më efektive është përgjigja. Terapia fokusohet në tre aspekte kryesore: “Rivendosjen e një peshe të shëndetshme, trajtimi i çrregullimeve psikologjike që lidhen me këtë sëmundje, si dhe komfortin në ambientin familjar dhe social. Jo të gjithë pacientët mund të shërohen plotësisht. Rreth 20 për qind e tyre e zhvillojnë sëmundjen si një çrregullim kronik. Nëse nuk trajtohet zhvillohen komplikacione të rënda të zemrës dhe veshkave. Ushqimi është faktori më i rëndësishëm për të punuar me këta pacientë. Ushqimi duhet përshtatur sipas nevojave të gjithsecilit. Fillimisht synohet drejt një kalorazhi të ulët rreth 1000-1200 kalori në ditë për të siguruar një përshtatshmëri graduale të funksionimit të aparatit tretës. Pastaj vazhdohet me rritje graduale të kalorazhit ditor. Shumëllojshmëria e ushqimit është e rëndësishme për të siguruar jo vetëm kalorazhin e duhur, por edhe për të marrë vlerat e duhura të proteinave, karbohidrateve dhe kripërave minerale. Përsa i përket çrregullimeve nervore dhe depresionit, mjeku specialist zgjidh situatën. Rëndësi ka edhe bashkëpunimi me psikologun ose punonjësin social për të bërë një vlerësim të detajuar të historisë së sëmundjes. Familja ka një rol të madh në parandalimin dhe ushtrimin e kontrollit qysh në adoleshencë. Prindërit duhet të jenë shumë pranë fëmijëve të tyre, duhet të përpiqen të jenë miq e shokë me ta.
Në raste të tilla mund të kemi një larmishmëri shenjash dhe simptomash, ashpërsia e të cilave janë individuale për çdo rast. Kequshqyerja që rezulton nga uria e vetë-imponuar mund të shkaktojë komplikacione të rëndësishme për çdo sistem dhe organ të trupit të njeriut.

Një nga shenjat kryesore është hipokalemia (rënie e nivelit të kaliumit në gjak), gjë e cila klinikisht shoqërohet me çrregullime të ritmit të zemrës, konstipacion (kapsllëk), lodhje, dobësi muskulare që mund të shkojë deri në paraliza. Kur humbja e peshës vazhdon për një kohë të gjatë, tek gratë mund të shfaqet amenorrea (ndërprerja e ciklit menstrual), janë shumë të zbehta në fytyrë, flokët dhe lëkura bëhen të thata dhe shumë delikate.
Mund të kemi dhe çrregullime të hormonit të tiroides që shoqërohet me dhimbje koke, thatësi e lëkurës ose djersitje e tepruar (në varësi të rastit), çrregullime të ritmit të zemrës, etj.

Këta persona mund të jenë mjaft të preokupuar për ritualin e gatimit, por këta nuk e hanë ushqimin për veten e tyre. Ata mund të gatuajnë me përkushtim për familjarët e tyre dhe për vetë konsumojnë shumë pak.
Ata përdorin për veten e tyre barna laksative (barna që stimulojnë defekime të shpeshta) ose barna diuretike (barna që stimulojnë urinimin), përdorin pilula dietetike, stimulojnë të vjellat kur mendojnë se kanë ngrënë shumë (fusin gishtat në gojë) për “të hequr qafe”, kaloritë e tepërta.
Shqetësohen shumë deri në vuajtje (depresion) se kanë shtuar peshë, merren me ushtrime fizike për të larguar kilet e tepërta, etj. Pavarësisht se të tjerët u thonë se janë shumë të hollë dhe elegant, perceptimi i tyre është se janë mbipeshë, vuajnë shumë për prezantimin e tyre fizik.
Temperaturat e trupit të tyre mund të jenë të ulëta (hypothermia) si rezultat i përpjekjes së organizmit për të ruajtur energjinë. Tensioni arterial është i ulur, ritmi i zemrës mund të jetë i shpeshtuar ose i ngadalësuar (takikardi ose bradikardi). Depresioni dhe vetmia i përfshijnë shpesh. U pëlqen të qëndrojnë larg miqve dhe familjarëve. Humori është i keq.

Si rezultat i të vjellave të shpeshta kemi një fryrje të gjëndrave të pështymës (nga sforcimi) dhe fytyra merr një pamje të fryrë karakteristike. Rreth 20 për qind e rasteve kronicizohen dhe rreth 5 për qind e tyre kanë përfundim fatal, ndaj është e domosdoshme që të ndërhyhet sa më herët. Shkaku i vdekjes është kryesisht i lidhur drejtpërdrejt me efektet direkte shëndetësore nga çrregullimet e të ngrënit. Trajtimi nuk zgjidhet me “burgosje spitalore”, por e ka suksesin në bashkëpunimin e ngushtë mjek, familje, psikolog. Kjo kërkon kohë të gjatë dhe punë bindëse, një mjedis të ngrohtë familjar dhe shoqëror.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top