Shpeshherë në komunikimet e përditshme, më keq akoma edhe në median e shkruar, dëgjojmë jo rrallëherë përkufizime të paqarta apo të gabuara rreth këtij fenomeni. Çfarë është deliri (”delirium-i”)?
Deliriumi është humbje e vetëdijes dhe funksioneve njohëse për një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Simptomat kryesore të deliriumit në përgjithësi janë axhitimi apo hutimi, frika, paqëndrueshmëria emocionale, haluçinacionet, zhgënjimet dhe ndryshime ekstreme në aktivitetin psikomotor. Deliriumi shkaktohet zakonisht nga sëmundje të ndryshme mjekësore të tilla si, infeksionet sistematike, çrregullimet metabolike, sëmundjet e mëlçisë dhe të veshkave, dëmtimet traumatike të kokës, etj.
Deliriumi haset në literaturën mjekësore edhe me shumë emra të tjerë si p.sh. gjendje konfuzionale akute, psikoza toksike, encefalopatia metabolike, sindroma organike akute e trurit, etj. Deliriumi (Sinonime në gjuhën e përditshme në shqip: përçartje, kllapi ose jermi) është një sëmundje që njihet në literaturë që prej më se 2000 vitesh.
Deliriumi është një diagnozë shumë e zakonshme që ndodh në 10% deri në 15% të pacientëve në repartet mjekësore dhe kirurgjike. Kjo është zakonisht gjendje e përkohshme, për disa ditë apo javë dhe kalon me trajtim intensiv mjekësor duke trajtuar shkakun biologjik. Fatkleqësisht nga statistikat rezulton se një përqindje e lartë, afro 14% të rasteve me delirium përfundojnë me vdekje. Përqindjen më të lartë e kanë të moshuarit, zakonisht afro një e treta e pacientëve të urgjencës me moshë mbi 70 vjeç kalojnë në gjendje të ndryshme deliriumi. Pacientë të tjerë në rrezik të lartë për demencë janë ata që vuajnë nga sëmundje të sistemit nervor qendror, abuzuesit me substanca dhe personat me HIV pozitiv. Konfuzioni akut, karakterizohet nga një fillim shumë i shpejtë që shoqërohet me dëmtime të alternuara të vetëdijes, mosorientim në lidhje me kohën, vendndodhjen dhe mbi vetveten, si dhe shpesherë me keqinterpretime të perceptimit dhe ndryshime të qenësishme në funksionet mendore në përgjithësi.
Faktorë rreziku për deliriumin mund të jenë: prania e një sëmundjeje specifike të përgjithshme mjekësore apo nga përdorimi i rregullt dhe i tepruar ndaj një shumëllojshmërie substancash të ndryshme; si p.sh. barna apo substanca të tjera, si droga apo alkool. Forma e deliriumit nga alkooli quhet delirium tremens.
Fragment nga Libri “Psikopatologji’, ©2013 Sadik. H.Lala, ISBN 978-99956-24-64-4
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.