Këshilla & Arsye

November 22, 2018 | 10:42

Çfarë është dhimbja e rritjes së fëmijëve? Shkaqet dhe simptomat e saj…

Nëse shihni se fëmija juaj ankohet vazhdimisht për dhimbje në gjymtyrët e poshtëm dhe të sipërme, duhet të dini se mund të jetë dhimbje e lidhur me rritjen. Më poshtë jepet gjithçka që ju duhet të dini për dhimbjet e rritjes dhe si t’i trajtoni ato.

Dhimbjet e rritjes tek fëmijët dhe adoleshentët janë shumë të zakonshme në faza të ndryshme të zhvillimit. Ky shqetësim mund të ndikojë tek krahët, këmbët ose në pjesë të tjera të trupit dhe rezulton me një ndjesi djegieje në gjymtyrë.

Zakonisht, kjo lloj dhimbjeje shfaqet gjatë natës. Ndonjëherë ato janë aq të forta saqë e zgjojnë fëmijën ose adoleshentin. Sidoqoftë, duhet të dini se ato mund të ndihen edhe gjatë ditës. Përkundër kësaj, dhimbjet e rritjes rrallë janë aq të forta sa të pengojnë në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

Shkaku i dhimbjeve të rritjes

Sa i përket shkaqeve të dhimbjeve të rritjes, ato nuk janë saktësisht të njohura. Ka disa teori. Për shembull, shumë fëmijë që përjetojnë këto dhimbje kanë gjymtyrë jashtëzakonisht fleksibile ose këmbë të sheshta. Në shumicën e rasteve dhimbja shfaqet dhe zhduket vete, dhe është pothuajse e pamundur të dimë nëse dhe kur do të rishfaqet.

Kur fëmijët vuajnë nga këto dhimbje, zakonisht kanë nevojë për një masazh në zonën e prekur. Kjo do t’i lejojë prindërit të bëjnë dallimin mes dhimbjeve të rritjes dhe një gjendjeje më serioze që mund të ndikojë në kockat ose muskujt e fëmijës.

Në fakt, fëmijët që vuajnë nga një gjendje më serioze nuk lejojnë askënd të prekë zonën e prekur. Sidoqoftë, nëse kjo vuajtje fizike ju shqetëson shumë dhe mendoni se mund të provokohet nga diçka më serioze, mos hezitoni të kontaktoni mjekun e përgjithshëm, i cili me siguri do t’ju këshillojë më mirë.

Pasojat e dhimbjes së rritjes tek fëmijët dhe adoleshentët

Në shumicën e rasteve, dhimbjet e rritjes tek fëmijët dhe adoleshentët prekin këmbët, pulpat, pjesën e mbrapse të gjunjëve dhe kofshët. Dhe zakonisht ato ndikojnë në të dy anët e trupit. Qëndroni të qetë. Edhe nëse fëmija ndjen shumë dhimbje, kockat dhe muskujt e tij nuk kanë asnjë problem. Kjo dhimbje mund të lehtësohet me trajtime të thjeshta.

Gjithashtu duhet të mbani mend se dhimbja do bëjë punën e saj, qoftë ditën apo natën. Vuajtja zakonisht zgjat 10 deri në 30 minuta dhe janë raste të rralla kur mund të zgjasë vetëm disa minuta apo edhe orë. Sa i përket shkallës së dhimbjes, mund të jetë shumë e butë ose shumë e fortë. Dhimbjet e rritjes janë të përhershme dhe ndodhin në intervale të ditëve apo edhe muajve. Në disa fëmijë dhimbja mund të ndodhë çdo ditë.

Nëse dëshironi të lehtësoni dhimbjet e rritjes së fëmijës tuaj, gjëja e parë është padyshim që të përqafohet, ta siguroni atë dhe ta bëni të kuptojë se dhimbja do të zhduket. Në të njëjtën kohë, përmes vajzrave esencialë mund të masazhoni zonën e prekur. Kjo mund të ndihmojë në zbutjen e dhimbjes dhe ta bëjë fëmijën të ndjehet më mirë.

Simptomat e dhimbjes së rritjes tek fëmijët dhe adoleshentët

Më poshtë ilustrohen simptomat e dhimbjeve të rritjes tek fëmijët dhe adoleshentët. Nëse shihni disa prej tyre tek fëmijët tuaj, mos harroni se ky shqetësim mund të shkaktohet nga rritja karakteristike e kësaj faze të jetës së fëmijës suaj.

  • Dhimbje të muskujve në të dyja këmbët. Ato në përgjithësi ndikojnë në pulpa, në pjesën e prapme të gjurit dhe në pjesën e përparme të kofshës.
  • Kur fëmija lëviz këmbët, dhimbja as nuk përkeqësohet as nuk lehtësohet. Kjo do të thotë se nyjet nuk janë të përfshira.
  • Dhimbja shfaqet dhe zhduket, është më e keqe gjatë natës dhe bëhet pothuajse e padukshme në mëngjes.
  • Dhimbja është mjaft intensive dhe e zgjon fëmijën nga gjumi.
  • Edhe muskujt e krahëve mund të preken nga dhimbja.
  • Fëmija mund të ankohet edhe për dhimbje koke.
  • Në asnjë rast, kjo dhimbje nuk e bën të pamundur të kryejë aktivitetet normale të ditës.

Së fundi, mbani mend se shkaku i dhimbjeve të rritjes tek fëmijët dhe adoleshentët nuk është plotësisht i qartë. Në fakt, shpesh gabimisht mendohet se dhimbja është për shkak të rritjes së kockave. Në të vërtetë kockat rriten ngadalë, madje edhe gjatë periudhave të zhvillimit të përshpejtuar. Kjo rritje graduale nuk shkakton dhimbje. Disa fëmijë përjetojnë dhimbje të rritjes për disa vjet. Aspekti pozitiv është se në përgjithësi dhimbjet e rritjes tentojnë të zhduken pas adoleshencës.

 

Përgatiti: Brikela Daci | Burimi / siamomamme.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: marketing@panorama.com.al

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top