Hepatiti Viral është një inflamacion i mëlçisë shkaktuar nga infeksionet virale. Viruset tipike të hepatiteve janë A,B,C,D,E. Këto pesë lloje virusesh janë me interes të madh për shkak të potencialit të tyre për shpërthime dhe përhapje epidemike, barrës së sëmundjes dhe vdekjes që ata shkaktojnë.
Termi Hepatiti A: HAV Hepatit Viral përdoret përgjithësisht për sëmundje infektive të ngjashme për nga shenjat klinike të sëmundjes, por që dallohen nga lloji i virusit që i shkakton ato. Shkaktohet nga Virusi i Hepatitit A, i njohur si HAV (Hepatitis A Virus).Virusi gjendet shpesh në jashtëqitjet e njerëzve. Infeksioni përhapet me rrugë fekalo-orale d.m.th, infeksioni merret nëpërmjet ngrënies së ushqimeve të infektuara, pirjes së ujit apo lëngjeve të ndotura, kontaktit me persona të infektuar apo prekjes së objekteve të infektuara,kur nuk respektohen rregullat e higjienës. Periudha e fshehtë (nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e shenjave klinike) është 2 deri në 6 javë. Hepatitis A Virus ka vdekshmëri të ulët në përgjithësi, rrallë jep infeksion dhe asnjëherë nuk kronicizohet. Virusi i Hepatitit A mund të shkaktojë edhe shpërthime epidemike, sidomos në kolektiva, duke sjellë pasoja sociale dhe ekonomike.
Hepatiti B: HBV shkaktohet nga Virusi i Hepatitit B, i njohur si HBV (Hepatitis B Virus).Virusi gjendet në gjak dhe në lëngjet e trupit, si sperma apo lëngu vaginal. Infeksioni përhapet nëpërmjet disa rrugëve: kontaktit seksual të pambrojtur, nga nëna shtatzënë e infektuar tek bebja, kontaktit me gjak, transfuzioneve të gjakut apo shiringave e ageve josterile, gjatë kryerjes së procedurave invazive apo tatuazheve në kushte jo sterile. Periudha e fshehtë është 2 deri në 6 muaj. 5-10% e të sëmurëve që e kalojnë Hepatitin Viral B bëhen bartës kronikë të virusit. Gjithashtu, bartës kronikë bëhen edhe rreth 90% e bebeve të lindura nga nënat me Hepatit Viral B . Rreth 1% e infeksioneve akute me Hepatit Viral B (HBV) përparojnë mjaft shpejt në forma të rënda, të cilat quhen hepatite të rrufeshme dhe që kanë vdekshmëri të lartë deri në 60%. Bartësit kronikë kanë rrezik më të lartë për të bërë cirrozë dhe kancer të mëlçisë.
Hepatiti C: HCV shkaktohet nga Virusi i Hepatitit C, i njohur si HCV (Hepatitis C Virus). Infeksioni përhapet njëlloj si infeksioni nga Hepatiti B, pra nëpërmjet të njëjtave rrugë: kontaktit seksual të pambrojtur, nga nëna shtatzënë e infektuar te bebja, kontaktit me gjak, transfuzioneve të gjakut apo shiringave e ageve jo sterile, gjatë kryerjes së procedurave invazive apo tatuazheve në kushte josterile. Periudha e fshehtë është 6 deri në 10 javë. Hepatiti Viral C shkakton në 80% të rasteve hepatit kronik dhe 5-20% e rasteve kalojnë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë.
Hepatiti D: HDV shkaktohet nga Virusi i Hepatitit D, i njohur si HDV (Hepatitis D Virus) dhe shkakton infeksion në mëlçi, vetëm në praninë e virusit të hepatitit Viral B (bashkinfeksion).Infeksioni përhapet nëpërmjet të njëjtave rrugë si infeksioni nga Hepatiti B dhe C. Periudha e fshehtë është 3 deri në 7 javë. Kur të sëmurët me Hepatit B kronik infektohen me virusin D, sëmundja mund të përkeqësohet shpejt drejt hepatit të rrufeshëm ose cirrozës. Virusi i Hepatitit D shkakton në rreth 60 -70% të rasteve hepatite kronike dhe cirrozë të mëlçisë.
Hepatiti E: HEV shkaktohet nga Virusi i Hepatitit E, i njohur si HEV (Hepatitis E Virus). Përhapet me rrugë fekalo-orale, dhe kryesisht nëpërmjet ujit të pijshëm të ndotur. Sëmundja e shkaktuar nga Virusi E është e lehtë dhe nuk shkakton infeksion kronik, por mund të shkaktojë epidemi. Tek gratë shtatzëna, vdekshmëria nga Hepatiti E është i lartë, me rreth 10-20% të rasteve.
Burimi: Instituti i Shëndetit Publik
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.