Në fokus

March 23, 2016 | 10:31

Çfarë është morali?

Psikologe zhvillimi

Psikologe zhvillimi

Nga: Sonila Gruda

Sot, ndërsa po shëtisja në qendër të qytetit Genova-s, isha e pranishme gjatë një skene të tillë: një baba, ndoshta pasi ishte me vonesë për të shkuar në punë, po ecte dorë për dore me vogëlushin e tij, i cili ishte i një moshe të vogël, rreth pesë vjeç. Nga nxitimi babai nuk e kishte vënë re që i biri i ndiqte me vështirësi hapat dhe gati po qante, ndërsa i ati vazhdonte t’i thoshte: “ec lëviz, se jemi vonë”. Me shumë mundësi, nëse do të kishte arsyetuar vetëm për pak sekonda, babai do ta kishte kuptuar dhe do ta kishte marrë në krahë të birin, por duke qenë se ishte shumë i përqendruar te vonesa, vazhdonte që ta tërhiqte, duke e detyruar të vraponte. Ky shembull mund të na vijë më së miri në ndihmë për të kuptuar diferencën e hollë që ekziston mes etikës dhe moralit. Këto dy terma përdoren shpesh si sinonime, por në realitet nuk janë e njëjta gjë. Le të provojmë të arsyetojmë mbi shembullin tonë. Babai ka treguar një sjellje etikisht të padrejtë, moralisht të padrejtë apo të dyja? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të provojmë të kuptojmë dhe të sqarojmë se çfarë është etika? Etika është një arsyetim, një diskutim që kërkon t’i përgjigjet pyetjes se çfarë është dhe nuk është e mirë për njeriun. Etika, përmes hulumtimit dhe rrugëtimit të saj, stabilizon atë çka është e drejtë për t’u bërë. Etika është një faktor i bashkëndarë shoqërisht, domethënë në çdo shoqëri ekziston një etikë që bashkëndan shumica e njerëzve, pra është një mendim i përbashkët. Zakonisht etika vepron sipas një arsyetimi që e ka prejardhjen edhe nga traditat e shoqërisë në të cilën jetojmë dhe duke u nisur nga ajo duhen përkufizuar rregullat e një “bashkëjetese të mirë”. Në vija të përgjithshme, etika formohet përmes zakonit, domethënë përmes asaj tradite që përbëhet nga ato gjëra që kemi mësuar në vogëli dhe nga format e bindjes, edhe pse janë forma mbi të cilat, në shumicën e rasteve, nuk arsyetohet. Duke u kthyer te rasti ynë, babai ka anashkaluar ndonjë rregull të bashkëjetesës shoqërore, ka qenë etikisht jo korrekt? Le të arsyetojmë: ka shoqëruar të birin në shkollë, duke e mbajtur për dore; nuk ka përdorur tone apo sjellje tipike të “babait pronar” dhe mënyra e tij e të folurit ndaj të birit ka qenë gjithnjë me një tonalitet zëri të përshtatshëm dhe me një mënyrë të përshtatshme, kështu që në fund të fundit, do të thoja që “jo”, babai nuk ka anashkaluar asnjë rregull të bashkëjetesës shoqërore. Megjithatë, diçka na tingëllon e gabuar. Për ta kuptuar më mirë, jemi të detyruar të përdorim konceptin e moralit. Termi vjen nga latinishtja “mos-moris” do të thotë gjithnjë zakon, ashtu siç “ethos” në greqisht, por zakonisht përdoret për t’iu referuar veprimeve dhe ndërgjegjes vetjake. Problemi në shembullin tonë është më shumë moral se sa etik. Është një sjellje korrekte ajo që babai për të mos u vonuar, ta bëjë të birin të ecë aq shpejt, aq sa mezi ia del? Jo, nuk është një sjellje korrekte, edhe pse nuk ka anashkaluar asnjë rregull të bashkëjetesës shoqërore dhe, aq më pak, ndonjë ligj (që do të duhej të rridhte nga etika), ndërgjegjja dhe arsyetimi i tij mbi atë që po bënte, do të duhej t’i bënte të kuptonte se duhej të ngadalësonte hapat ose ta merrte në krahë të birin. Etika dhe morali kanë lidhje të ngushtë. Një nga filozofët më të mëdhenj që ka thelluar këto terma, Immanuele Kant, e përkufizon njeriun si një dru të shrembër, si diçka që nuk mund të drejtohet komplet dhe të bëhet krejtësisht i moralshëm, domethënë të ketë gjithmonë aftësinë për të zgjedhur të mirën. Ekziston gjithmonë mundësia e së keqes. Le të ndjekim edhe një herë rrugëtimin nga etika te morali, duke i dhënë një sqarim teorik për t’i kuptuar më mirë dy konceptet. Etika është një arsyetim që bën shoqëria në tërësinë e saj për të kuptuar atë çka është dhe nuk është e drejtë, atë që mund të përkufizohet si diçka e mirë dhe atë që nuk mund të bëhet pjesë e kësaj kategorie. Është e rëndësishme të kuptojmë që në këtë fazë, etika nuk është një bashkësi rregullash të pandryshueshme, por shoqëria, në tërësinë e saj, duhet të përmbushë një rrugëtim. Nëse nuk e bën etika, rrezikon të kthehet vetëm në një etikë traditë: është e drejtë, pasi është vepruar gjithmonë në mënyrë të tillë. Është diçka që duhet të përmirësojë realizimin e individëve, në një kohë dhe në një shoqëri të caktuar, siç do të thoshin disa filozofë, humanizmin e tyre. Etika dhe morali ecin gjithnjë së bashku: rregullat, të cilat përpunohen nga vetë ne me bindje ose duke dëgjuar atë çka tradita na ka transmetuar, në momentet kur tradita nuk na shërben, kur ndodhemi përballë problemeve të reja, do të na vijë në ndihmë ajo që ne e quajmë “zëri i ndërgjegjes”. Etika favorizon lirinë, nuk e ndrydh, në këtë mënyrë duke ecur njëra krah tjetrës, morali dhe etika zhvillohen, duke sjellë një progres të vërtetë. Morali dhe etika respektivisht na mësojnë kriteret e zgjedhjes, pasi është e vërtetë që ne jemi gjithmonë të rinj, çdo vendim na ndryshon dhe mund të ndryshojë të tjerët, por gjithashtu e vërtetë që etika është e përb- ërë nga pengime, diçka që duket se është në kundërshtim me lirinë. Në gërshetimin e gjithë këtyre faktorëve, zhvillohet progresi i vërtetë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top