Studimet e shumta kanë treguar se kur vjen puna tek çështjet e zemrës gjinia ka shumë rëndësi. Një shembull për këtë është edhe problemi i sindromës së zemrës së thyer, që u përshkrua për herë të parë në vitin 1990 në Japoni. Më shumë se 90% e rasteve të raportuara janë tek gratë e moshës 58 – 75 vjeç. Studimet sugjerojnë se 5% e femrave të dyshuara se kanë atak në zemër, në fakt kanë këtë problem. Shumica e njerëzve përmirësohen pa pësuar ndonjë dëmtim afatgjatë.
Karakteristikat e sindromës së zemrës së thyer:
- Dhimbje në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje pas një stresi të rëndë (emocional apo fizik).
- Parregullsi në elektrokardiogramë që imitojnë ato të një ataku në zemër.
- Nuk ka prova të një bllokimi të arterieve koronare.
- Parregullsi në lëvizjet e ventrikulës (barkushes) së majtë.
- Fryrje e ventrikulës së majtë.
- Rimëkëmbje brenda një muaji
Çfarë është sindroma e zemrës së thyer?
Sindroma e zemrës së thyer është një dobësim i ventrikulës së majtë, dhomës kryesore pompuese të zemrës, zakonisht ndodh si rezultat i një stresi të rëndë fizik apo emocional, për shkak të një sëmundjeje të papritur, për shkak të humbjes së një njeriu të afërt, një aksident serioz, apo një fatkeqësi natyrore si p.sh. një tërmet.
Kjo është arsyeja se pse ky problem quhet edhe kardiomiopatia e shkaktuar nga stresi, apo sindroma e zemrës së thyer. Simptomat kryesore janë dhimbja në kraharor dhe vështirësia në frymëmarrje.
Shkaqet që lidhen me sindromën e zemrës së thyer:
- Rënie e papritur e tensionit të gjakut
- Sëmundje serioze, ndërhyrje kirurgjikale, apo procedurë mjekësore
- Dhimbje e rëndë
- Dhunë
- Krizë astme
- Marrja e lajmeve të këqija (si p.sh. një diagnozë kanceri)
- Aksident me makinë apo ndonjë lloj tjetër aksidenti
- Humbje e papritur, sëmundje apo lëndim i një njeriu të afërt, shoku apo kafshë shtëpiake
- Një zënkë e rëndë
- Humbje financiare
- Frikë intence
- E folura në publik
- Një festë surprizë apo surprizë tjetër e papritur
Shkaku i saktë nuk dihet, por ekspertët mendojnë se rritja e hormoneve të stresit (p.sh. adrenalina), në thelb, “trullos” zemrën, duke shkaktuar ndryshime në qelizat e muskujve të zemrës apo enët koronare të gjakut (ose të dyja) që pengojnë kontraktimin në mënyrën e duhur të ventrikulës së majtë. Sindroma e zemrës së thyer ndodh më shpesh tek femrat se sa në meshkuj, sidomos pas menopauzës.
Burimi / shendeti.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.