Kohët e fundit, fjala “stres” po përdoret gjithnjë e më shumë nga njerëzit. Nëse do të bënim një përkufizim për stresin, ai përmbledh: mënyrën se si reagon trupi dhe mendja jonë nga stimujt e jashtëm fizikë, mendorë dhe emocionalë. Stresi mund të zhvillohet në situata dhe eksperienca të këqija, por edhe për shkak të ndodhive pozitive. Kur njerëzit ndihen të stresuar, në trupin tonë zhvillohet një proces kimik që çlirohet direkt në gjak. Diskutimi për stresin lidhet me shkaqet e shumta që e shkaktojnë atë, siç janë:
“Stres për mbijetesë”, kur njeriu reagon fizikisht për t’u vetëmbrojtur nga një stimul i rrezikshëm që ju frikëson dhe kërcënon, siç është një plaçkitje, rrëmbim etj.
“Stres i brendshëm”, kur ndihemi të shqetësuar për gjëra që nuk jemi në gjendje t’i realizojmë dhe në këtë rast vetë personi është shkaktar i lindjes së stresit.
“Stresi mjedisor”, që shkaktohet nga mjedisi social, si zhurmat, njerëzit, presioni në punë etj.
“Lodhja dhe mbingarkesa në punë”, që shkakton lodhje fizike nga puna e vështirë, shkolla etj. Ndodh atëherë kur jemi të paaftë të menaxhojmë kohën dhe intensitetin e detyrave që na ngarkohen.
Burimet e stresit dhe mënyra se si ne reagojmë ndaj tij janë: fizike (një zjarr, aksident apo diçka e rrezikshme), si dhe emocionale (një mërzitje apo ngjarje familjare, pune të pakëndshme etj). Një njeri mund preket nga gjendja e stresit nëse këto situata apo ngjarje i shkaktojnë atij mërzitje, frustrim, nervozizëm dhe ankth. Të identifikosh arsyen që ka shkaktuar gjendjen e stresit tek ju, është hapi i parë dhe i rëndësishëm për ta trajtuar atë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.