Çfarë është tërheqja mendore dhe pse mund të jetë më magjepsëse sesa ajo fizike? Kur dy njerëz ndjehen të tërhequr fizikisht ata e perceptojnë atë pothuajse menjëherë sepse shfaqen: të dridhura, flutura në stomak, këmbët që se mbajnë, takikardi.
Ndryshe nga tërheqja fizike, tërheqja mendore përgatitet për marrëdhënie më të thella, autentike dhe të kënaqshme. Prandaj kjo lloj tërheqjeje është e rëndësishëm në jetën e secilit prej nesh.
Sigurisht, tërheqja mendore dhe tërheqja fizike mund të bashkëjetojnë. Ose më mirë, kur ju jeni tërhequr mendërisht nga dikush, është shumë e lehtë që të keni dhe tërheqje fizike .
Shpirtra binjakë?
Kur bëhet fjalë për tërheqjen mendore, na vijnë në mendje shumë shembuj letrar. Ne mendojmë për “prirjet zgjedhore” të Goethe, por edhe për ligjin e tërheqjes dhe sinkronizmit të ngjarjeve të Jungut . Ky i fundit, lidh dëshirat e pavetëdijshme që në disa zgjedhje bëhen të vetëdijshme, duke iu afruar njerëzve që i ndjen “të ngjashëm”.
Në realitet, tërheqja mendore duket të jetë diçka më konkrete dhe më e thjeshtë. Kjo do të thotë se shpirtrat binjakë nuk janë të tillë për arsye të mbinatyrshme por për një zgjedhje reale për të qëndruar afër dhe për të ndarë atë që ndjen.
Reciprocitet
Tërheqja mendore nuk është vetëm një pyetje në kokë, por është një seri emocionesh intensive, madje më të fuqishme se ato që përjetohen gjatë tërheqjes fizike. Një marrëdhënie e lindur nga tërheqja mendore është një marrëdhënie e gëzueshme dhe e qëndrueshme.
Një nga karakteristikat kryesore të tërheqjes mendore është reciprociteti: të dyja palët e vlerësojnë njëri-tjetrin. Ky lloj shkëmbimi reciprok gjeneron eufori dhe eksitim, më shumë se dridhjet e një tërheqjeje fizike.
Jo domosdoshmërisht duhet të jeni të njëjtë
Tërheqja mendore tenton të gjenerohet mes dy njerëzve që kanë interesa, qëllime dhe vlera të përbashkëta. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë dallime apo divergjenca mendimi për disa gjëra, madje edhe në gjëra të rëndësishme.
Ajo që është gjithmonë e njëjtë është interesi për mendimin dhe pikëpamjen e tjetrit që ne e konsiderojmë të vlefshëm pavarësisht se duhet marrë më pak në konsideratë.
Në tërheqjen mendore, dallimet rriten dhe bëhen mënyra për t’u pasuruar, për të mësuar dhe për t’u sfiduar pozitivisht. Kush na tërheq mendërisht, na bën të ndihemi mirë dhe të gjallë . Perceptimi është se tjetri na pranon për atë që ne jemi, i cili është i lumtur me përparimin dhe arritjet tona. Prandaj, një tërheqje e shëndetshme është çelësi për një marrëdhënie shumë pozitive.
Përgatiti: Brikela Daci / Burimi / http://www.donnamoderna.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.