Gjithkush e ka aftësinë për të qenë një person kreativ. Njerëzit kreativ nuk lindin të tillë, ata punojnë shumë për të përsosur talentin e tyre.
Çfarë i dallon njerëzit kreativë nga të tjerët?
Imagjinata
Kërkimet tregojnë se njerëzit kanë nevojë të krijojnë lidhje me rrjedhën e brendshme të vetëdijes. Ju duhet të mendoni rreth dëshirave të së ardhmes, të imagjinoni veten në të ardhmen, si dhe të mendoni për çështjet e pazgjidhura që kanë nevojë për vendimet tuaja. Nëse nuk krijojmë kontakt me mendimet tona të thella, atëherë nuk arrijmë të kuptojmë shkaqet e sjelljes aktuale dhe nuk mendojmë sesi duhet ta përdorim eksperiencën e të tashmes për më mirë.
Shkencëtarët kanë treguar se “ëndrrat me sy hapur” ose endja e mendjes, mund të ofrojë kushte të duhura për rritje të kreativitetit, vigjilencë, planifikim të së ardhmes, reflektim dhe madje edhe dhembshuri.
Herën tjetër që do të punoni mbi një projekt kreativ ose në një detyrë, çdo pesë minuta të një ore punë bëni pushim për të hamendësuar dhe për të parë se si i prek kjo idetë dhe mendimin tuaj. Gjatë pushimit, bëni diçka që e lejon mendjen tuaj të funksionojë lirshëm, si për shembull ecni, pastroni ose shkarravisni më kot.
Vetmia
Përqendrimi total mbi një çështje në vetmi është një nga mënyrat më të mira që na ndihmon të nxjerrim në pah anën tonë më kreative, sepse sa herë që dikush na ndërpret, na duhen disa minuta për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme.
Por, vetmia nuk lidhet vetëm me shmangien e shpërqendrimeve. Ajo i jep kohë dhe hapësirë mendjes të reflektojë mbi ide të reja. Njerëzit kreativë vazhdimisht kërkojnë të rrinë vetëm për të prodhuar ide interesante dhe pastaj kërkojnë bashkëpunim për t’i bërë këto ide një koncept solid ose një produkt.
Përqendrimi
Nëse jeni të përqendruar dhe vigjilentë në atë që bëni çdo ditë, kjo do t’ju pajisë me një fuqi të re mendore që do t’jua bëjë më të bukur jetën. Shkrimtarët e mëdhenj vëzhgonin gjithçka dhe ishin në gjendje t’i përshkruanin ato në librat e tyre.
Përveç të jetuarit të çdo momenti, krijimtaria optimale vjen si nga vëzhgimi dhe përqendrimi ashtu edhe nga zhytja në mendime dhe aftësia për të kaluar nga njëra në tjetrën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.