Marrëdhënie

June 14, 2016 | 8:36

Çfarë mban peng konfliktin në një lidhje?

Albana

Ajo: “Nuk arrij të kuptoj, dukesh kaq i qetë në marrjen e vendimeve të rëndësishme, sikur nuk do të jesh përgjegjës për pasojat… Nuk je i pranishëm kur kam nevojë; kam nevojë për një njeri që më mbështet mua dhe fëmijët, për një shok, për një baba. Jo gjithmonë ti më jep siguri. Ndonjëherë nuk di a të njoh?! …Nuk… Nuk”.

Ai: “Sikur të mos më kritikoje për çdo gjë që bëj, më kritikon dhe për ato që nuk bëj. Çdo gjë që bëj apo nuk bëj është gabim. Më bërtet në sy të fëmijëve. Nuk jam i pranishëm gjithmonë, kjo sepse punoj, ti e di, unë përpiqem që të mos ju mungojë gjë. Ndonjëherë nuk di se çfarë kërkon?! Sikur të mund… Sikur”.

A keni qenë pjesë e ndonjë mosmarrëveshjeje apo keqkuptimi me bashkëshortin, partnerin apo të dashurin tuaj? Nëse do të ishit vërtet i sinqertë, përgjigjja juaj do ish padyshim “PO”. Kjo, sepse konflikti në lidhje është i paevitueshëm, edhe kur lidhja në plan të parë duket e shëndetshme. Ndoshta konflikti juaj nuk i ngjason të mësipërmit, gjithsesi, kur flasim për konfliktin midis dy individëve të tërhequr nga njëri-tjetri, të cilët bashkëjetojnë, e sidomos në një lidhje martesore për të cilën kanë një pakt, pasiguria se kjo lidhje mund të çojë në mosfunksionim të saj lind natyrshëm te individët e përfshirë në të. Terapistët familjarë sugjerojnë se çelësi i suksesit në një martesë është mënyra se si çifti menaxhon konfliktin.

Pse çifti shkon në konflikt?

Konfliktet mund të nisin nga një darkë së bashku e deri nga një abuzim ekstrem. Familjet në shoqëritë në posttranzicion kalojnë vështirësi nga më të ndryshmet me karakter ekonomik e social. Së pari, mundësia ekonomike është vlerësuar si burimi më i ndjeshëm që çon në konflikt një çift, pavarësisht ku jeton ai. Me mundësi ekonomike nuk përjashtoj të tjera probleme sociale si papunësia apo pasiguria për vendin e punës, pamundësia për të blerë një shtëpi, etj. Së dyti, në një shoqëri kolektiviste, familja e madhe e partnerëve është më shumë prezent në jetën e çiftit se në një shoqëri individualiste. Së treti, rritja e fëmijëve është një tjetër çështje që do të inkurajonte argumentin te çiftet, mënyra se si ata janë rritur dhe pritshmëritë që kanë nga njëritjetri për rolin që përfaqësojnë në martesën e tyre. Këto, por dhe shumë tematika të tjera, lidhen ngushtë dhe përbëjnë burimin nga dhe stimulohen konfliktet në çift. Si mendoni ju, të dashur lexues? Si do mund të zgjidheshin çështjet që lidhen me argumentet e mësipërme? Pak më lart përmenda menaxhimin e konfliktit. Çfarë dua të them me menaxhimin e konfliktit në një lidhje? Për të qenë realist, vetë konfliktet nuk është se janë negative. Mbase për shumë nga ju do të ish e habitshme, por vetë Bibla vlerëson konfliktet si një mundësi për të rritur durimin tonë. Kur ne jemi të duruar, kjo do të thotë se rritemi. Ajo çka i bën ato negative është mënyra se si ne reagojmë me to. Të nisësh, menaxhosh apo të zgjidhësh një konflikt, i gjithë procesi lidhet ngushtë me dyshimet dhe sfidat e jetës bashkë, të cilat më pas komunikohen. Pra, besimi dhe komunikimi si dy dritare prej të cilave përcillet drita e zgjidhjes. Komunikimi rreth interesimit që duhet të tregojnë të dy partnerët për të identifikuar problemin, për të bërë pyetje, për të kuptuar ndjesitë, domethëniet dhe eksperiencat e njëri-tjetrit, për të dhënë argumente bindëse, për të pranuar gabimet dhe pranuar falje, për të komunikuar paqe dhe për të mësuar nga konflikti dhe menaxhimi i tij. Gatishmëria për të zgjidhur konfliktin me sukses do të rezultonte në një zgjidhje dhe më mature të një konflikti, i cili do të lindë sërish, duke mënjanuar vendimet ekstreme që do të cenonin integritetin e lidhjes. Teori të ndryshme rreth konfliktit në një lidhje inkurajojnë komunikim përgjatë çdo çështje që do të përshkallëzohej në konflikt midis çiftit. Një komunikim i hapur, i sinqertë, konstruktiv e në interes të lidhjes do e ndihmonte çiftin që të rritej së bashku në martesën apo bashkëjetesën e tyre. Për më tepër, ndërsa ne komunikojmë çdo ditë për situatat, ndjenjat, emocionet tona me njëri-tjetrin, komunikimi në këtë rast luan dhe rol ndërtues të besimit dhe respektit që çifti duhet të manifestojë në marrëdhënie. Për ta mbyllur, e rëndësishme është të kuptohet se, nëse konflikti nuk zgjidhet, aspektet pozitive të një lidhjeje për rrjedhojë do të shuheshin. Në çdo konflikt ku ne përfshihemi, jemi gjithmonë përpara zgjedhjes për të biseduar në një mënyrë konstruktive e jo poshtëruese ndaj njëri-tjetrit. Edhe pse disa konflikte janë të pashmangshëm, është kritike që partnerët të menaxhojnë ndryshimet në komunikim edhe në diskutimet konstruktive, në funksion të një lidhjeje, martese të shëndetshme dhe afatgjatë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top