Kam qenë një nxënëse dhe më pas një studente e notës dhjetë. Mendova se nëse ndjek recetën e suksesit, ashtu siç ajo më është prezantuar në shkollë, jeta ime do të jetë e mbushur me realizime. Vetëm se, ndonjëherë, realiteti është shumë i ndryshëm nga ajo çfarë mësojmë në shkollë. Pas 18 vjet studimesh dhe 6 të tjera dedikuar një “karriere të suksesshme”, kam kuptuar se ajo çka po bëj çdo ditë nuk më sjell asnjë kënaqësi, se nuk po përparoj dhe se nuk kam ide për çfarë kam dhunti në të vërtetë. I kisha mësuar shumë mirë ato mësime, veçanërisht ato “të pathëna” ose “të pashkruara” në ndonjë libër. Nuk dua të më keqkuptoni. Gjatë periudhës së shkollës mësojmë shumë gjëra të dobishme, por fitojmë edhe disa zakone të panevojshme nga të cilat duhet të heqim dorë nëse duam të mbijetojmë dhe t’ia dalim në jetën reale. Afër të tridhjetave, pas një vrapi të pandalshëm në kërkim të vetvetes dhe një dorëheqjeje të pajustifikueshme për familjen time, kthej kokën mbrapa tek ato 9 gjëra të cilat i mësova në shkollë: ato, jo vetëm që nuk aplikohen në jetën reale, por të pengojnë të jetosh një jetë të suksesshme.
Çfarë mësojmë në shkollë?
Vlerësimi yt është nota e shënuar në regjistër dhe vetëm çfarë është shkruar ka rëndësi. Kur them “vlerësim”, mendoj kapacitetin tënd për të krijuar një të ardhme brilante. Që të vegjël e lidhim procesin e të mësuarit me provimet semestrale ose vjetore. Në nënndërgjegje na fiksohet ideja se, nëse nuk na verifikon dikush, nuk ka kuptim të mësojmë. Por jeta nuk na vë në provim me data të caktuara. Asnjeri nuk shënon në regjistër sa i aftë je të rritësh një fëmijë, të gatuash ose të ndryshosh botën falë dhuntive që ke.
Kam marrë një notë të ulët, është një fatkeqësi
Më kujtohet se nuk më zinte gjumi gjithë natën përpara provimeve të rëndësishme. Nëse nuk ia dal dhe i zhgënjej prindërit e mësuesit, nëse marr një notë të ulët, e cila më ul shanset dhe nuk më siguron hyrjen në një vend për të cilin më thanë se të siguron të ardhmen? Frika nga dështimi çon në humbjen e vetëbesimit. Në jetën reale, dështimet janë “shtylla” nga ku ti je i/e detyruar t’ia nisësh nga e para. Nëse mësojmë që në fëmijëri se nuk duhet të dështosh, a do të jemi të aftë t’i tejkalojmë pengesat e jetës?! Do mund të shikojmë provokimet si mundësitë?
Të respektosh rregullat është njësoj si të kesh nota maksimale
Zakonisht në shkollë të thuhet çfarë duhet të bësh: çfarë duhet të lexosh, çfarë ushtrimesh të bësh. Mësuesit dhe ata të cilët janë pjesë e bordit drejtues kanë gjithmonë të drejtë, për më tepër se çfarë shkruhet në libra është e pakontestueshme. Në këtë mënyrë, jemi thjesht spektatorë në edukimin tonë. Ulesha përherë në bankën e parë sepse isha e heshtur. Ata të cilët nuk i përshtateshin këtij “formati”, ata me nota të ulëta për sjellje, uleshin në fund të klasës dhe përjashtoheshin nga aktivitetet në grup, madje ndëshkoheshin të rrinin në klasë gjatë orareve të pushimit. Në jetën reale nuk të ndihmon fare të jesh “i dëgjueshëm”. Nëse do të zhvillohesh është e udhës të ndërmarrësh iniciativa, të bësh pyetje, të mendosh vetë, të dyshosh për atë që të thonë, pavarësisht se kjo do të thotë të jesh nxënësi i bankës së fundit, si fillim. Guxo të heqësh dorë nga udhëzimet e imponuara dhe të jesh për notën 11, kur maksimumi është 10. Dhe jo për të tjerët, por për veten. Më e mira është të punosh për veten tënde dhe gara reale është e vetmja rrugë për të marrë nota maksimale. Kemi qenë të mësuar ta mbajmë vetëm për vete fletën e provimit, për të mos i lënë asnjë mundësi kolegut që të kopjojë nga ne. Detyrat dhe provimet i bënim vetë dhe fakti që një koleg klase merrte notë më të lartë dhe ai kthehej në çast shembull për të tjerët, do të na shërbente si motivim (shtysë). Gara është e pashmangshme në jetën reale dhe është shumë e fortë, por në momentin kur matesh me një person tjetër ose me një nivel zhvillimi të cilin do ta kalosh, ku janë avantazhet? Në jetë nuk mund të realizosh çdo gjë vetëm, përfshirë familjen, tregtinë ose probleme të komplikuara. Në një pikë të caktuar, nuk ia del dot. Nëse bën pjesë në një skuadër do të ndihesh i motivuar, shikon zgjedhje kudo dhe, në fund, rezultatet nuk vonojnë. Shkolla duhet të inkurajojë komunikim dhe kritika të shëndetshme, e kështu do të ekzistojnë më shumë shanse për jetën pas shkollës.
Ka vetëm dy zgjedhje: A ose B, korrekt ose gabuar, bardh ose zi
Përgjigjja që japim në shkollë është e saktë apo jo. Kjo gjë vjen e konfirmuar nga mësuesi. Sa më shumë përgjigje të sakta të japim, aq më shumë gëzojmë vlerësimin e mësuesve dhe kolegëve. Në jetën reale, kjo rezulton bllokuese, sepse, shpeshherë, nuk ka vetëm një përgjigje të saktë. Ka më shumë variante si mund t’i kapërcejmë situatat e vështira, dhe ne jemi të paaftë ta bëjmë sepse tentojmë “zgjedhjen e përkryer”. E rëndësishme është të eksperimentojmë, të gabojmë dhe të zhvillohemi, sepse idealja nuk ekziston. Pushimet janë të mrekullueshme dhe i presim me padurim, për më tepër kur shkolla bëhet e bezdisshme. Mësojmë që fëmijë se puna dhe zbavitja nuk shkojnë bashkë. Se është normale që pasioni të lihet jashtë detyrimeve. Dhe atëherë habitemi se janë shumë ata, të cilët janë në kërkim të identitetit të tyre dhe guxojnë të jenë vetvetja vetëm jashtë orarit të punës. Si të rritur, fillojmë ta organizojmë jetën rreth këtyre çasteve: fundjavat dhe pushimet. Por jeta mund të ketë edhe një ngjyrë tjetër: të ndihesh mirë në aktivitetin që po kryen, pavarësisht në është e hënë apo e premte.
Qëllimi i shkollës është të të përgatisë për karrierën e ardhshme
Kam ndjerë direkt mbi lëkurën time se ajo çfarë ndodh në një vend pune s’ka shumë të bëjë me atë çfarë ke mësuar në shkollë. Është normale të dish të shkruash korrekt dhe të mund të bësh llogari të thjeshta pa pasur nevojë për makinë llogaritëse, por shkolla na përgatit për të qenë nëpunës të ditur. Nuk mësojmë të kemi besim në vetvete, të komunikojmë me lehtësi ose të jemi krijues, inovatorë. Varet nga ty të mësosh të jesh më shumë se kaq.
Rruga më e thjeshtë drejt suksesit – universiteti
Ndoshta në kohën e prindërve tanë ky ishte një element që ndante njerëzit e suksesshëm nga ata “të zakonshëm”. Mund të kesh qenë e para nga fisi që shkonte ne universitet dhe pritshmëritë ishin të larta. Disa ende pyesin veten pse s’kanë marrë atë që meritonin, sepse kanë mbaruar një universitet të njohur, madje edhe disa specializime post-universitare. Disa nuk e bëjmë më. Kanë mësuar se nuk arrin të dallohesh falë një diplome. Vlera jote nuk mund të matet me një copë letër.
Edukimi është fryti i studimeve dhe nuk vazhdon kur ato mbarojnë
Jetojmë në botën e informacionit. Aktualisht informacioni gjendet gjithandej, nëse të nevojitet dhe di ta kërkosh. Mjafton një “klik”. Interneti ka hapur rrugën për akses ndaj burimeve të pashtershme të edukimit. Çdo gjë që do të dish është e mundur. Kështu që nuk është më e nevojshme, si 10-20 vite përpara, të shkosh detyrimisht në shkollë për të marrë njohuritë. Fatkeqësisht ekziston ende mentaliteti se pas diplomimit nuk është më e detyrueshme të lexosh dhe të informohesh. Lajmi i mirë është se ata të cilët e besojnë këtë gjë, janë çdo ditë më të paktë. Nuk ka rëndësi çfarë po bën në këtë çast, por mos ndalo të mësosh vazhdimisht dhe të heqësh dorë nga zakonet e këqija të cilat të mbajnë në vend. Kjo është e vetmja rrugë për t’u zhvilluar personalisht dhe më pas për t’i ndihmuar ata që të rrethojnë. Vetëm në këtë mënyrë mund ta ndryshosh botën: duke filluar nga vetja!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.