Marrëdhënie

March 2, 2019 | 8:40

Çfarë ndodh në trup dhe tru kur vuajmë për dashuri?

Vetëm kush ka vuajtur për dashuri, e di se sa e fortë është dhimbja që ndjen në ato momente. Bëhet fjalë për një vuajtje që përfshin të gjithë qenien tonë, në trup dhe shpirt. Na pengon të mendojmë, të hamë, të jetojmë jetën tonë. Po, pse vuajmë aq shumë?

Shkenca ka hetuar mbi atë që ndodh në organizmin tonë dhe ka zbuluar disa mekanizma që aktivizohen kur jeta jonë dashurore thërrmohet: gjithë keqardhja që derivon, i ka rrënjët shumë thellë në trurin tonë dhe duket e lidhur me dinamikën e trupit dhe trurit.

Nuk njohim më veten – Papritur ndihemi të ndryshuar në thellësinë e qenies sonë. Bëhemi të zymtë, ankthiozë, depresivë, apo gërnjarë dhe të bezdisshëm. E gjejmë veten duke u përballur me gjendje shpirtërore që nuk janë tonat, si zemërimi, vullneti për hakmarrje dhe rënia e vetëvlerësimit. Ndjejmë kënaqësi nëse torturojmë ish-in me mesazhe dhe telefonata, apo shtyhemi të lëshojmë vrer mbi të në rrjetet sociale.

Në fakt, nuk jemi të parët, ndaj është e rëndësishme t’i shfaqim ndjenjat, por duke u përpjekur të mos dalim nga sfera private. Strategjia më e mirë për të shpëtuar nga kjo torturë shpirtërore është t’ia lëmë në dorë kohës dhe të gjejmë arsyet për të ndërruar faqe dhe për të ecur para.

Ndërkohë truri punon – Çfarë ndodh me trurin tonë kur vuajmë për dashuri? Dy shkencëtare amerikane, antropologia dhe psikologia Helen Fisher dhe neuroshkencëtarja Lucy Broën kanë studiuar mbi këtë çështje për të gjetur një përgjigje.

Një grup prej 15 vullnetarësh rreth 20 vjeç iu nënshtruan një rezonance magnetike funksionale, të gjithë të trishtuar nga fundi i një marrëdhënie sentimentale, e cila ka zgjatur më shumë se 20 muaj, shkencëtaret vunë re aktivitet më të lartë në VTA, një zonë e trurit në të cilën zhvillohen emocionet e lidhura me dashurinë dhe kënaqësinë seksuale, përgjegjëse edhe për ndjesinë e kënaqësisë nga ushqimi. VTA-ja lëshon edhe dopaminën, e cila gjeneron ndjesinë e mirëqenies.

Hipoteza e Fisherit është se në fillim të ‘dashurisë romantike’ ka një ndjesi të ‘varësisë së thellë’ e evidentuar nga këto zona të trurit. Në këtë rast, dashuria inskenon mekanizma të ngjashëm me ato të një droge dhe kjo shpjegon përse dashuria është aq e vështirë të kontrollohet dhe përse gjeneron ndjesi frustrimi shumë të thellë, kur raporti përfundon.

Çështje mbijetese – Fakti që nga dashuria varet një funksion aq thelbësor siç është riprodhimi, shpjegon përse natyra vuri mekanizma aq të thella për të mbrojtur lidhjen dhe tërheqjen mes burrit dhe gruas. Bëhet fjalë për një instinkt që i ka rrënjët në llojin tonë prej miliona vitesh, siç është riprodhimi.

Vuan edhe trupi – Dhimbja për dashuri nuk prek vetëm trurin dhe shpirtin, por reagon në mënyrë agresive edhe tek trupi. Vuajtja nga dashuria, manifestohet përmes dhimbjes fizike, me një sërë ndjesish tipike: ndjesia se keni një plagë në zemër apo në mes të gjoksit, dhimbje stomaku, pagjumësi, ankth, mungesë oreksi, ndjesi boshllëku dhe shumë më tepër. Kjo ndodh sepse sistemi nervor qendror përpunon në të njëjtën mënyrë dhimbjen fizike dhe atë psikologjike. Dhimbja për dashuri mund të dobësojë edhe sistemin imunitar.

Në çdo rast, shton prodhimin e hormonit të stresit, i dëmshëm për shëndetin e muskulit kardiak. Ekziston madje një sindromë e vërtetë klinike, e quajtur “sindroma e zemrës së thyer” apo, e cila në raste fatmirësisht të rralla, mund të çojë edhe në vdekje.

Si ta kuroni sëmundjen për dashuri – Duke qenë se sëmundja e dashurisë shkaktohet nga nivelet e larta të stresit dhe nga nivele të ulëta të hormoneve të mirëqenies, sidomos të dopaminës, një mënyrë efikase për të ndjerë lehtësim është t’i dedikohesh aktiviteteve, të cilat janë në gjendje për ta korrigjuar këtë çekuilibër biokimik.

Arma më efikase është ajo e aktiviteteve fizike aerobike, të cilat stimulojnë prodhimin e serotoninës dhe endorfinës, duke ulur kortizolin dhe duke lehtësuar shqetësimet fizike. Duhet t’i thoni ‘po’ edhe gjërave dhe eksperiencave të reja. Mund të jetë e dobishme edhe të ndërprisni marrëdhëniet me çdo gjë që ju kujton dashurinë e humbur. Me kalimin e kohës, zonat e trurit tentojnë të rifreskojnë ekuilibrin e tyre dhe të njëjtat mekanizma që na kanë bërë të vuajmë, shtyhen të shohin përpara.

 

 

 

Burimi / www.tgcom24.mediaset.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top