Maria Rita Parsi Psikologe dhe psikoterapeute, autore e librit “I brishtë si një burrë”
Babai është ai që e shoqëron fëmijën në shkollën e jetës.
Roli i tij harmonizohet me atë të nënës: nëna e strehon fëmijën në gjirin e saj dhe e ushqen, babai i pret kordonin ombelikal dhe i lejon të bëhet autonom.
A janë të vetëdijshëm burrat për këtë?
Ka të ngjarë jo krejtësisht. Pak prej tyre e dinë se të rrisësh një fëmijë është akti më i fuqishëm dhe krijues në jetën e çdo qenieje humane. Burrat e fuqishëm nuk janë të tillë sepse udhëheqin firma të mëdha ose vendosin për fatet e planetit, por sepse edukojnë dhe ndihmojnë fëmijët në rrugën e tyre të jetës.
“Jam shtatzënë”. Çfarë ndodh në kokën e një burri kur e dëgjon një shprehje të tillë?
Në përgjithësi, gjatë shtatzënisë askush nuk e merr në konsideratë atë që ndodh me babanë. Por, që nga konceptimi e deri në lindjen e fëmijës edhe burrat përshkojnë një rrugë shndërrimesh të mëdha. Rijetojnë në mënyrë të pandërgjegjshme kohën kur kanë qenë në gjirin e nënës së tyre. Mjaft të mendojmë se çfarë ndodhte në tributë primitive: burrat që janë në pritje të shndërrimit në baballarë, stimulonin dhimbjet e lindjes së të shoqes. Kjo psikodramë e jashtëzakonshme quhet sindroma e ngrohjes së vezëve.
Kur një burrë bëhet baba? Kur zbulon se e shoqja është shtatzënë apo kur merr në krahë për herë të parë fëmijën?
Çdo burrë ka një histori të tijën. Shndërrimi në baba ka pak të bëjë me biologjinë: bëhet baba kur merr parasysh ta dojë fëmijën dhe në mënyrë të ndërgjegjshme zgjedh të kujdeset për të.
Baballarët e sotëm janë mungues apo më të disponueshëm se një herë e një kohë?
Shpesh rritja dhe kujdesi për fëmijët është në duart e një gruaje. Disa burra e kanë parasysh se lënia pas dore e familjes është një gabim. Sapo munden, i kushtohen me dashuri kujdesit ndaj fëmijës dhe i rrinë pranë qysh në hapat e parë. Ende bëhet fjalë për raste të izoluara, por pikërisht për këtë ia vlen të kujtohen.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.