Në fokus

September 10, 2016 | 16:45

“Childfree”…të lumtur pa fëmijë!

Ka shumë femra të bukura, të pasura e të famshme dhe… të lumtura pa fëmijë. Kjo është tendenca e re që vjen nga Amerika dhe ngadalë po shpërndahet edhe në Europë. Një ushtri femrash, që janë të gatshme t’u deklarojnë “luftë të hapur” pelenave, biberonit dhe gjithçkaje që rrotullohet rreth botës së fëmijëve. Janë shumë të bindura se të jesh femër jo domosdoshmërisht duhet të jesh nënë.

1

Lëvizja e femrave që nuk duan fëmijë

Për shumë femra, të bëhesh nënë është çasti më i rëndësishëm në jetë, ai që prisnin ngaherë dhe të cilit do t’i përkushtoheshin me ekzistencën e tyre për të gjithë pjesën tjetër të jetës. Është kështu për shumicën, por jo për të gjitha. Në një botim të psikologëve, kryesisht amerikanë, kemi zbuluar ekzistencën e një lëvizjeje të re, e cila po përhapet gjerësisht jo vetëm në Amerikë. Kjo lëvizje quhet childfree dhe propozon një stil jete që ngulmon fort në vendimin për të mos lindur fëmijë. Në brendësi të kësaj lëvizjeje janë nga njëra anë, “dink”-ët (çiftet që kanë tendencën ta shtyjnë vazhdimisht vendimin për t’u bërë me fëmijë) dhe, nga ana tjetër, childfree (femrat dhe çiftet që vendosin me dëshirën e tyre për të mos pasur trashëgimtarë). Brenda këtij grupimi të dytë ka dhe nga ata që i ngarkojnë një fëmije të gjitha të këqijat e ekzistencës së tyre. Sipas përfaqësuesve të kësaj lëvizje, “zgjedhja për të mos u trashëguar, në kundërshtim nga sa mendojnë shumica, është fryt i një zgjedhjeje altruiste, nga momenti që, nëse të gjithë do të dëshironin të mos bënin fëmijë, do të minimizoheshin problemet që ndikojnë në planetin Tokë. I pari ndër këto probleme është mbipopullimi i botës dhe varfëria”. Profili i një gruaje childfree është ai i një femre në karrierë, e cila i përkushtohet vetes dhe punës. Vetëm apo në çift, këto femra janë të kënaqura nga marrëdhëniet shoqërore dhe për jetën seksuale, e cila është më e lirë dhe e qetë pa fëmijë. Përballë kritikave të njerëzve që i etiketojnë si egoiste, sipërfaqësore dhe femra përgjysmë, këto femra shprehen se ndihen 360° femërore dhe akuzojnë shoqërinë maskiliste që ka kontribuuar në vendosjen e mitit se femra duhet të jetë riprodhuesja. Një stil jete i ndryshëm nga ai i femrave-mama, por jo për këtë arsye ato janë sipërfaqësore apo egoiste. Për këto femra, mëmësia nuk është një detyrë e bërë me zor vetëm për hir të shoqërisë.

Liria për të mos lindur fëmijë

Kur vendosëm të shkruanim mbi këtë temë, interneti ishte burimi i parë i hulumtimit. Rrjetet sociale ofrojnë shumë mundësi dhe dëshmi, të cilat na grishën së tepërmi. “Unë nënë? Kurrë! E dini përse? Sepse unë nuk i dua fëmijët. Nuk jam e sëmurë dhe s’dua të sakrifikohem për askënd. Çdokush ka qëndrimet dhe bindjet e veta. Mëmësia nuk bën për mua”, – shkruan një 38-vjeçare, avokate e suksesshme italiane. Mesazhe si ky mund të lexosh shumë nëpër forume dhe diskutime online, që bëjnë fjalë për këtë betejë të fundit të femrave: e drejta për të mos u riprodhuar. Sipas sociologes londineze Catherine Hakim, “të gjitha femrat i dëshirojnë fëmijët, por kur vihen përballë vendimit për të hequr dorë nga një profesion që e adhurojnë, në këtë pikë, ato sakrifikojnë mëmësinë. Nuk është një akt egoist, përkundrazi: është një veprim përgjegjshmërie”. Të jesh pa fëmijë dhe të mos duash të kesh fëmijë janë dy pozicione të ngjashme vetëm në dukje. E para i çon çiftet dhe kryesisht femrat të ndiejnë keqardhje për fëmijët që nuk kanë mundur dot të kenë. Ndërsa për të dytët është një stil jetese në emër të përparësive që kanë, siç mund të jetë karriera, afërsia dhe bashkëpunimi shumë i mirë me partnerin, dëshira për të udhëtuar, pasionet, gjendje më e mirë ekonomike. Për këtë arsye, dëshira për të mos pasur fëmijë shndërrohet në një çështje krenarie. Shoqëria jonë ka ndryshuar shumë krahasuar me 60 vjet më parë. Ka ndryshuar koncepti mbi familjen, ashtu si dhe ai që kanë njerëzit për lirinë. Femrat karrieriste janë gjithnjë e më të shumta në numër dhe e vendosin profesionin e tyre para familjes. Dhe, për këtë arsye, kjo preferencë lidhet së tepërmi me vendimin për të mos pasur fëmijë. Nuk bëhet fjalë për një mohim, por për një zgjedhje jete: janë të shumtë çiftet që janë të bindur ta kalojnë jetën pa fëmijë.

1

Arsyet e këtij vendimi

• Mungesa e kohës

• Vështirësia për të mbajtur edhe fëmijën dhe punën

• Sakrifica që duhet të bëjë dhe ndryshimi i stilit të jetës për hir të fëmijës

• Me lindjen e fëmijës shtohen shpenzimet financiare

• Brishtësia e marrëdhënies me partnerin

• Njëri nga partnerët nuk dëshiron të ketë fëmijë Arsyeja e fundit.

Nuk duhet nënvlerësuar dhe nëse partneri nuk dëshiron fëmijë, femra edhe pse do, i nënshtrohet vullnetit të tij. Ka edhe raste ku është mashkulli ai që dëshiron dhe partnerja refuzon. Po përse vallë ekziston kjo mungesë dëshire për fëmijë? Përgjigjja është e thjeshtë: një fëmijë shihet si një qenie e aftë për të shkatërruar ekuilibrat dhe për t’i transformuar prindërit, veçanërisht nën këndvështrimin mendor. Childfree tremben se mos humbasin kontrollin e jetës dhe se mos u duhet të jetojnë gjithmonë në funksion të fëmijës, të cilin e shohin si problemin kryesor të konfliktit në çift.

1

Si reagon shoqëria?

Shumë femra deklarojnë se ndihen të gjykuara nga të tjerët, veçanërisht nëse bëhet fjalë për njerëz të moshuar dhe me mentalitet paksa të prapambetur. Këta njerëz kanë tendencën ta dënojnë këtë zgjedhje, duke e lidhur rolin e femrës tradicionalisht me atë të nënës.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top