Vazhdoni të mbeteni prindër… është e rëndësishme për mirërritjen e fëmijëve tuaj të përbashkët.
Disa baballarë pas ndarjes, ndihen të demotivuar. Po ky nuk është një problem që u takon thjesht dhe vetëm atyre. Çështja është te problemi që mund t`u shkaktojë fëmijëvë të tyre ky demotivim. Çfarë i demotivon burrat e ndarë nga gratë? Pse ata, në disa raste nuk u kushtohen fëmijëve? Shpesh, bashkëshortët nuk arrijnë t’i ndajnë pozicionet reciproke përkundrejt fëmijëve, në momentin që ndahen. Duke i bërë instrumente hakmarrjeje. Nënat, si prindër kujdestarë të drejtpërdrejtë të fëmijëve, ndodh që në formë hakmarrjeje ndaj ish – burrave të tyre, bëjnë gjithçka që të mos ketë komunikim baballarë-fëmijë. Hyjnë në një hapësirë konfliktuale, duke harruar dëmin që u shkaktojnë të vegjëlve, duke harruar nevojën e babait, në çdo moshë të rritjes së fëmijës… Padyshim, mungesa e bashkëpunimit burrë-grua, sadoqë ata nuk janë ligjërisht apo emocionalisht, të lidhur me njëri tjetrin, u bën dëm fëmijëve. Ndaj të gjitha çiftet e divorcuara duhet të kenë parasysh:
Bëjini gjithnjë vend babait
Një burrë dhe një grua mund të ndahen. Mes tyre nuk funksionon më raporti dhe divorci mund të jetë i pashmangshëm. Sigurisht, edhe për fëmijët është më mirë një divorc i prindërve sesa një bashkëjetesë e detyruar që gjeneron konflikte dhe probleme të llojllojshme. Ama, një çift i ndarë qëndron i formuar, si mama dhe baba. Ndaj të dy duhet të kujdesen që të sillen sipas interesave të fëmijës.
Kur babai jeton larg
Largësia fizike përbën praktikisht një problem. Kur babai jeton në një qytet me fëmijën dhe ka shtëpinë e vet, është tjetër gjë, e kësisoj komunikimi i lehtë. por, nëse babai jeton në një qytet tjetër? Atëherë ai vjen në fundjavë, ose më rrallë, dhe nuk ka një vend intim, një shtëpi ku të rrijë me fëmijën. Në një rast të tillë, ish-bashkëshortja duhet ta lejojë hyrjen e babait në banesë. Kurse pjesën tjetër të kohës dyshja babafëmijë duhet të krijojë një kod komunikimi (për shembull telefoni), duke e parë jo si një detyrë, por si një kënaqësi.
Nëse babai nuk jep sinjale ekzistence
Ka baballarë që zhduken. Nuk duan t’ia dinë për fëmijët dhe nuk japin sinjale ekzistence. Atëherë, nëna nuk duhet ta shkatërrojë imazhin e babait. Një dajë, një gjysh, një nun ose person i afërt i familjes mund ta luajë këtë rol të rëndësishëm në jetën e një fëmije, për ta mësuar të shohë botën edhe nga pikëvështrimi mashkullor.
Kur fëmija qahet për kohën e kaluar me babanë
Nëse fëmija mërzitet kur është me të atin, duhet ndërhyrja e nënës, e cila duhet t’ia bëjë babait të qartë situatën, duke e kritikuar në mënyrë konstruktive. Nga paraadoleshenca e tutje duhet nxitur fëmija që të flasë vetë me të atin, për të gjetur dimensionin duhur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.