E vetmja gjë e vazhdueshme në jetën tonë dhe në çdo biznes është siguria e ndryshimit dhe ne nuk mund ta kontrollojë atë. Asnjë lider nuk mund t’u paraprijë sfidave të ndryshme apo ngjarjeve të paparashikuara. Por ajo çka ne mund të bëjmë është që të përpiqemi që t’i përballojmë këto sfida me qetësi, fleksibilitet, vendimmarrjen e duhur dhe burimet që kemi në dispozicion.
Por si ia del një kompani që të gjejë mënyrën e duhur që punonjësit t’i përmbushin këto sfida me dëshirë dhe mbi të gjitha, pa stres?
Për fat të mirë, ka shumë informacione të cilat janë edhe të testuara shkencërisht, se si të krijohet një ambient i tillë ku të përdoren të gjitha strategjitë e nevojshme për të ndikuar në rritjen e kreativitetit, produktivitetit, lumturisë dhe vendimmarrjes në punë. Dhe më e rëndësishmja është se janë të shumta ato kompani të cilat po i përqafojnë gjithnjë e më shumë këto strategji.
Paraja nuk është përgjigjja e duhur: kompanitë nuk mund të blejnë angazhimin dhe lumturinë e punonjësve. Shkenca ka treguar se njerëzit janë shumë më të motivuar nga mirënjohja që mund të tregojë dikush karshi tyre sesa nga paratë. Për shembull, sipas një studimi të vitit 2010, nuk është gjetur asnjë lidhje mes lumturisë në punë dhe pagës. Por cila është rruga e duhur që të ndikohet pozitivisht dhe të rritet sa më shumë angazhimi, produktiviteti dhe lumturia e punonjësve në punë? Më poshtë do të lexoni disa prej këtyre mënyrave:
1. Përqendrim sa më i lartë. Padyshim që teknologjia ka revolucionarizuar çdo aspekt të një zyre moderne. Por, në nivel individual, gjithkush prej nesh mund të ndihet sikur po i merret fryma. Sipas një studimi të vitit 2012, nga Instituti Global McKinsey, mesatarja e kohës që një punonjës shpenzon në leximin dhe dërgimin e postës elektronike ishte në 28 për qind. Sipas një tjetër studimi, koha në të cilin punonjësit punojnë pa u shkëputur është vetëm 10 minuta në ditë dhe nëse ata shkëputen, koha që i duhet për t’iu kthyer sërish punës është 25 minuta. Studime të tjera tregojnë se telefoni është një prej faktorëve më ndikues në shpërqendrimin e punonjësve. Prandaj nëse doni një performancë më të lartë, përqendrim më të madh duhet t’i fikni telefonat tuaj gjatë orarit të punës.
Gjithashtu duhen inkurajuar në maksimum edhe bisedat ballë për ballë në vend të komunikimeve të vazhdueshme me email. Sipas një studimi në Institutin e Salk-ut, u arrit në përfundimin se bashkëbisedimet ballë për ballë mund të çojnë drejt ideve të reja të cilat mund të jenë shumë pozitive.
2. Liria. Në pjesën më të madhe, kompanitë ku punonjësit kanë rendiment të lartë dhe ku ecuria e kompanisë ecën me hapa të shpejtë janë pikërisht ato ku punonjësve u jepet liria dhe pavarësia e duhur. Sipas një studim të vitit 2010, të kryer në Universitetin e Exeter, liria që iu dha punonjësve për të sjellë sa vazo me lule të donin në zyrë dhe liria për të bërë sa foto të donin, ndikoi në rritjen e produktivitetit të tyre me 32 për qind, në krahasim me ata punonjës të cilëve nuk i ishte dhënë asnjë mundësi zgjedhjeje. Gjithashtu studimet tregojnë se të pasurit e pavarësisë në vendimmarrje në punë ndikon në uljen e nivelit të stresit dhe rritje të vetëvlerësimit të punonjësit.
3. Ambiente të gjelbra. Është shumë e thjeshtë. Njerëzit e pëlqejnë natyrën, ndaj sa më shumë ambiente të gjelbra të kenë ata në punë aq më të lumtur do të jenë. Kjo shpjegohet më së miri edhe nëpërmjet teorisë së biofilisë, e cila tregon përqasjen pozitive të çdo njeriu ndaj natyrës. Edhe sipas një studimi në Universitetin e Cornellit, prania e vazove me bimë të ndryshme në ambientet e zyrës kishte efekte shumë pozitive tek ata. Gjithashtu, punonjësit të cilët nga dritaret e tyre shikojnë gjelbërim janë më të lumtur në krahasim me ata që nga dritaret e tyre shikojnë ndërtesa të larta.
4. Lëvizja. Nëse qëndroni ulur gjatë gjithë ditës është shumë e dëmshme për shëndetin tuaj, dhe kjo gjë tashmë dihet. Lëvizja ndikon pozitivisht si në shëndetin e mendjes ashtu edhe të trupit. Sipas një studimi të kryer në Universitetin e Illinois, ecja 3 herë në javë për 40 minuta ndikon pozitivisht në trurin tonë. Një mënyrë për ta praktikuar sa më sa më shpesh këtë gjë është, moslejimi i punonjësve për të ngrënë drekën e tyre përpara kompjuterit, por inkurajimi i tyre që pushimin e drekës ta konsumojnë jashtë ambienteve të punës. Edhe mbledhjet që zhvillohen në këmbë dhe jo ulur kanë një ndikim shumë pozitiv.
5. Vullnetarizmi. Sipas një studimi të 2013 nga UnitedHealth Group, u arrit në përfundimin se programet vullnetare të punonjësve ndikojnë në mënyrë shumë të mirë tek ata, ku 75 për qind e punonjësve vullnetare ndiheshin më të shëndetshëm, 90 për qind e tyre ishin me humor shumë të mirë dhe 95 për qind e tyre shpreheshin se kishin një qëllim në jetë. Po sipas të njëjtit studim, punonjësit vullnetarë kanë pasur rritje në aftësitë e tyre menaxheriale.
Ajo çka është më e rëndësishmja nga të gjitha është evidentimi i atyre elementeve që na bëjnë ne më njerëzorë dhe atyre që kanë më shumë vlera dhe që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në motivimin dhe frymëzimin tonë. Dhe janë pikërisht ato kompani të cilat përqafojnë elemente të tilla që do të kenë jetëgjatësi edhe në të ardhmen.
Burimi: World Economic Forum/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.