Në fokus

July 1, 2016 | 10:38

Cilat janë varësitë e njeriut modern?

Njeriu i ditëve tona nuk heq dorë nga pirja e duhanit, ushqimi jo i shëndetshëm, sedentarizmi. Pyetja që ngrihet: me çfarë i zëvendëson këto “varësi të këqija”? Sigurisht, me “varësitë e mira”! Evolucion nuk do të thotë vetëm progres. Të paktën përsa i përket komplikimeve të psikikut njerëzor, evolucioni hap rrugë për format e reja të sofistikimit, por jo domosdoshmërisht në aspekt pozitiv. Nëse deri tani varësitë ishin të lidhura me eksese (teprinë), të cilat na vënë në rrezik shëndetin, tani, njeriu modern “vuan” pasojat e disa zakoneve, në pamje të parë të shëndetshme, të cilat mund të na çojnë në rrugën e varësive dhe obsesioneve (fiksimeve). Shikoni çfarë ndodh në kohët moderne.

 Të dukesh bukur

Duket të jetë një “urdhër” i ri mediatik dhe lifestyle. Mund ta injorosh, por bëhu gati për opinionin negativ të atyre që na rrethojnë. Edhe pse i jemi dorëzuar mendimit se duhet të mbajmë pothuajse gjithmonë dietë, se është e rëndësishme të praktikojmë ndonjë sport, se duhet të pranojmë të bëjmë ndërhyrjet kirurgjikale vetëm për të qenë në standardet e imponuara tashmë, gjërat janë më të komplikuara se kaq. Megjithëse nuk është e lehtë që mesazhe dykuptimëshe të tipit “ushqimi është kënaqësi, bollëk, tregon statusin tuaj dhe duhet të marrësh këtë lloj kënaqësie në të njëjtën mënyrë si ato të tjerat”, kur, në të njëjtën kohë, shikon se standardet janë çdo ditë e më drastike. Kështu që kemi të bëjmë me një mospërputhje në nivel makro dhe mikro. Në këto kushte, lind pyetja: ”Ku qëndron problemi nëse dëshiron të dukesh bukur?”. Në parim nuk përbën një çështje të mirëfilltë. Problemi bëhet serioz nëse shndërrohet në një preokupim ekstrem. Dhe nuk është kaq e vështirë të caktojmë limitin midis “preokupim” dhe “fiksim”. Ndërhyrjet, dhe me këto kuptohet një gamë më e gjerë se sa ajo e ndërhyrjeve kirurgjikale, nga shpime të tipit mezoterapi, te zmadhimi i buzëve, e deri te programet javore të detoksifikimit, të cilat përsëriten çdo tre muaj, kur duhet të pish vetëm lëngje etj, kanë një rezultat negativ në shumicën e rasteve, mbi funksionimin e trupit, por edhe mbi psikikën.

 Periudha e “konsumit”

Nëse do të përshkruajmë periudhën e fundit që kaloi njerëzimi përsa i përket zakoneve, mund të themi se ia kemi bërë qejfin vetes. Kapitalizmi solli “konsumizmin” i cili ka kontribuar në përforcimin e idesë se: “më shumë do të thotë më mirë”, por edhe shtimin e popullsisë mbipeshë. Nga teprimi me ushqimin, pijet, veshjet, aksesoret, duhanin, energjinë elektrike, abuzimin me ilaçe ose substancat e ndryshme të cilat mund të na tërheqin vëmendjen nga realiteti i hidhur i njerëzimit, kaluam në një etapë e re. Kjo etapë do të thotë një rikthim te “paradigma”, pjesa shpirtërore, te vlerësimi i saj. Kështu që njerëzimi ka filluar të admirojë abstinencën e murgjve tibetianë, mençurinë e budizmit – përtej çështjeve fetare – respektin për një jetë më të thjeshtë, më afër natyrës. Nuk është për t’u habitur se industria botërore nuk ka qëndruar e pandjeshme ndaj këtij fenomeni dhe ka inkurajuar ndryshimin te njeriu modern. Thënë ndryshe, ka furnizuar me produkte të përshtatshme për të mbajtur “pasionin” tonë të ri: eko, bio, raw, vegan etj.

Të  jetosh shëndetshëm

Siç e pohuam më lart, ai që është i rrezikshëm, është “eksesi” (teprimi), në çdo aspekt tjetër të jetës. Po flasim për rastet ekstreme, kur njerëzit arrijnë të kanalizojnë gjithë jetën e tyre rreth një fiksimi(obsesioni). Kjo situatë mund të gjejë vendin e vet në mënyrë të fshehur, të pavetëdijshme, me ndryshime të vogla në mënyrën e jetesës, për të arritur një qëllim: një jetesë të shëndetshme. Nga një ndryshim i vogël, kalohet tek tjetri, sepse standardet tona janë në rritje. Në këtë mënyrë, ato arrijnë të zënë gjithë kohën tonë, duke mos na lënë mundësi për të bërë aktivitete të tjera. Si mund të vëmë re një tendencë të tillë, nëse ajo është kaq mirë “e fshehur” nga “qëllimet e mira”?! Teprimi dhe respektimi në mënyrë rigoroze janë shenjat se kemi të bëjmë me një “preokupim obsesiv”. Çfarë mund të shtojmë tjetër: jo të gjithë i kemi këto prerje kundrejt sjelljeve të tipit obsesiv, të cilat krijojnë njëfarë varësie, kështu që këto nuk janë aq të shpeshta sa njerëzit që vrapojnë nëpër parqe çdo ditë të diel.

Të jesh on-line

Një tjetër varësi është ajo nga interneti. Nëse pak kohë më parë “të lundrosh” në internet me orë të tëra, me apo pa qëllim, ishte mbi buzët e çdokujt, tani ajo i ka lënë vendin një “varësie” të re: të jesh gjithmonë online. Nevoja për prezencë dhe shfaqja e personalitetit on-line është bërë më e ndjeshme për sa kohë ky lloj komunikimi është rritur. Në hapësirën virtuale kjo është çështja më e debatueshme përsa i përket diferencës midis jeta “on-line” dhe ajo “off-line”. Në këtë këndvështrim, kemi të bëjmë me një “dedublim”, personalitet të dyfishtë, sepse shpeshherë, jeta on-line është krejt ndryshe nga ajo off-line. Sa më e thellë është ndarja midis dy personaliteteve, aq më “pervers” është ndikimi mbi personalitetin e njeriut. Thënë ndryshe, imazhi i personalitetit që ndërtojmë on-line arrin të jetë më i pëlqyer se ai që kemi në jetën reale, sepse interneti, nëpërmjet imazheve, formave, ofron gjithçka që njeriu dëshiron në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë. Për këtë arsye, nevoja për të qenë “on-line” nëpërmjet rrjeteve sociale, komunikimit tip instant message, blogje, forume on-line është i madh. Pavarësisht se nevoja e njeriut për socializim është mëse normale, tani pjesa më e madhe e saj bëhet virtualisht.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top