Kush është roli i gjyshes? Gjyshja e mirë vazhdon të jetë nënë për vajzën, apo nusen, që sapo është bërë nënë. E inkurajon nënën e re, që çdo gjë mund dhe duhet t’ia bëjë vetë fëmijës. Ajo e nxit dhe e siguron, se është në rrugë të mbarë, sepse kështu i ka ndodhur edhe asaj. Gjyshja e mirë nuk i thotë nënës së re, “ti s’di” dhe mund ta “dëmtosh” fëmijën, meqenëse “nuk di”, do “përkujdesem unë”. Kjo mënyrë është vetëm e dëmshme, si për fëmijën ashtu edhe për nënën e re.
Fëmija do të rritet nga nëna e tij, sepse vetëm atë njeh dhe vetëm me atë, nënën, mund të ndërtojë atë lloj sigurije dhe besimi për jetën, që bën të mundur një jetë sa më pak problematike në të ardhmen. Nëna e re do të pushtohet nga një ndjenjë faji, inati dhe mosbesimi që bëjnë vetëm dëm në marrëdhënien nënë-fëmijë.
Për pasojë do të humbasë koha e çmuar që fëmija ndërton ato mekanizma psikikë dhe gjuhësorë që sigurojnë shëndet të mirë mendor dhe aftësi kreative cilësore.
Këtu qëndron roli i gjyshes të ndihmojë e inkurajojë nënën e re të besojë te vetja dhe të jetë aktive në jetën e fëmijës së saj. Të nxitë babanë të jetë pjesë e rritjes së fëmijës së bashku me gruan e tij, nënën e re. Kjo është detyra e gjyshes, dhe jo të pretendojë rritjen e fëmijës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.