Me rritjen fëmija do të formojë karakterin e tij i cili nuk do të jetë aspak i njëjtë për fëmijë të ndryshëm. Duke vlerësuar mënyrën si rriten dhe zhvillohen disa fëmijë do të mund të ndajmë tipet e tyre në disa kategori, të cilat shpesh e vendosin prindin në vështirësi duke qënë se menaxhimi bëhet disi i vështirë.
Fëmijët hiperaktivë
Duke vëzhguar ritmin me të cilin ecin disa fëmijë, është e lehtë të kuptosh pse disa nëna që kanë fëmijë njëvjeçar, shqetësohen që fëmija i tyre është hiperaktiv. Tani mund të themi se shumica prej tyre nuk kanë pse të shqetësohen. Ajo që duket si një nivel jonormal aktiviteti për një nënë, në fakt është normale. Pas muajsh të tërë përpjekjesh, lëvizshmëria për të cilën fëmija juaj ka luftuar aq shumë, tani është arritur. Nuk është për t’u shqetësuar nëqoftëse fëmija juaj vrapon, zvarritet apo ngjitet dhe zbret, sa herë që i krijohet mundësia. Përpiquni ta qetësoni me një banjë me ujë të ngrohtë, kur duket se po ju del jashtë kontrollit. Gjithashtu sigurohuni që ka ngrënë mirë dhe që nuk ka marrë një sasi të madhe sheqeri. Studimet kanë treguar se një përqindje e vogël fëmijësh mund të reagojnë me sjellje hiperaktive ndaj sheqerit dhe ushqimeve të tjera.
Fëmijët aktivë
Fëmijët aktivë janë një betejë e përditshme, ata flenë më pak, nuk gjejnë pushim edhe kur hanë dhe rrezikojnë veten, por ata sjellin edhe gëzim, janë të zgjuar, të interesuar dhe të shpejtë në përmbushjen e detyrave. Ju nuk duhet t’i lini asnjëherë vetëm ata në krevat apo karrigen ku janë ulur.
Fëmijët e çrregullt
Në moshën 6-12 muajsh fëmijët fillojnë të vendosin një orar dhe bëhen më të parashikueshëm. Por ka fëmijë që as nuk krijojnë ndonjë orar të vetin, as nuk respektojnë orarin e nënës. Në këto raste, do të jetë mirë që të vendoset një lloj rregulli për të mirën e nënës dhe të fëmijës. Duhet të përpiqemi të bëjmë të njëjtat gjëra në të njëjtin orar.
Fëmijët që përshtaten me vështirësi
Këta fëmijë nuk pranojnë vazhdimisht sendet, njerëzit, ushqimet e panjohura. Çdo lloj ndryshimi, qoftë edhe i njohur për ta, i shqetëson.
Fëmija qan me shumë intensitet
Ndoshta ju keni vënë re se fëmija juaj qante me zërin më të lartë se fëmijët e tjerë që në maternitet. E qara me kalimin e kohës do te rrallohet, por gjithmonë intensiteti i saj do jetë më i lartë, krahasuar me fëmijët e tjerë
Fëmija jo “i lumtur”
Në vend që fëmija të buzëqeshë dhe të gugasë, ai duket gjithë kohën i mërzitur. Nëqoftëse duket sikur asnjë gjë nuk e kënaq fëmijën tuaj dhe ai nuk vuan nga ndonjë sëmundje, atëhere jepini dashuri dhe përkujdesje. Do të vijë koha kur ai të mësojë mënyra të tjera të shprehuri, e qara dhe hidhërimi do të pakësohen, megjithëse ai do të jetë gjithë kohën fëmijë serioz./Përnënat
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.