Marrëdhënie

September 27, 2018 | 14:12

Clérambault, sindroma e dashurisë së pakëmbyer

Dashuria që nuk këmbehet mund të shndërrohet në një sëmundje. Keni dëgjuar ndonjëherë të flitet për Sindromën e Clérambault, e quajtur ndryshe edhe erotomania? Le të zbulojmë së bashku se çfarë është, cilat janë shenjat, shkaku dhe si ta kurojmë, nëse vuani nga ky shqetësim.

Sindroma e Clérambault është një shqetësim psikiatrik që nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht se e ka zanafillën nga një situatë me të cilën jemi përballur herët a vonë, të gjithë ne e kemi përjetuar një dashuri të pakëmbyer. Por nëse, pasi keni vuajtur mjaftueshëm, zakonisht e keni kuptuar refuzimin dhe ecni përpara me jetën tuaj, ata që vuajnë nga erotomania nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Bindin veten në mënyrë të pabazë se objekti i dëshirës së tyre u korrespondon ndjenjave që përjetojnë. 

Kjo bindje e pabazuar në të qenit të shpërblyer prej atyre që në të vërtetë nuk ndajnë të njëjtat ndjenja me ta, është në bazë të shqetësimit të erotomanisë, e quajtur ndryshe edhe Sindroma e Clérambault, e cila, për të qenë më të saktë, i referohet formës më të zakonshme të erotomanisë, ose asaj ku një person dashurohet me një person tjetër vështirësisht të arritshëm, pasi është i famshëm. Kjo sindromë, ka marrë emrin e psikiatrit francez Gaëtan Gatian de Clérambault. Në vitin 1921 ai botoi një trakt mbi argumentin me titullin “Les psychoses passionelles”.

Çfarë është Sindroma e Clérambault?

Një person që vuan nga Sindroma e Clérambault nuk ia del të pranojë në mënyrë racionale refuzimin nga ana e atij që dashuron. Nga ana tjetër, ai vë në veprim një auto-bindje dhe ushqen veten me iluzionin se personi tjetër ka të njëjtat ndjenja me të. Kjo vetë-bindje mund ta shtyjë pacientin deri në atë pikë sa të besojë se ka një marrëdhënie me këtë person, se po përjeton një histori të vërtetë e të mirëfilltë dashurie. E kështu mbyllet në një botë imagjinare të përbërë nga besime të rreme, dhe në rastet më të rënda, shqetësimi mund të shndërrohet në një skizofreni të vërtetë. Kush vuan mund ta bindë veten se partneri i radhës i hedh sinjale nënkuptuese dhe është në gjendje t’i lexojë ato ngado, nga mënyra se si lëviz, te mesazhe të pazakonta nëpërmjet medias, nëse bëhet fjalë për një person të famshëm.

Kush është i prekur nga Sindroma e Clérambault kalon një fazë të parë, e quajtur “faza e shpresës”, në të cilën nuk bën gjë tjetër veçse pret që personi i dashuruar të deklarojë dashurinë e tij. Bëhet fjalë për një fazë të gjatë, dhe shpesh pacienti mbetet “i burgosur” pa kaluar asnjëherë në fazën tjetër, atë “të zhgënjimit”. Kjo fazë pason atë të kuptimit të një përballjeje negative nga ana e të dashuruarit dhe mund të sjellë depresion, agresivitet, tentativa vetëvrasjeje dhe, nëse është më fat edhe dorëzim. Në fund, është “faza e mërisë”, ku pacientët me shqetësime më të rënda mund të arrijnë deri aty sa të sulmojnë fizikisht objektin e dashurisë së tyre.

Si të kuroni Sindromën e Clérambault

Kush vuan nga Sindroma e Clérambault ka nevojë të kurohet nga një specialist. Vështirësia e parë është të bindni pacientin që është i prekur nga një shqetësim psikik: për atë që është sëmurë është shumë e vështirë të arrijë ta pranojë sepse do të thotë të kuptojë refuzimin dhe pikërisht aty është çelësi i problemit.

Kura e vetme është rruga e terapisë në mënyrë që të dilni sa më të shëndetshëm, eventualisht edhe me përshkrimin “nga ana e specialistit” me ilaçe, të cilat duhet të jenë të domosdoshme.

Nëse keni frikë se jeni prekur nga ky shqetësim, drejtohuni menjëherë te një specialist: mund t’ju ndihmojë të kuptoni shkakun e vërtetë të shenjave që shfaqni dhe t’ju ndihmojë të ndiheni mirë dhe të zgjidhni problemin tuaj.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top