Në fokus

February 9, 2017 | 9:05

Çrregullimet në të nxënë, është nevoja për një konceptim të ri të metodologjisë

Çrregullimet në të nxënë diagnostikohen kur arritjet në testet e individuale të standardizuara në shkrim, lexim ose matematikë janë dukshëm nën nivelin e pritur për moshën, shkollimin dhe nivelin e inteligjencës së fëmijëve. Problemet e nxënies, ndërhyjnë në mënyrë të konsiderueshme në arritjet akademike ose aktivitetet e jetës së përditshme, të cilat kërkojnë aftësi për të lexuar, shkruar, ose aftësi matematikore.

Msc. Valentina Kalemi, Telhaj, Psikologe Këshillimi

Çrregullimet në të nxënë mund të vazhdojnë deri në moshën e rritur. Ato duhet të dallohen nga variacionet normale në arritjet akademike dhe vështirësitë në shkollë, si pasojë e mungesës së mundësive, mësimdhënies jo të mirë ose faktorëve kulturorë. Shkollimi i papërshtatshëm mund të rezultojë në performancë të dobët në arritjet e testeve të standardizuara. Vështirësitë në të parë ose në të dëgjuar mund të ndikojnë në aftësinë për të mësuar dhe duhet të kontrollohen nëpërmjet testeve vizuale apo audiometrike.

Në rastin e prapambetjes mendore, vështirësitë në të nxënë janë në përputhje me përkeqësimin e përgjithshëm në funksionimin intelektual. Megjithatë, në disa raste të prapambetjes mendore të lehtë, niveli i arritjeve në të lexuar, shkruar dhe matematike është dukshëm nën nivelin e pritur bazuar në shkollimin e personit dhe shkallës së prapambetjes së tij mendore. Duke pasur parasysh faktin se fushat e të mësuarit kanë lidhje dhe ndikojnë tek njëra–tjetra, mund të thuhet se vështirësitë në nxënie mund të shfaqen si një kombinim karakteristikash. Kjo mund të jetë arsyeja, pse një fëmijë me vështirësi në të nxënë, edhe pse mund të ketë vetëm një vështirësi në të nxënë, mbetet prapa në disa lëndë njëherësh në shkollë.

nxenes

Foto ilustruese

Të kesh një vështirësi në të nxënë, nuk do të thotë se nuk mund të mësosh.

Është e padrejtë që, vetëm se dinë të mësojnë ndryshe, këta fëmijë të konsiderohen si të paaftë në të nxënë. Etiketimi i vështirësive në të nxënë është përmbledhës. Ai përshkruan një sindromë, jo fëmijën me problemet e tij specifike. Përkufizimi ndihmon të klasifikojë fëmijët, por nuk na ndihmon t’i mësojmë ata. Shumica e shenjave dalluese të këtyre vështirësive dalin në pah gjatë kryerjes së detyrave që lidhen me njohuritë e klasave të ciklit të ulët, fillor, prandaj dhe  tentohet që të zbulohen në këto mosha.

Çfarë duhet të bëjnë psikologët dhe mësuesit me nxënësit me çrregullime në të nxënë?

Të vëzhgojnë dhe vlerësojnë vështirësitë në të nxënë të fëmijës, të bashkëpunojnë me psikologun e shkollës apo qendra të specializuara për testuar psikologjikisht fëmijën për të përcaktuar nëse fëmija ka çrregullime në të nxënë, apo prapambetje mendore, çrregullime të mungesës së vëmendjes dhe hiperaktivitet, t’u sugjerojnë prindërve ekzaminimin mjekësor të fëmijës për të përjashtuar problemet e mundshme në dëgjim, shikim apo probleme të tjera shëndetësore që interferojnë në aftësinë për të mësuar, të diskutojë me prindërit e fëmijës rreth karakteristikave të këtij çrregullimi dhe nevojës për një bashkëpunim të ngushtë me ta. Rritjen e vetëvlerësimit të nxënësve për t’u përballur efektivisht me shqetësimin (frustracionin) që shkakton vështirësia në të nxënë dhe kryerjen e detyrave rregullisht pa hequr dorë shërben për përmirësimin e vetëvlerësimit të fëmijës, duke rritur pohimet e tij pozitive për veten, eliminimin e sjelljeve dëmtuese, negative dhe që kërkojnë vëmendje kur përballen me frustracionin dhe vështirësitë gjatë mësimit, ruajtjen e marrëdhënieve të mira shoqërore me nxënësit e tjerë të klasës.

Për të realizuar këtë, duhet ulur nxënësi në bankën e parë dhe i duhen dhënë komente dhe shpërblime të shpeshta pozitive për punën që po kryen fëmija dhe inkurajojini. Prindërit duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Vendosja e kohës për çlodhje, gjetja e shpërblimeve apo nxitje që e motivojnë dhe ruajnë interesin e fëmijës është mënyra e duhur që duhet të bëjnë. Mësuesit, si individualisht edhe në grupe duhet të ndihmojnë në gjetjen e një metode të unifikuar, duke marrë parasysh strategjitë e mëposhtme: të mirëorganizojnë klasën dhe ruajnë vëmendjen e saj, të paraqesin tema të përgatitura mirë. Të demonstrojnë pritshmëritë për sjellje të mirë, të theksojnë më shumë sukseset sesa dështimet, të modelojnë sjelljen e duhur, të komunikojnë me nxënësit në mënyrë pozitive, sensitive dhe nxitëse, duke përdorur edhe humorin, të ofrohet për nxënësin mbështetje për të realizuar maksimumin e mundshëm, të ndahet detyra në pjesë të vogla kur fëmija has vështirësi në plotësimin e saj.

Problemi i vështirësive në të nxënë, i shkakton fëmijës që e ka, vështirësi për të mësuar dhe për të përdorur shprehitë e ndryshme, si dhe problemin tjetër, që nuk kupton se çfarë thonë të tjerët. Nisur nga fakti që: një numër i konsiderueshëm nxënësish nuk kanë rezultate të mira në procesin akademik, për shkak të vështirësive në të nxënë që ata paraqesin, del e nevojshme rritja e nivelit të ndërgjegjësimit të punonjësve të arsimit për ekzistencën e këtij problemi dhe të mënyrave të trajtimit të tij. Është aktuale nevoja për një konceptim të ri dhe bashkëkohor lidhur me përmbajtjen e punës, metodologjinë e mësimdhënies, përshtatjen e mjedisit, organizimin dhe planifikimin e shumë komponenteve edukativë në procesin e arsimit.

Në tërësi, edukimi i sotëm synon të zhvillojë të gjitha aspektet e personalitetit të nxënësve, intelektual, fizik, social, moral dhe afektiv.

Fëmijët me çrregullime në të nxënë nuk janë fëmijë me prapambetje mendore. Ata mund të kenë inteligjencë mesatare ose të lartë dhe sërish të kenë probleme në lexim, shkrim apo matematikë.

Por, mund të ndodhë që fëmija të ketë edhe vështirësi në të nxënë dhe njëkohësisht edhe prapambetje mendore, por këto janë dy gjëra të ndryshme. Kontributi që jep mësuesi dhe psikologu nuk mund të krahasohet me kontributin që mund të ofrojë komuniteti dhe qytetaria pjesëmarrëse për përmirësimin dhe shqetësimin e individëve me probleme të shërueshme. Prandaj, humanizmi që ofron komuniteti, duhet të jetë në nivele të larta.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top