Marrëdhënie

May 9, 2017 | 15:27

Dadoja austriake, që nuk u lejua të punonte në shtëpinë e Kadaresë

Nga Ani Jaupaj

Myzafer Sojli ka disa muaj që ka kaluar 92 vite jetë, por kjo nuk i ka ndikuar fare kujtesës së saj. Përveçse energjike, më shumë sesa një grua me gjysmën e moshës së saj, arrin të kujtojë edhe ngjarje të parëndësishme të së shkuarës. Myzafer Sojli është gjyshja e aktorit të humorit, Erand Sojli. Jetojnë bashkë prej 20 vitesh. Erandi ka qenë nipi i parë në shtëpinë e saj dhe mbeti gjithmonë më i dashuri.

 

Zgjohen bashkë, punojnë bashkë… sepse Nona nuk i ndan sytë nga nipi. E kritikon vazhdimisht për faktin se nuk duhet të punojë aq shumë, i lexon tekstet bashkë me të për të bërë kritikat, apo vlerësimet që mendon… Nona është Nona! Për shkak të provave të Erandit me shfaqjen e tij të fundit “Romancë në vitin 2025”, takimi me Nonën u shty pak derisa telefonuam djalin e saj, Xhemalin, për të lënë takimin.

Erand Sojli me gjyshen, Myzaferin

Erand Sojli me gjyshen, Myzaferin

Myzaferi na tregoi historinë e saj që prej kthimit nga Stambolli ku kishte lindur, kohët e komunizmit me të shoqin, Galipin, në burg, e deri sot kur duhet të jesh pak me fat për ta gjetur në Shqipëri sepse udhëton te fëmijët në Francë e Itali sa herë i teket. Sikur të mos ishte për dy vajzat e Erandit, stërmbesat e saj, prej të cilave nuk ndahet dot, do të udhëtonte edhe më shumë…

INTERVISTA

Ju nuk keni lindur në Shqipëri, apo jo?

Jo, kam lindur në Stamboll. Këtu kam ardhur 7 vjeçe, tani i kam kaluar 92 vitet.

Si ka ardhur babai juaj?

Në 1933 është kthyer babai. Ai ka pasur pasuri shumë të madhe. Kanë qenë familje bejlerësh nga Dibra e Madhe. Babai është rritur në Turqi, edhe ushtrinë e ka bërë atje, më pas ka qenë oficer. Një pasuri aq e madhe e trashëguar prej 100 e ca vjetësh shpresuam që të na kthehej, por ishte zaptuar. Kur erdhëm ne, babai u interesua, por nuk arriti të merrte asgjë. Kemi ardhur për 3 muaj, duke menduar që diçka do të arrinim të bënim, por nuk ndodhi kështu. Mamaja më ka lënë 5 vjeçe. Ishte stambollite, por nuk e kujtoj.

 Myzafer Sojli


Myzafer Sojli

Nuk lëvizët më pastaj, apo jo?

Me mendjen për të ikur ishim, por filloi lufta dhe mbetëm këtu. Unë kam bërë shkollën për ndihmësmjeke në kohën e Italisë, u diplomova e pastaj filloi lëvizja. Në atë kohë isha vetëm 15 vjeçe, kur rashë në dashuri me burrin. Ai ishte vetëm dy vite më i madh, 17. U lidhëm shumë, menjëherë, merrnim pjesë bashkë kudo, shkuam partizanë bashkë dhe kemi qenë në Brigadën e Parë.

I kujton ato kohë?

Patjetër! Për mua ngelen kohët më të bukura të jetës. Për ne lufta ishte e shenjtë, krenoheshim. Pastaj, pas Çlirimit, diktatura, internimet, jeta ndryshoi krejtësisht, u shkatërruan gjërat. Megjithatë, ne u martuam dhe lindëm tre fëmijë. Tani unë kam tetë nipër e mbesa dhe tetë stërnipër e stërmbesa, po pres të 9-in.IMG_0182

Ju jetoni me Erandin prej vitesh, apo jo? Përse me të?

Unë isha me tim shoq, Erandi shkoi në emigracion me të atin, por ai qysh i vogël ka qenë më i lidhuri me mua. Flija e dremisja me të, ishte gjithçka për mua. Të gjithë i dua, por ai është i veçantë. Për më tepër që në shtëpinë time ishte i pari, sado që kisha edhe fëmijën e parë të vajzës. Që i vogël Erandi këndonte e recitonte, i kisha blerë një kitarë të vogël… Kunati im ka mbaruar Dramaturgji në Romë, në ’36-n dhe ka qenë në “Cinecittà”. Halla ka mbaruar për balerinë dhe Kanto në Romë.

Çfarë ndodhi me bashkëshortin tuaj, si është historia?

Kur im shoq u arrestua, ka qenë oficer i shërbimit sekret në Ministrinë e Mbrojtjes, jo në Sigurimin e Shtetit. Kalonte shpesh për shërbime pune në Jugosllavi. Në njërën nga këto shërbime e zbuluan atje dhe e torturuan, e burgosën. E kishte dërguar shteti, por kur e kapën e quajtën tradhti ndaj atdheut dhe armik i popullit. Ai gjithashtu bëri një deklaratë andej, pasi e torturuan, kundër diktaturave. Ndenji 15 vite atje i burgosur.

Ju ndërkohë, nuk kishit asnjë kontakt me të?

Pas 5-6 vitesh më vjen një letër, nuk e di se si kishte gjetur mundësinë për ta dërguar. Ndërkaq, fëmijët ishin rritur pak, arrinin të kuptonin. E marr letrën, e lexoj dhe i ul fëmijët rreth tavolinës. U thashë që kishte ardhur një letër nga i ati. Vazhdimisht u flisja, kështu që këta, edhe pse s’kishin jetuar e s’e kishin parë, ishin rritur me dashuri për të. Nëse e hapnim edhe rrezikonim. Pasi e hapa, e çova në Degën e Brendshme, ku më pritën mirë sepse ata kishin konsideratë prej së shkuarës sime, por unë nuk penalizohesha edhe për shkak të divorcit.

Pra, ju ishit divorcuar me letra nga bashkëshorti që nuk ishit prekur?

Po, zyrtarisht po. Bëra divorcin. Ishte mënyra për të shpëtuar fëmijët të cilët, nuk u trajtuan ndonjëherë si të tjerët sepse nuk u lejuan të shkolloheshin. Pra, ne, nuk kishim trajtimin që i bëhej armikut. Megjithatë, mendoj se më ka shpëtuar edhe puna në spital. Unë isha në urgjencë, por më thërrisnin për të gjetur venat kollaj te Pavijoni 12, që ishte edhe pavijoni i të privilegjuarve.P1270230

Kush vinte atje?

Vinte nëna e Nexhmije Hoxhës, Fiqirete Shehu. Kujtoj të afërm të Kadri Hazbiut. Vinin shumë njerëz sepse ishte pavijoni enkas për ta.

Si është historia e arrestimit të Galipit? Me ç’akuzë e burgosën?

Babi ishte dënuar me vdekje për tradhti ndaj atdheut, pas deklaratës që bëri në Jugosllavi, e cila u transmetua gjithandej. Atje u dënua me 15 vite burg. Një herë u lirua, pastaj e kapën sërish dhe burgosën. Pa mbaruar burgu u arratis dhe shkoi në Suedi me miq e me njerëz. Atje u dorëzua. Megjithëse i dënuar, u paraqit si “Galip Sojli, ish-oficer. Dua të kthehem në Shqipëri!”. Edhe pse konsulli këmbënguli duke i thënë që s’duhej të kthehej sepse rrezikonte jetën, ai ishte i vendosur. “Do të shkoj të takoj gruan e fëmijët, të heq edhe njollën e tradhtisë dhe le të vdes më pas!”. Me këtë motiv erdhi ku iu bë gjyqi. E dënuan me 15 vite burg. Ka qenë i larguar nga shtëpia për 31 vite. Nuk mund të themi që ishim të persekutuar, por ishim të shtypur, ngelëm pa shkollë. Mirëpo, duke parë e dëgjuar njerëzit, themi që keni qenë mirë.

Si e kujtoni ardhjen e tij pas 30 vitesh?

Kur erdhi, më lajmëruan sepse mendova që do të vinte si të gjithë njerëzit e lirë dhe doja të shkoja ta prisja. Një shok që kisha pasur partizan në brigadë më tha: “Mos shko se është kurth, mos u mashtro se atë nuk e sjellin në shtëpi”. Ndërkaq, mua më kishte thënë sekretari i Kadri Hazbiut: “Shko se do të vijë” dhe i besova. Vesha fëmijët bukur dhe shkuam. Sa zbriti nga avioni, i vunë prangat…

Jo, e morën menjëherë. Ai nuk na pa sepse ne ishim brenda, por shihnim se ç’ndodhte jashtë. Pas 3 muajsh mora Gretën, vjehrrën, dhe shkuam ta takojmë. Kisha takuar një shok, Dhori Panaritin, i thashë: “Për atë copë buke që kemi ndarë bashkë, më lejo ta takoj!”. Ai, megjithëse bëri shkelje të ligjit, më lejoi. Kishte edhe njerëz të mirë, nuk ishin të gjithë të këqij. I kërkova leje edhe për Maminën, kështu e thërrisnim vjehrrën, dhe shkuam të dyja.

Çfarë biseduat pas gjithë kësaj kohe?

Ai ishte krejtësisht i çorientuar. Thoshte vetëm: “Mama, jam mirë”. E përsëriste këtë disa herë dhe shihte i hutuar. Ajo ishte e fortë, një austriake e vërtetë. Thuajse kaq ishte takimi. Ai u përpoq vetëm të qetësonte të ëmën. Më pas, u bë gjyqi ku më lanë të merrja pjesë. Gjykatësi më tha: “Meqenëse jeni divorcuar, lëre kështu, kur të dalë, bashkohu”. Unë isha e vendosur aty. Ai kishte nevojë për mua: “Unë mund ta lë kur të dalë,- u thashë,- jo tani”. U mor vendimi, e dënuan me 20 vite, por e ulën në 15 vite, meqenëse u kthye vullnetarisht. Më lanë gjithë kohën në gjyq, duke më thënë dëgjo dhe vendos.

Ndërkaq, ju vazhdonit të jetonit të paprekur nga sistemi?

Po. Ai ishte në Ballsh, shkoja vija çdo muaj. Çoja ushqime e rrija një natë atje. Megjithatë, fëmijët i kishin marrë drejtimet në jetë, pa u kthyer Galipi nga Jugosllavia. Ai u kthye kur fëmijët ishin shpërndarë në shkolla profesionale, meqenëse për të lartën nuk do t’i lejonin. Për vajzën më ndihmoi Fatbardha Prodani, motra e Agim Prodanit. Ajo ishte mësuese në Liceun Artistik, shoqja ime, dhe më ndihmoi sepse ndryshe nuk e merrte njeri vajzën e Galip Sojlit në Lice. Djali mbaroi Politeknikumin, ndërsa vajza tjetër u bë laborante.

Nuk e takuat?

Pas burgut, u kthye në shtëpi? Po, në shtëpi menjëherë. Ne jetonim bashkë të gjithë.

Mamanë nuk e gjeti?

Jo, kishte vdekur dy vite përpara. Ajo ishte e moshuar, por shkonte e takonte disa herë.

Keni jetuar me vjehrrën?

Po, patjetër. Vjehrra ime austriake ishte grua liberale me kulturë të madhe. Kam jetuar me të derisa vdiq në 1980, kur unë isha me tre fëmijë. Ajo ishte me një pension, pasi i shoqi ishte vrarë dëshmor. Edhe unë kisha të ardhurat e mia sepse të them të drejtën, pavarësisht asaj që i ndodhi tim shoqi, nuk jam trajtuar keq.

Po fëmijët ç’marrëdhënie kishin me gjyshen?

Ne banonim shumë afër, ishim shumë të lidhur të gjithë. Njëri nga djemtë, Xhemali, ka emrin e gjyshit i cili ka qenë dëshmor. Ka bërë studimet në Vjenë, ku u dashurua dhe me gjyshen. Xhemali kishte edhe afërsinë më të madhe me të.

Ajo jetonte vetëm?

Jo, jetonte me djalin tjetër dhe me gruan e tij, sepse edhe xhaxhain e internuan edhe për shkak të të vëllait, por ndikoi edhe martesa e tij me italianen. Megjithatë, siç thashë, ne thuajse jetonim të gjithë bashkë, i kishim shtëpitë ngjitur njëri me tjetrin. Kujtoj që isha në Ballsh tek im shoq, kur mora telegram për gjendjen e saj të rëndë. U nisa menjëherë se Mamino, siç i flisnin fëmijët, ose grosmama, vdiq 83 vjeçe. Ne kemi shumë emra Greta në shtëpi. Për shkak të saj, edhe fëmijët ua kanë vënë emrin vajzave. Njëri prej tyre është Erandi, i cili e ka quajtur njërën nga vajzat Greta.

A u ngacmua Greta në gjithë këtë situatë?

Jo, nuk e prekën as atë.

Di që për një kohë ka qenë kujdestarja e fëmijëve të Ismail Kadaresë.

Po, nisi të punonte atje për një periudhë kohe. Ata ishin shumë të kënaqur, ku mund të gjenin më mirë, një njeri i kulturuar me të cilën fëmijët mund të mësonin edhe gjuhën.

***

 

Greta Bruha Sojli, austriakja që jetoi e vetmuar në Shqipëri

Sipas kujtimeve të së shoqes, Elena, së pari kishte ndodhur që në shtëpi të përdorej fjala zonjë në vend të shoqe, që përdorej rëndom asokohe, pastaj vajza e tyre e vogël, Gresa, kishte nisur të belbëzonte fjalët e para në gjermanisht. Më pas duket se familja Kadare ishte zënë në hall. Sapo kishte nisur periudha e “luftës kundër liberalizimit” dhe e “qarkullimit të kuadrit”. Pasja e një dadoje mund të merrej si shenjë e degjenerimit borgjez, kështu që zonja Sojli u detyrua të kthehej sërish në shtëpinë e saj, në rrugën “Bardhyl”.

greta-sojli

Greta Sojli

Nipërit e mbesat e kujtojnë si një grua autoritare që komandonte në një familje të madhe, ku bashkëjetonin vëllezër, nuse, motra, kunata, fëmijë e pleq. Megjithatë, ata nuk dinë detaje të jetës së saj. Gjyshi i tyre, Xhemal Sojli, u pushkatua më 4 shkurt të 1944-s. Greta mbeti thuajse e vetme në Tiranë, sepse edhe djali i saj Galipi u burgos, ndërsa djali tjetër u internua. Greta Bruha është e bija e Antonit dhe Betit, e lindur në Vjenë në shkurt të vitit 1897.

Në gazetën “Kuvendi” të 13 majit 1919 botohet një shkrim që bën fjalë për 30 bursistë gjimnazistë shqiptarë, të cilët po ktheheshin nga Uellsi, pranë Linzit, në Shqipëri nëpërmjet Italisë, sepse Austria e mundur në Luftën e Parë Botërore nuk mund t’i mbante më me bursë. Mes tyre ishte edhe Xhemal Sojli. Pikërisht, asokohe duhet të ketë ardhur në Shqipëri Greta, e cila më pas, mbase për t’u bërë qejfin njerëzve të burrit, u bë nënshtetase shqiptare me një emër tipik mysliman, Jegjane.

Greta Sojli

Greta Sojli

Pas vrasjes së të shoqit, jeta e Gretës u përqendrua te familja. “Ishte gjithnjë prezente dhe vendoste për gjithçka”, kujton Vladimir Sojli, djali i Mentorit. “Ishte aq e dhënë pas familjes, saqë ne shpesh na bënte çudi. Në shtëpi është folur shqip. Gjyshja kishte mësuar shqip që herët. Në fakt, gjermanishten nuk e mësuam edhe disi prej neglizhencës sonë. E kujt ia priste mendja në atë kohë se do të na duhej një ditë. Asokohe, edhe kontaktet me njerëzit e gjyshes në Vjenë mezi i mbanim.

Vetëm pas viteve ’90 jemi lidhur sërish me ta”. Zonja Sojli mbylli sytë në dhjetor të 1979-s, e përcollën për në banesën e fundit me një kortezh dinjitoz, njësoj siç e meritojnë njerëzit që lënë pas një nam të mirë.

 

Burimi: Gazeta Panorama, Suplementi “Unë Gruaja”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top