Dëshmi

May 16, 2019 | 9:45

Daljana Sejdia: Veshja një aset, më pëlqen të guxoj!

Sa sfiduese si kohë, por po aq dhe angazhim në një përvojë televizive. Teksa e ka kaluar pragun e vështirësisë, ajo ndihet e sigurt në një terren që është kaq i dashur për publikun. Daljana Sejdia, moderatorja e “Sport News” rrëfen ambiciet në fushën e moderimit të lajmeve sportive, pa lënë mënjanë As-in nën mëngë, ekonominë, për të cilën gjen kohë ta ushtrojë. E mes gërshetimit të profesionit dhe pasionit, qëndron bukur dhe dukja e saj, për të cilin preferon të jetë e guximshme në trajtesë, duke pëlqyer veshje feminile, të cilat krijojnë siluetë të bukur në prezantimet televizive.

Ky sezon televiziv ju gjeti ndryshe në ekranin e “News24”, çfarë vlere merr për ju duke qenë se do të jetë dhe një sezon i ngarkuar sportiv?

Eksperienca e mëparshme në ekranin e News24, gjatë sezonit të Champions League, me emisionin “90plus” më njohu shumë me sportin, e kryesisht futbollin. Do të jetë vërtetë një sezon i ngjeshur me shumë ngjarje sportive, por kjo e bën akoma edhe më sfiduese programin që më është besuar.

Është një emision që kërkon angazhim jo vetëm kundrejt informacionit, por edhe investimit në aspektin e dukjes. Si e gjeni kohën?

Për t’u dukur bukur e gjej gjithnjë kohën. Pa diskutim që, përveç një përgatitjeje të mirë, emisionet, kryesisht sportive, kërkojnë angazhim për krijimin e një imazhi të kuruar dhe te bukur. Di ta menaxhoj mirë kohën, si ekonomiste me profesion, duke e pasur dhe kënaqësi kohën që i kushtoj kurimit të imazhit.

Kujt ia besoni pamjen tuaj dhe ka një model pas të cilit merrni orientim?

Nëse dua të marr një mendim të sinqertë se si dukesha sot, pas punës, është familja ajo që bën kritika ose përgëzon për zgjedhjen. U bënë goxha vite në ekran ndaj e kam kuptuar çfarë i shkon fizikut tim e çfarë jo. Përveçse i zgjedh vetë, i besoj dhe zgjedhjes së televizionit për veshjet e mia në ekran.

Veshja është gjithashtu një armë e fortë, sidomos kur i ke dhe asetet. Ju pëlqen të guxoni apo ndiqni këshillat e muratorit të imazhit televiziv?

Në përditshmëri, nuk ruaj një stil. Më pëlqen të guxoj, të vesh ngjyra, të kombinoj e shpesh të eksperimentoj me materiale të ndryshme veshjesh. Në ekran me pëlqen të ruaj një linjë. Fustane jo ekstravagante, të thjeshtë, stil ‘pencil’ që krijojnë siluetë të bukur dhe janë shumë feminile, janë ato që preferoj më shumë.

Sa herë do t’ju kemi gjatë ditëve në takimet sportive?

Me “Sport News”, do të shihemi nga e Hëna në të Premte. Ditën e diel do të ritakohemi sërish për programin “Sport News Plus”, program më i zgjeruar, i cili na mundëson të diskutojmë dhe analizojmë me të ftuar në studio, zhvillimet më të fundit të futbollit vendas dhe atij të huaj.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top