Në emër të dashurisë bëjmë gjithçka, hyjmë në një marrëdhënie dhe e vazhdojmë edhe kur e ndjejmë se diçka nuk po funksionon mirë. G.B. është në moshën e saj më të bukur, por nuk di si të veprojë: Të ndahet nga i dashuri dhe të përballet me dhimbjen e ndarjes dhe vetminë, apo të vazhdojë të pranojë e përballojë presionin psikologjik të partnerit? Një vajzë e re e dashuruar (e bindur dikur, por tani jo më), që përjeton terrorin e vazhdueshëm të partnerit. Ai e bind që e dashuron marrëzisht; se askush tjetër nuk do ta dojë në atë mënyrë, se ai është i vetmi që nuk e dëshiron vetëm për seks, e kështu vargu vazhdon. Ajo duke u bindur për vite me radhë se ai është heroi i saj, ka bërë idealizimin e figurës së tij. Në emër të xhelozisë nga dashuria, ajo vazhdon të shkëputet dalëngadalë nga shokët (ai nuk ndihet mirë kur ajo ka kontakte qoftë edhe me një mashkull të vetëm), nga shoqet (njëra është shumë e spërdredhur, tjetra është e paedukuar, tjetra ia ka me hile…), nga familjarët, sepse presioni vazhdon: Ti më do mua apo vëllanë/motrën tënde më shumë? Vajza, e gjendur në të tilla presione, nuk di se cila është më e mira, kush është ajo dhe ku nuk duhet ta lejojë atë të ndërhyjë në jetën, personalitetin dhe deri në mendimet e saj. Ai do të dijë gjithçka, të kontrollojë çdo gjë, sepse kështu mund ta ketë situatën nën kontroll, në këtë mënyrë mund ta zotërojë për gjithë jetën. A e dashuron ai, apo ka frikë dhe ankth se “gjahu” i ka shpëtuar dhe ai nuk është më triumfator? Sa vajza dhe gra (në marrëdhënie jashtëmartesore) prej nesh, pa përjashtuar edhe psikologet, hyjnë në një vorbull të tillë, ku më pas duhet të shkojnë te një profesionist që të rrëfehen për gjendjen në të cilën ndodhen, por edhe për të folur me zë të lartë për ndjenjat dhe mendimet prej të cilave kanë frikë….Sa më e fortë dhe e sigurt të jetë femra, aq më intriguese është për të tillë meshkuj… Loja mendore është më e bukur, më interesante dhe zgjat më shumë. Adrenalinën ia jep një femër e cila e refuzon, e cila e shpërfill, e cila në fillim i ka përplasur gjithçka përballë. Ai e ka duruar sepse pret të vijë radha e tij. Ky moment vjen shpejt, pasi ai është ndryshe nga meshkujt e tjerë (i përshkruar si i tillë nga pothuajse të gjitha femrat që kanë pasur eksperienca me meshkuj të tillë). Ai është spontan, di të të tërheqë dhe të shtyjë në momentet që ti nuk e pret, di të të surprizojë edhe në mes të natës, di të ta ngrejë nivelin e ankthit shumë lart; më pas ti mësohesh dhe të mungon adrenalina që ai të ka dhënë nga zëniet, shqetësimet apo largimi i tij i papritur, kështu që rikthehesh përsëri e përsëri derisa lodhesh dhe nuk ke më fuqi të luftosh. Njerëzit e afërm e kuptojnë dhe ta kujtojnë gjithmonë se duhet të largohesh nga kjo marrëdhënie e sëmurë, por ti nuk je gati ta përballosh ankthin e ndarjes, prandaj fillon të mos i tregosh askujt, sepse ata ta kanë dhënë përgjigjen…. Ky tip mashkulli është i tillë me ty, por jo me të tjerë. Ai paraqitet si shumë i mirë dhe ndoshta i pëlqyer prej femrave të tjera, duke të të bërë xheloze në çdo moment, që ti të jetosh me frikën se mos dikush tjetër ta “merr”. E ka ndoshta edhe të lehtë të flirtojë me të tjerat, por nëse e bën ti këtë gjë, ai “xhindoset” dhe ti dënohesh për ditë apo javë, derisa t’i kesh kërkuar të falur dhe të kesh kuptuar “gabimin”. Ti ke bërë “faj”, prandaj ti duhet të jesh përgjegjëse për pasojat. Ai të dënon duke u larguar, duke mos të të telefonuar dhe ti pret me orë të tëra që të vijë një sms ose telefon (kur të dërgon dikush tjetër, e merr inat, sepse të ka zhgënjyer që nuk ishte Ai). Nuk të përkëdhel, nuk të flet. Edhe po të jeni së bashku, të injoron. Ose më interesantja është që ju jeni së bashku në dhomën e gjumit, në krevatin ku keni pasur ndoshta eksperiencat më intime, dhe Ai të kthen kurrizin dhe nuk reagon edhe nëse ti je duke qarë nga gjithë kjo situatë së cilës nuk mund t’i japësh shpjegim. Ti vazhdon të mos e kuptosh se ku qëndron problemi, por ngaqë Ai është lënduar, për hir të “dashurisë” ti kërkon të falur, sepse të mungon Ai. Çfarë na shtyn të qëndrojmë në situata të tilla? Çdokush ka arsyet e veta, por ndoshta ka edhe të përbashkëta: Ai të ka gjetur në një moment të vështirë, në një moment vetmie dhe të është ndodhur pranë, ndoshta marrëdhëniet e kaluara kanë lënë gjurmët e veta, duke theksuar më shumë mënyrën se si jemi rritur (figura autoritare, ndjenjat e fajit, figura mashkullore e babait apo vëllait, paragjykimet e shoqërisë apo frika e të quajturit vajza “e keqe”. Cilado qofshin arsyet apo situatat, gjithmonë ka një zgjidhje! Çdonjëra nga ne e gjen forcën brenda vetes për të rimarrë kontrollin e vet dhe të jetës. Çdonjëra nga ne e pastron diamantin që ka brenda shpirtit të vet, që për një periudhë mund të jetë mbuluar nga emocionet, mendimet, ndjenjat e padëshiruara… dhe ka forcën që ta bëjë të shkëlqejë, duke i dhënë dritë e pastërti vetes dhe të tjerëve që e rrethojnë. PS: Ai do të rikthehet disa herë, kjo është e sigurt, por tashmë do të ketë frikë të përballet me forcën që shfaqet nga shkëlqimi i syve….
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.