Të biesh në dashuri bën mirë dhe është shumë gjë e bukur. Psikologjikisht, “të lësh mendjen” për dikë është shumë mirë, sidomos nëse ndjenja shkëmbehet. Në qoftë se shkojmë thellë në konceptin e dashurisë, të kesh ndjenja dhe të mos marrësh asgjë në shkëmbim, gjithsesi bën mirë, sepse dashuria duhet të jetë një ndjenjë e pakushtëzuar.
Të dobëson dhe ul stresin
Një studim i psikologëve dhe nutricionistëve italianë tregon se rrahjet e zemrës favorizojnë dobësimin si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Çdo marrëdhënie intime, e cila zgjat të paktën gjysmë ore, djeg 150 kalori, 300 në një orë. Si të mos mjaftonte kjo, sa herë që partnerët arrijnë orgazmën, hormoni Dhea ndihmon shëndetin e sistemit imunitar dhe shërben edhe kundër depresionit.
Shëron dhimbjen e kokës
Një kërkim shkencor jo vetëm e ka hedhur poshtë mitin e dhimbjes së kokës, të cilin femrat e përdorin si argument për të mos pasur marrëdhënie intime me partnerin, por ka treguar dhe se seksi i shëndetshëm e heq këtë dhimbje. Prandaj, për të luftuar migrenën, nuk është aspak e nevojshme të merrni një grusht me ilaçe. Përpiquni të gjeni një partner të mirë, i cili mund të jetë zgjidhja e duhur.
Truri bëhet më aktiv
Sigurisht, kur biem në dashuri, mund të dukemi ëndërrimtarë dhe të shpërqendruar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se jemi më pak të kthjellët dhe për rrjedhojë kemi nivel më të ulët kujdesi përkundrejt gjithçkaje që ndodh rreth e qark nesh. Fakti se jemi të dashuruar, nuk na bën hutaqë, siç mund të mendojë kushdo. Përkundrazi, së fundmi shkenca ka konfirmuar se të biesh në dashuri me dikë, në të vërtetë do të thotë të kesh një tru më produktiv dhe aktiv. Dashuria nuk shton vetëm krijimtarinë, por vepron pozitivisht mbi memorien (gjithmonë falë hormoneve), për një kohë të shkurtër apo dhe të gjatë. Për më tepër, dashuria stimulon perceptimin dhe na bën më të kujdesshëm ndaj sinjaleve që vijnë nga jashtë. Rezultati është përmirësimi i performancave në punë apo shkollë dhe na bën të vendosim marrëdhënie ndërpersonale, më të vërteta dhe shpërblyese.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.