Marrëdhënie

December 8, 2016 | 8:17

Dashuria ka pesë faza

“Duket se ai nuk ishte për mua”. Kjo është fraza që përdoret më shpesh nga ata që ndahen nga një lidhje dashurie. Ndoshta edhe ne e kemi thënë me veten, të paktën një herë. Shpesh ndihemi konfuzë se si një dashuri e vërtetë pas disa kohësh shndërrohet në asgjë.

1

Jed Diamond, një psikolog, i njohur ka arritur në një përfundim pas 40 vitesh kërkimesh klinike, se shumica e njerëzve, në fakt, arrijnë ta gjejnë dashurinë e vërtetë në jetën e tyre. Por, problemi është se nuk ia dalin dot t’i kalojnë të pesta fazat e dashurisë, dhe përgjithësisht arrijnë vetëm tek e treta.

Ja cilat janë ato:

1. Të biesh në dashuri

Është faza kur e shihni veten teksa jetoni mes një reje hormonesh të lumtura. Është koha kur i projektoni të gjitha dëshirat dhe shpresat te partneri. Ai bëhet menjëherë njeriu ideal; nuk ka asnjë lloj defekti në sytë tuaja. Besoni se do të jetë gjithmonë në gjendje të plotësojë çdo dëshirë tuajën dhe besoni çdo fjalë që ai thotë. Besimi në dashurinë e vërtetë ju bën të mos dëgjoni asnjë zë skeptik në këtë moment.

2. Të bëhesh çift

Në këtë fazë dashuria bëhet më e fortë. Filloni ta njihni njëri-tjetrin më mirë dhe prania juaj nis të ketë efekt në të gjitha aspektet e jetës së partnerit. Kjo është koha e bashkimit dhe lumturisë. Në një pikë të caktuar, pas muajsh apo vitesh bashkëjetesë, kjo fazë mund të shoqërohet me ardhjen në jetë të një fëmije, që vetëm sa e forcon më tepër lidhjen mes jush. Ndiheni të mbrojtur dhe të dëshiruar. Dhe, beson se përfundimisht keni gjetur njeriun e duhur – se lidhja juaj është vendosur nga fati.

3. Zhgënjimi

Kjo është periudha kur fillojnë e thërmohen shpresat. Momenti kur ju duket sikur ndjenjat tuaja mund të zhduken për të mos u kthyer më. Partneri ju duket i paparashikueshëm dhe sjellja e tij ju mërzit në mënyra të ndryshme. Filloni të ndjeni se do të shkëputeni prej tij ose i thoni vetes se nuk është njeriu i duhur për ju. Ju duket se nuk ka asnjë arsye të torturoni veten dhe partnerin në një marrëdhënie që nuk ka të ardhme.

4. Dashuria e vërtetë dhe e qëndrueshme

Nëse i mbyllni sytë dhe përpiqeni të kaloni të gjitha pengesat në lidhjen tuaj, mund të mbërrini në këtë fazë. Mendja juaj tashmë është e lirë nga iluzionet, të cilat i kishit projektuar te partneri juaj në fazat e mësipërme. Personi që qëndron përballë jush nuk është ai me të cilin imagjinonit të ishit, por është një person real. I pranoni dhe ç’është më e rëndësishmja, i kuptoni të metat e tij. Tani është momenti të shëroheni dhe të kaloni në fazën tjetër.

5. Të përdorni  fuqinë e dy njerëzve për të ndryshuar botën

Tani që e keni kuptuar se keni mësuar të kapërceni mosmarrëveshjet dhe se gjetur një lidhje të thellë, të fortë e të qëndrueshme, do të arrini në përfundimin se të dy ju keni fuqinë për të ndryshuar diçka në këtë botë. Nuk do të jetoni së bashku vetëm për hir të njëri-tjetrit, por do të bëni një jetë në çift për hir të një kauze më të madhe: që punoni bashkë, shkruani bashkë, krijoni diçka bashkë – mund të jetë gjithçka. Por vetëm kur filloni të funksiononi si një gjë e vetme. Pasi keni kaluar të gjitha fazat e mësipërme mund të thoni me siguri të plotë: “Po, ky njeri është për mua!”.

Burimi: Gazeta “Panorama”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top