Fustani i bardhë, lulet, banketi… ceremonia tradicionale mbetet një ëndërr për shumëkënd. Në epokën e bashkëjetesës, çfarë i shtyn të rinjtë ta zgjedhin këtë institucion? A është një prirje romantike…
Dhurata më e bukur që më ka bërë i dashuri im është fakti se një ditë më pyeti: “dëshiron të martohesh me mua!”, rrëfen një 34-vjeçare. “Nuk do ta harroj kurrë: ai në gjunjë para meje me një unazë në dorë, ishte kaq emocionuese”…
Statistikat thonë se çiftet gjithnjë e më shumë zgjedhin të bashkëjetojnë, e megjithatë fustani i bardhë mbetet ëndërr e shumë vajzave. Është një moment në jetë që mbetet gjithnjë i fiksuar në kujtesë dhe gjithnjë e më pak arsyet që sillnin martesën dikur nga arsyet që e sjellin atë sot ngjajnë me njëra-tjetrën: Më parë, martesa zyrtare ishte një arsye për t’u larguar nga shtëpia prindërore; për të kënaqur dëshirat e prindërve, familjarëve deri edhe njerëzve të fisit; për të zyrtarizuar marrëdhënien seksuale; për të mos u gjykuar nga fqinjët dhe njerëzit që rrethojnë jetën e çiftit. Për të mos harruar pastaj se vetëm në fillim të shekullit XX martesa ishte kusht dhe bashkëjetesa pa martesë ishte jo vetëm e ndaluar, por edhe e dënuar me ligj. Por sot është një kohë krejt tjetër. Atëherë, çfarë i shtyn sot çiftet për të dashur një dasmë? Dashuria natyrisht edhe pse sot nuk është më nevoja që të presësh martesën për t’u dashuruar me dikë.
Një pranim i çiftit
“Prej 35 vjetësh kam menduar se isha duke pritur martesën. Të dëgjoja dikë të më thërriste “zonjë”… në të vërtetë pranimi i çiftit në nivelin vetjak është i mundur me bashkëjetesën. Por vetëm me martesën çifti merr një dimension publik. Në një epokë në të cilën tradhtia është banalizuar, ku shumëkush ndahet apo divorcohet pa problem, të tjerë, përkundrazi pohojnë dëshirën për t’u lidhur me martesë në një mënyrë, siç e mendojnë së paku në fillim, të përjetshme. Mesa duket dëshmitare e dashurisë është vetë shoqëria. Një tjetër arsye është edhe dëshira për të pasur fëmijë edhe pse sot një përqindje e lartë fëmijës lindin nga bashkëjetesa. “Nxitja psikologjike e mëmësisë ose atësisë luan ende një rol të rëndësishëm”, shpjegojnë psikologët. Dhe në fakt ka shumë që e dëshmojnë këtë fat: “Jetoja me të dashurën time prej 5 vjetësh dhe në një moment filluam seriozisht të dëshironim një fëmijë. Pikërisht në këtë moment vendosëm të bënim martesën, – thotë një 37 vjeçar.
Të rinjtë e sotëm janë plotësisht të vetëdijshëm për brishtësinë e çiftit dhe martesën e shohin si një mjet për ta përforcuar. Rritja e vazhdueshme e numrit të divorceve nuk duhet të jetë megjithatë në frenë për ëndrrën e “dashurisë së përjetshme”. Përkundrazi është kthyer në një nxitje. Ose më mirë të thuhet se, të rinjtë kërkojnë te martesa pikërisht mbrojtjen nga ndarja e mundshme. Dhe funksionon, sepse martesa është një përzierje e pasionit dhe ndjenjës së sigurisë e cila vjen nga zyrtarizimi i lidhjes.
Ritet që po rikthehen
Fustani i bardhë, ceremonia në kishë, banketi… një ëndërr që ka të bëjë ende me vajzat e brezit të sotëm, me të cilën janë përkundur qysh nga fëmijëria. “Dua të jem princesha që i thotë “po” princit të kaltër!”. Edhe nëse nuk e thonë krejt kështu, ka shumë që e mendojnë, e dëshirojnë. “Duhet të jetë e bukur, emocionuese”, besojnë.
Për me tepër, gjithnjë e më shumë vajzat e fejuara ëndërrojnë që të kenë një martesë nga ato të vjetrat fare. Në kishë për shembull, duke respektuar ritet e saj 2000-vjeçare. “Ka vetëm një problem, duhet të pagëzohem”… Në të vërtetë kurrë nuk kanë kaluar nga kisha për një meshë apo për një festë fetare. As që u ka shkuar ndërmend por e ëndërrojmë me shumë pasion veten e me fustan të bardhë, supet e mbuluara dhe vellon mbi sy, duke kapërcyer derën e kishës për herë të parë në jetën e tyre gjatë ditës së dasmës. Dhe pastaj të gjithë detajet e tjera ceremoniale. Shoqërueset e nuses, shoqëruesit e dhëndrit… ajo në krah të të atit ai në krah të të ëmës drejt altarit…
Duket sikur ritet, që teorikisht duhet të fashiteshin për shkak të vjetrimit të tyre nga koha, janë rikthyer për t’u përvetësuar… Por jo krejtësisht ashtu siç kanë qenë sepse të rinjtë shpikin dhe krijojnë, përziejnë rite dhe rregulla të reja e të vjetra, të çuditshme sa më shumë, më të vetmen arsye që të bëjnë ditën e martesës së tyre të paharrueshme, për veten por mbi të gjitha për të tjerët… (sepse po të ishte vetëm për vete do t’u martonte në një ceremoni të ngushtë që nuk bie në sy). Pra dëshira për t’u pranuar shoqërisht si një çift është aq e madhe sa ka rikthyer në modë edhe ritet e vjetra.
“Po”… por me rezerva
Nuk duhet keqkuptuar: rikthimi i madh te martesa nuk shënon një hap prapa. Dhe kjo ka të bëjë me faktin e ka një ndryshim thelbësor: në të kaluarën martesa ishte një nevojë, një detyrim i përjetshëm. Sot është një gjë që zgjidhet mes skemave të tjera të mundshme, bashkëjetesës, lidhjeve të lira. Martesa e sotme ka sukses, sigurisht për autonominë e saj: qysh në fillim bëhet një bashkim i bazuar mbi zgjedhjen e gjithsecilit, pa detyrime familjare, sociale ose kulturore. Dhe në vijim të saj, brenda çiftit ekziston edhe bindja se martesa mund të jetë një vetërealizim, ama me vetëdijen se jo gjithçka mund të realizohet brena çiftit dhe se nuk duhet parë si i vetmi burim sigurie dhe mirëqenieje. Dhe në fund: rruga është e lirë. Sepse është thënë “po” por pa pasur ndërmend një “detyrim të përjetshëm” apo dënim për të qëndruar përgjithnjë bashkë, me çdo kusht. Martesa është bërë, siç thonë dhe psikologët, një angazhim simbolik. Edhe pas kësaj një çift mundet të rrijë bashkë, por duke pasur me vete edhe përmasën e lirisë: kjo është kërkesa e të martuarve të sotëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.