Të përpiqesh të përshtatesh është mënyra më e mirë për të kaluar pa u vënë re. Njeriu u mbetet në mend të tjerëve vetëm atëherë kur merr guximin të ecë kundër rrymës.
Ky është titulli i parë i koleksionit Fluturëzat. Me anë të këtij koleksioni do të sjellim romane të lehtë dhe të ëmbël, për të rinjtë e të rejat që kanë ende kohë të ëndërrojnë e të përhumben pak përmes rreshtave të dashurisë. Emri i koleksionit kërkon të na kujtojë emocionet e mëdha dhe fluturat e vogla në stomak, që ndiejmë sa herë biem në dashuri.
Grei është një djalë i ngrysur, durimpak dhe i tërhequr. Dilani është një vajzë kurioze, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të një risie, ekzaktësisht e kundërta e tij. Për herë të parë, Grei e vë re Dilanin kur ajo është e shtrirë barkazi në oborrin e universitetit, me xhinse të vjetra e këpucë të dala mode, me një aparat fotografik në dorë, teksa fokusohet te diçka që askush tjetër nuk arrin ta shohë. I ka zënë rrugën Greit, i cili është i detyruar t’i flasë. Pa e kuptuar as ai vetë, ajo ka hyrë në jetën e tij, duke vendosur në mënyrë pothuajse autoritare ta kalojnë pasditen bashkë.
Dilani nuk është si vajzat e tjera që ka njohur Grei. Ajo është shpirtërisht dhe mendërisht e hapur, tërësisht vetja e saj, e pacenuar nga mendimet e të tjerëve. Fillimisht, pyetjet e saj të çuditshme dhe energjia e pashtershme e bezdisin Grein, por shumë shpejt ai do ta ndiejë veten më të hapur dhe kureshtar ndaj kësaj vajze të çmendur. E rrëfyer nga pikëpamjet e dy personazheve, historia e Dilanit dhe Greit do të shpaloset gradualisht, së bashku me sekretet më të thella të këtyre dy adoleshentëve.
Kritika
Ky roman përcjell bukur ekstazën e thellë të dashurisë së parë; ringjall çastin kur dy të dashuruarit kuptojnë se ky është vetëm fillimi i jetës, e cila nuk do të rrjedhë njësoj për të gjithë. — Newsday.com
Do të dashuroheni me këtë libër… I ngjan librave të Nicholas Sparks, por me pak më shumë cinizëm dhe sarkazëm. — Seventeen.com
Grei dhe Dilan janë dy personazhe tërheqëse që do t’u pëlqejnë lexuesve në kërkim të një historie të bukur dashurie, në prag të botës pas-shkollore. — School Library Journal … lexuesit do ta pyesin veten, nëse është vërtet dashuri apo vetëm një lojë e komplikuar. — Kirkus Review
Autorja
Katie Kacvinsky shkruan kryesisht romane për adoleshentët dhe të rinjtë. Veprat e saj kanë marrë vlerësime të rëndësishme në YALSA Awards, ndërsa “Dashuria mbi gjithçka” ka qenë një nga finalistët e çmimit Oregon Book Award. Ajo jeton në Uiskonsin me familjen e saj.
Fragmente nga libri
1) Përpiqu ta kërkosh të bukurën rrallëkund. Përpiqu ta shohësh jetën me sy krijues.
2) Ndonjëherë, fitoret e vogla në jetë janë më të çmuara se synimet e mëdha që i vëmë vetes.
3) – Pra, ky është çelësi i lumturisë? Të mos e marrësh jetën seriozisht? – e pyes.- Jo, jetën merre seriozisht. Në fund të fundit është një gjë e pashmangshme. Sekreti është të mos e marrësh veten seriozisht. Hidhi gjërat pas krahëve. Mos e vrit mendjen fare për atë që mund të mendojnë të tjerët për ty. Madje dil edhe jashtë parashikimeve të tyre; kjo është mënyra më e goditur për t’i mbajtur ata tërë kohën sy e veshë.
Titulli: Dashuria mbi gjithçka
Autori: Katie Kacvinsky
Përktheu: Gerta Jazaj
Zhanri: Roman
Shtëpia Botuese: PEGI
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.