Njësoj siç marrim, duhet të mësojmë të japim atë çka e dëshirojmë për veten dhe të tregojmë dashurinë që ndjejmë përtej fjalëve, me veprime konkrete.
Duket një shprehje klishe: dashuria ka kuptim vetëm nëse e ndan me dikë. Edhe pse në ditët e sotme është normale të flasësh për dashurinë, në të vërtetë nuk janë të shumtë ata që dinë ta ofrojnë dashurinë në mënyrë shpërblyese, ose më mirë të themi, që kuptojnë se dashuria e vërtetë është forma më e plotë për të dhënë dhe ndarë ndjenjat, pa lënduar veten. Dashuria që nuk ndahet me dikë, ose që nuk jepet në mënyrë koherente i çon njerëzit në vetmi dhe në vuajtje.
Dashuria ndryshon trurin
Janë të shumtë ekspertët (psikiatër, sociologë, antropologë) që na kujtojnë që njerëzit, kur vijnë në botë, janë nga natyra fisnikë. E dimë që kjo ide hyn në tendencën e psikologjisë pozitive, por nëse mendojmë për peshën e madhe të stimujve, të ndjenjave, të edukimit, të përvojave dhe edhe të shoqërisë, për sa i përket trurit të një fëmije, atëherë mund të kuptojmë arsyen e disa sjelljeve.
Dashuria ndryshon në mënyrë shumë intensive struktura të ndryshme të trurit. Mund të numërojmë më shumë se dhjetë zona që ndikohen gjatë fazës së rritjes, që vijnë si pasojë e mungesave apo refuzimeve. Truri që nuk gjen stimuj pozitivë që lidhen me dashurinë, nuk zhvillohet ashtu siç duhet, pasi pengohet rritja e atyre zonave që lidhen me ndjenjat, me shoqërizimin.
Truri që merr rregullisht stimuj negativë është një mendje e nënshtruar ndaj stresit dhe ankthit. Kjo gjë kushtëzon, për shembull, zhvillimin korrekt të trurit të një fëmije, i cili nuk do t’i asimilojë njohjet dhe informacionet me të njëjtën lehtësi si një fëmijë që është edukuar në harmoni dhe me dashuri.
Dashuria e ndarë e bën botën më të bukur
Dashuria që ndahet na bën më të mëdhenj, brenda e jashtë. Është njësoj sikur gjithçka të merrte kuptim, sepse në këtë mënyrë ushqehen dhe forcohen marrëdhëniet pozitive.
Të dashurosh do të thotë t’i kuptosh e t’i shohësh të tjerët si vetja
Të gjithë kemi nevojë për tri gjëra në jetë: të na duan, të na respektojnë dhe të na tregojnë mirënjohje. Nëse në ditët e sotme mund të mbështeteni te një apo më shumë njerëz që ju dhurojnë këto tri gjëra, atëherë mos i largoni nga jeta juaj, pasi janë gjithçka keni nevojë në këtë botë. Është një ligj universal.
Të dashurosh, para së gjithash do të thotë t’i shohësh të tjerët si vetja. Të gjithë e dimë që poshtërimi dëmton, që mungesa e respektit gjeneron vuajtje dhe që të fshini hapësirën personale do të thotë të kushtëzoni rritjen e brendshme që të gjithë e meritojnë.
“Të dashurosh” dhe “të dish të dashurosh” nuk është e njëjta gjë
Ndoshta në disa momente të jetës suaj keni njohur dikë që “thoshte se ju donte”, por që nuk ka ditur kurrë ta bëjë ashtu siç duhet. Ka njerëz që mendojnë që dashuria është vetëm një dimension që duhet ndarë dhe asgjë më shumë, që nuk nevojitet asnjë përpjekje e përditshme. Të dashurosh do të thotë të dish të dëgjosh, të kujdesesh për partnerin, të gjendesh në momentet e nevojës dhe ta tregosh çdo ditë me gjeste nga më të thjeshtat, më elementaret.
Dashuria duhet të shihet e të vihet re. Ndonjëherë fjalët nuk kanë kuptim nëse nuk i shoqërojmë me veprime dhe gjeste që e tregojnë atë. Jemi të sigurt që në jetën tuaj keni shumë njerëz që ju duan dhe i doni. Mos harroni që është shumë e rëndësishme që të kujdeseni për ta si të ishin thesar i çmuar. Kujtoni që edhe ju meritoni që t’ju duan, që t’ju respektojnë dhe të tregojnë mirënjohje. Bëjani të ditur të dashurive tuaj, nëse e kanë harruar, sepse dashuria e ndarë është një akt i madh, ku të gjithë fitojnë dhe askush nuk humbet.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.