Çfarë do të thotë të dashurosh dikë pa kushte? A është një ndjenjë që mund ta provosh realisht? Gibran shkruante rreth dashurisë: “Nuk jep asgjë, përveç vetvetes dhe nuk merr asgjë nëse nuk jep vetveten”. Edhe Nënë Tereza kishte bindjen se: “dashuria është e vetmja përgjigje ndaj vetmisë dhe varfërisë, vetëm nëse është dashuri pa kushte”. Por çfarë do të thotë dashuri pa kushte?
Dashuri e kushtëzuar dhe e pakushtëzuar
Kur flitet për dashurinë nuk bëhet fjalë vetëm për atë bashkëshortore, por edhe sociale dhe për njerëzimin në përgjithësi. Dashuria e pakushtëzuar derivon nga teoritë psikologjike të marrëdhënieve dhe është në kundërshtim me konceptin e dashurisë me kushte. Ky lloj i dytë i dashurisë është ai që bazohet në konceptin “unë të dashuroj nëse…”, ndërsa dashuria pa kushte është ajo lloj ndjenje që nuk pranon “nëse apo por…”. Është një nivel i përparuar i dashurisë, ku pavarësisht çdo gjëje ofrohet ndjenja.
Dashuria pa interes
Të dashurosh me të vërtetë dikë do të thotë të provosh një ndjenjë të pakushtëzuar dhe pa interes, pa iu ngjitur partnerit nga pas, gjë që nuk do të thotë se jeni indiferentë ndaj tij. Por, thjesht do të thotë të dashuroni pa pretenduar gjë në këmbim; do të thotë të provoni këtë ndjenjë të fortë edhe kur partneri vendos të largohet prej jush. Mjafton të mendoni për dashurinë që një prind ka për fëmijët e tij, edhe kur një ditë vendos të largohet e të ndahet nga prindi tjetër. Prindërit do të vuajnë pafundësisht, por do të vazhdojnë t’i duan shumë fëmijët jashtëzakonisht shumë.
Por a ekziston vërtet kjo dashuri?
E keni parasysh filmin “Duaje emrin tënd”, me skenar të shkrimtarit të njohur Nasi Lera, ku Agroni është jashtëzakonisht i dashuruar me Jonën, por nuk bën asgjë për ta tërhequr pas vetes, sepse e di që ajo është e dashuruar me Arsenin dhe nuk dëshiron ta shqetësojë vajzën? Ja, në këtë rast mund të flitet për dashuri të pakushtëzuar, e cila sjell dhimbje, vetmi dhe dëshpërim. Ndaj, a është e drejtë të dashurojmë pa kushte? Në të vërtetë, konceptim i dashurisë së pakushtëzuar në brendësi të një marrëdhënieje dashuria ka të bëjë më shumë me situata të vështira, momente ku në çift ndërhyjnë pengesat. Për shembull, një nga dy bashkëshortët sëmuret rëndë e nuk është më në gjendje të sillet si më parë ose përjeton probleme të mëdha ekonomike dhe nuk mund t’i garantojë më vetes të njëjtën sjellje. Në këto raste, partneri që do të vendosë të qëndrojë pranë nuk do të kërkojë asgjë në këmbim dhe do të dashurojë pa kushte, në mënyrë të shëndetshme.
Disa lloje të dashurisë pa kushte
Dashuria pa interes është e shëndetshme, ajo që njëkohësisht në dukje duket edhe si dashuri e pashkëmbyer, por nga e cila mund të kemi përfitime pozitive.
Ja disa shembuj:
• Dashuria për një kafshë
• Dashuria për njerëzit në nevojë, të varfër, të vetmuar
• Dashuria për një të sapolindur
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.