Dashuria, një term që gjendet kudo dhe trajtohet në shumë forma, duket si një fjalë e thjeshtë me 8 shkronja, por jo çdokush mund të dijë t’i verbalizojë ndjesitë. Sot po bëhet akoma më e vështirë për të arritur në konsolidimin e marrëdhënies. Ndenja e dashurisë normalisht lind dhe zhvillohet nëpërmjet formave të ndryshme që shpreh partneri, dhe mund të jetë zgjidhësi i problemeve të ndryshme.
Por mund të ndodhë edhe ana tjetër e medaljes, ku mirëqenia emocionale e dikujt mund të cenohet. Duhet të japësh dashuri me qëllim që ta marrësh. Ngjan si një proces shumë i thjeshtë, por që sigurisht, në çifte të ndryshme mund të ketë komplikacione. Mungesa e përkushtimit apo investimit emocional ndikon dukshëm në raportin në dy, ku mund të ketë raste që marrëdhënia të ndikojë në cilësinë e jetës.
Perceptimet e meshkujve ndryshojnë nga gjinia femërore, pasi ata dashurinë e masin në sensin e vlerës. Ndërsa femrat janë më të hapura dhe e reflektojnë vazhdimisht emocionet, ndjesitë pozitive që ato përjetojnë. Çdo njeri kërkon partnerin ideal. Disa harrojnë të shohin përtej vetes dhe bëhen aq egoistë, sa kërkojnë të konfirmojnë në çdo moment vlerën e tyre ekzistenciale. Perfeksioni gjendet në mendjen njerëzore. Është shumë e rëndësishme që të falësh dashuri dhe të mos shohësh me sytë e kriticizmit, pasi kjo do të ndikojë në gjendjen dhe marrëdhënien në vazhdimësi.
Duhet të dish të japësh dhe më pas të marrësh. Në optikën time, mashkulli është personi i parë që, në fillesat e marrëdhënies, duhet të dijë të investojë emocionalisht, duke lehtësuar proceset dhe dinamikat e një marrëdhënieje. Nëse është një mashkull pasiv i cili pret gjithmonë të marrë dashuri, atëherë do të kemi të bëjmë me një marrëdhënie patologjike në çift. Në një marrëdhënie, të dyja palët duhet të investojnë, dhe kjo do të sjellë rritjen e kënaqësisë, pra është shumë e nevojshme që të dimë çfarë duam dhe më pas të hedhim hapin për të krijuar një marrëdhënie. Dashuria është ndenja më e pastër dhe empatia duhet të mbizotërojnë në çift.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.