Leximi dhe shkrimi janë aktivitete themelore për mirëqenien e trurit të njeriut. Ata që nuk e ushtrojnë atë, janë të ekspozuar ndaj një rreziku shumë më të lartë për t’u prekur nga demenca. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip shkencor aktiv në Kolegjin e Mjekëve dhe Kirurgëve në Universitetin Columbia Vagelos. Detajet e studimit, të udhëhequr nga Dr. Jennifer Manly, janë botuar në faqet e revistës Neurology.
Ekipi i Manly vëzhgoi një mostër prej 1000 individësh (mosha mesatare 77 vjeç). Në këtë kategori u përfshinë edhe 237 subjekte analfabetë. Në fillim, në rreth 35% të individëve analfabetë u gjet një formë e demencës. Tek subjektet që ishin në gjendje të lexonin dhe shkruanin me lehtësi, përqindja në fjalë ishte shumë më e ulët dhe e barabartë me 18.
Në një vazhdim 4-mujor, studiuesit zbuluan se tek subjektet analfabete përqindja e rasteve të çmendurisë ishte rritur në 48, tek individët e shkolluar u gjet një rritje prej 9%. Nga të dhënat e mbledhura ekipi arriti në përfundimin se njerëzit që nuk dinë të shkruajnë janë tre herë më shumë të rrezikuar për t’u prekur nga demenca.
Ky përfundim u formulua duke marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë, të tillë si mosha, statusi socio-ekonomik, seksi dhe shëndeti kardiovaskular. Rezultati u komentua nga Dr. Manly, e cila theksoi se njerëzit e aftë për të lexuar dhe shkruar kanë mundësi të kryejnë veprimtari që përfshijnë burime mendore. Ndër shembujt që ajo ka dhënë është që mendja mbahet aktive duke lexuar gazetën dhe duke ndihmuar nipërit dhe mbesat për detyrat e shtëpisë.
Manly gjithashtu theksoi se, falë studimeve të mëparshme, aktivitetet e lartpërmendura shoqërohen me një ulje të rrezikut, për t’u prekur nga demenca. Duke folur për studimin e lartpërmendur, ajo deklaroi se përfaqëson një provë të mëtejshme se leximi dhe shkrimi mund të jenë faktorët kryesorë për ta mbajtur trurin të shëndetshëm.
Dr. Manly, një akademike e neuropsikologjisë, theksoi se për të vlerësuar avantazhet e leximit dhe shkrimit gjatë gjithë jetës, nuk është e nevojshme të keni vite pafund arsimimi.
Burimi / https://dilei.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.