E njohur ndryshe si sëmundja e moshës së tretë, demenca sjellë dëmtime në mendime, komunikim dhe kujtesë. Zakonisht, shenjat e para nisin të manifestohen në grupmoshat nga 60 deri në 65 vjeç dhe me kalimin e moshës rritet edhe shkalla e progresivitetit. Problemi me kujtesën konsiderohet si një nga simptomat e hershme të demencës.
Ndryshimet janë shpesh delikate dhe kanë tendencë të përfshijnë kujtesën afatshkurtër. Një person i moshuar mund të jetë në gjendje të kujtojë ngjarjet që kanë ndodhur vite më parë, por jo atë që hëngrën në mëngjes. Simptoma të tjera të ndryshimeve në kujtesën afatshkurtër përfshijnë edhe vështirësitë për të kujtuar se ku i kanë lënë sendet apo për të përfunduar me sukses “detyrat” që mund t’u jenë lënë.
PARANDALIMI
Nuk ka mënyrë të sigurt për të parandaluar demencën, por ka disa hapa që mund të ndërmerrni e që mund t’ju ndihmojnë. Mbani mendjen tuaj aktive. Aktivitetet stimuluese mendore, të tilla si leximi, zgjidhja e enigmave dhe trajnimi i kujtesës mund të vonojnë fillimin e demencës. Jetë aktive fizikisht dhe shoqërisht. Aktiviteti fizik dhe bashkëveprimi shoqëror mund të vonojnë fillimin e demencës dhe të zvogëlojnë simptomat e saj. Lëvizni më shumë dhe synoni 150 minuta stërvitje në javë.
Ndaloni duhanpirjen. Disa studime kanë treguar që pirja e duhanit mund të rrisë rrezikun për shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Ndërprerja e duhanit mund të zvogëlojë rrezikun dhe do të përmirësojë shëndetin tuaj. Merrni mjaftueshëm vitamina. Disa studime sugjerojnë që njerëzit me nivele të ulëta të vitaminës D në gjakun e tyre, kanë më shumë të ngjarë të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit dhe forma të tjera të demencës. Ju mund të merrni vitaminën D përmes ushqimeve të caktuara, shtojcave dhe ekspozimit në diell. Menaxhoni faktorët e rrezikut kardiovaskular.
Trajtoni presionin e lartë të gjakut, kolesterolin e lartë, diabetin dhe indeksin e lartë të masës trupore (BMI). Më shumë hulumtime janë të nevojshme për të përcaktuar nëse trajtimi i presionit të lartë të gjakut mund të zvogëlojë rrezikun e demencës. Mbani një dietë të shëndetshme.
Ndjekja e diete të shëndetshme është e rëndësishme për shumë arsye, por një dietë, siç është dieta mesdhetare – e pasur me fruta, perime, drithëra të plota dhe acide yndyrore omega-3, të cilat gjenden zakonisht në disa peshq dhe arra – mund të promovojë shëndetin dhe të ulë rrezikun e zhvillimit të demencës.
Kjo lloj diete përmirëson edhe shëndetin kardiovaskular gjithashtu, i cili mund të ndihmojë në uljen e rrezikut nga demenca. Provoni të hani peshk yndyror, p.sh. salmon, tri herë në javë, dhe një grusht arra – veçanërisht bajame dhe arra – çdo ditë.
Burimi / panorama.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.