Në fokus

February 22, 2018 | 14:39

Dëmet që sjell gjuha politike

Personalisht do e cilësoja komunikimin e shqiptarëve të vrazhdë, të ashpër, fjalën e fundit e thonë të parën. Në fillimet e mësimdhënies, pyesja veten se përse fëmijët janë aq agresivë në të shprehur, drejtohen me fjalë ofenduese, madje dhe nga ato që ndjemë turp po t’i mendojmë.

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Aktualisht, politika prej më shumë se dy muajsh po pushton çdo program televizioni apo rrjetet sociale, duke reaguar me forma mjaft të rëndomta do thoja; ironi e pavend, mendime dhe biseda të cekta, sharje, fryrje, etiketime të pakëndshme, një dhunë psikologjike e cilësuar vetëm nëpërmjet gjuhës. Imponim dhe trysni ndaj popullit, ata që na udhëheqin, janë modeli i të rinjve i qytetarëve të vendit tonë.

Kur ne zgjedhim të na udhëheqin pikërisht këta liderë politikë, a jemi dhe ne si ata? A i ngjajnë nxënësit e mi atyre? Fundja i vogli nga i madhi mëson. Kjo rrjedhshmëri logjike më bën të mendoj se klasa ime është një “mini parlament” shqiptar. Janë po këta politikanë që bëjnë presion për shkeljen e ligjit, për nxjerrjen e të burgosurve, për emërimet në administratë etj. Ky komunikim ushtron një besim të sigurt te shoqëria. Kriteri nuk është profesionalizmi, por paraja, forca, lidhja e gjakut, servilizmi, të pasurit miq, etj.

Pra, çdo gjë është për shkak të një burokracie të pashoq, po meritokracia? A ka vend edhe për të?

Lloji i komunikimit, në mënyrë të tërthortë edukon brezin e ri, se vlerat dhe meritat kanë vajtur drejt dështimit. Këto mund të ndodhin dhe për arsye interesi si opozitë apo qeveri aktuale, e kjo gjuhë komunikimi ka jashtë mase një ndikim të madh në përcjelljen e një mesazhi. Disa prej videot më gazmore janë pikërisht kur lidershipët tanë politikanë janë filmuar në institucione tek shajnë “dikë” me farë e me fis.

Sigurisht që jam dorëzuar përballë shpjegimeve për sjelljen e tyre. Psikovampirët politikanë, i quan këndvështrimi i psikoterapisë pozitive. Duke u karakterizuar si shoqëri maskiliste, edhe pse me turp pranojmë fjalë jashtë etike nga meshkujt, me idenë se: s’ka gjë, ata meshkuj janë, djemtë me djemtë mund të flasin pisët me njëri-tjetrin, apo vetëm djemve u ka hije të shajnë.

Ky është një edukim i shtrembëruar, maskilist dhe mbi të gjitha rrit diskriminimin gjinor. Ul cilësinë e jetës, metodat e edukimit, rrit stresin dhe thithjen e energjisë. Të qenit të sjellshëm, apo i edukuar ende konsiderohet si dobësi karakteri, lajka, apo si një tingull jo shumë i dëgjuar për veshin tonë. Të jesh i sjellshëm “nuk pi ujë shumë”, thotë populli. Me dëshirën e madhe për të përqafuar pak frymë europiane, realiteti përtej fasadës është i dhimbshëm.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top