Një tjetër grua humbi jetën, ndërsa historia përsëritet e ngjashme përgjatë 30 viteve pikë për pikë njësoj. Viktimat e dhunës përballen pa limit me dhunën e skajshme, ndërsa xhelatët e tyre me “bekimin” e të gjithë atyre që duhet t’i survejonin a izolonin, ia dalin në çdo rast të marrin jetë njerëzish.

Denisa Daka, avokate
Ashpërsohen masat në ligjin e dhunës, duke u konsideruar sukses, ndërsa situata në terren me një tufë mostrash jashtë kontrollit, është virusi më i keq që po helmon këtë komunitet.
Një tjetër eksponent i rrezikshëm për dhunë në familje nuk u survejua nga policia, bashkë me qindra mostra të ngjashëm rrotull nesh. Armët poshtë çdo sënduku a sepeti në banesën e çdo krimineli nuk vendosi t’i mbledhë askush. Viktimat e dhunës në familje janë totalisht të pambrojtura, ndërsa përgjegjësit e kësaj situate janë të shumtë, e hallkat e ngritura për këtë qëllim inekzistente.
Donacionet a grandet fituar në emër “të lirisë e jetës së viktima të dhunës” u shpenzuan pa kriter e masë për salla luksoze, lektorë të huaj e më tej, ndërsa paratë e përfituara për këtë shkak, nuk u përdorën në asnjë rast për fuqizimin e strukturave përkatëse a ngritjen e qendrave sociale për strehimin e viktimave të dhunës.
Në parlament askush nga deputetët nuk kërkoi në asnjë rast që në buxhetin e shtetit të caktohej një zë i posaçëm në favor të viktimave të dhunës në familje, duke qenë të bindur secili aty se mjerimi e varfëria kryesisht është shkak përcaktues i nxitjes së këtyre vrasjeve.
Shërbimi social, ngarkuar sipas ligjit për të ndjekur e monitoruar këto raste, mbeti inefiçent e i padukshëm. Strukturat policore nuk ia dolën kurrë të parandalojnë raste të tilla, ndërsa efektivin e zonës pothuaj nuk e njeh askush. Në të gjitha rastet që viktimat e dhunës arritën të strehohen diku, agresori mësoi vendndodhjen e tyre e dhuna u intensifikua pa limit.
Komitetet drejtuese për bashkërendimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse, në të cilët ishin pjesë të gjithë aktorët këtu, takohen për të bërë “bilancet e arritjeve”, veç me ushtarë partie. Shurdhëria e komunitetit ku jetojmë e mungesa e ndërgjegjes qytetare, ka sjellë si pasojë, shmangien e përgjegjësisë së secilit prej nesh për të raportuar e mbështetur të tilla raste.
E ndërsa ky zinxhir përgjegjësish nuk funksionoi prej 30 vitesh, asnjë funksionar që nuk kreu a neglizhoi përmbushjen e detyrave sipas ligjit, nuk u dërgua përpara drejtësisë. Kësisoj ky vend është i destinuar të humbasë shumëçka përmes kësaj amullie e pasigurie totale, ky në fakt është virusi më i rrezikshëm në raport me koronavirusin që ka panikuar pa shkak secilin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.