Në fokus

November 22, 2016 | 11:22

Depresioni, sëmundja e shekullit

Shumë prej nesh na ka qëlluar rasti të jemi përballur me një njeri që vuan nga depresioni dhe të mos dimë si të veprojmë. Që të ndihmosh një njeri me depresion, duhet më parë të jesh i ndërgjegjshëm se çfarë është depresioni.

Nuk mund të ndihmosh, mbështetësh, duash apo trajtosh, nëse nuk je i informuar vetë. Kështu, mëso sa të mundesh rreth asaj që njeriu yt i dashur po përballet. Duke njohur, më pas çdo gjë është më e lehtë. Me këtë artikull edhe ne do mundohemi të kontribuojmë sadopak rreth këtyre njohurive.

Depresioni është një çrregullim mendor, në të cilin individi bie në një dëshpërim të thellë dhe shoqërohet me një ndjenjë të vazhdueshme trishtimi, nënvlerësimi dhe humbje të interesit. Është e rëndësishme për njerëzit që të dinë se:

  • depresioni është një sëmundje që mund të prek çdo njeri dhe në çdo moshë
  • asnjeri nuk është imun

Sipas raportit të vitit 2015 të OBSH, tregohet se janë rreth 350 milionë njerëz të të gjitha moshave në të gjithë globin, që vuajnë nga depresioni. Ndërsa në Shqipëri numri i saktë nuk dihet mirë, kjo sepse nga pohimet e ekspertëve vetëm 50% e pacientëve që vuajnë nga këto probleme marrin shërbim shëndetësor, kurse pjesa tjetër i druhen stigmës dhe paragjykimeve.

Sëmundjet mendore janë të vështira për t’u kuptuar nga popullata e gjerë, duke sjellë një gjendje kaotike: disa njerëz i nënvlerësojnë ato dhe disa të tjerë i mbivlerësojnë.

Ka shumë njerëz të cilët nuk bëjnë dot dallimin midis depresionit dhe stresit.Në fakt të dy sëmundjet kanë reaksione të ngjashme, atëherë, ku qëndron ndryshimi midis tyre?

Stresi është një gjendje e përkohshme emocionale, që shkaktohet si pasojë e ngjarjeve apo situatave të ndryshme të jetës dhe që krijon një ndjenjë tensioni, presioni, apo edhe emocione negative, të tilla si ankthi dhe zemërimi. Trupi i njeriut reagon ndaj këtyre situatave në mënyra të ndryshme: tek disa shoqërohet me rrahje të forta kardiake; tek të tjerë krijon tension muskulor dhe në disa persona të tjerë ndryshime emocionale apo dhe ndryshime të sjelljes. Nga ana tjetër, depresioni është një gjendje e vazhdueshme trishtimi, që ndikon në mënyrën se si ju mendoni dhe silleni duke çuar në një shumëllojshmëri problemesh mendore dhe fizike. Njerëzit me depresion mund të përjetojnë një mungesë të interesit dhe kënaqësisë në aktivitetet e përditshme, humbje ose shtim peshe të konsiderueshme, pagjumësi ose gjumë të tepërt, mungesë e energjisë, paaftësi për t’u përqëndruar, ndjenja të  pavlefshmërisë ose fajit të tepruar dhe mendime të përsëritura për vdekjen ose vetvrasjen. Njerëzit që janë në depresion shpesh shtrembërojnë faktet dhe e shohin çdo situatë të jetës nga ana negative, sa më dëshpëruese dhe pa një rrugë zgjidhje.

Saktësisht nuk dihet se çfarë e shkakton depresionin. Ashtu sikurse në shumë çrregullime mendore, një sërë faktorësh gjenetikë, mjedisor, social, ose fiziologjik mund të kontribuojnë për shfaqjen apo rritjen e rrezikut të depresion, të tilla si:

  • Faktorët biologjik – njerëzit me depresion duket se kanë ndryshime fizike në trurin e tyre. Rëndësia e këtyre ndryshimeve fizike ende nuk dihet mirë. Por nëse zbulohet mund të ndihmojë për të identifikuar shkaqet e depresionit
  • Disbalanca kimike në tru – ka mendime se mesazherët kimik (neurotransmetuesve) luajnë një rol në depresion. Neurotrasmetuesit që ndërveprojnë janë serotonina, norepinefrina dhe dopamina. Kërkimet shkencore të fundit tregojnë se ndryshimet në funksionin dhe efektin e këtyre neurotransmituesve, si dhe se si ata ndërveprojnë me harkun nervor për përfshirjen dhe ruajtjen e stabilitetit emocional, mund të luajë një rol të rëndësishëm në depresion dhe trajtimin e tij. Hiperaktiviteti i vazhdueshëm i sistemit të hormoneve të stresit e çrregullon shumë metabolizmin e qelizave nervore, prodhimin dhe shpërbërjen e neurotransmetuesve, duke i bërë që të dalin jashtë kontrollit. Ata ose janë të pranishëm në një përqendrim shumë të vogël, ose transmetimi nuk funksionon më si duhet. Nëpërmjet kësaj çrregullohet transmetimi midis qelizave nervore, atëherë kjo pasqyrohet pak nga pak edhe në ndjenja dhe në mendime.
  • Hormonet – ndryshimet në bilancën e hormoneve në trup, mund të jenë një shkak që çon në depresion. Ndryshimet e hormoneve mund të shfaqen gjatë periudhave të ndryshme të jetës kështu: gjatë shtatzanisë, gjatë javëve apo muajve pas lindjes, nga probleme me tiroiden, menopauzën apo nga një numër kushtesh të tjera.
  • Faktori gjenetik – Depresioni është më shumë i zakonshëm tek njerëzit që kanë të afërm me depresion. Hulumtuesit janë duke u përpjekur për të zbuluar se cilat gjene mund të shkaktojnë depresion. Të pasurit e një të afërmi gjaku me një histori të depresionit, çrregullimit bipolar, alkoolizëm apo vetvrasje janë faktorë që rritin rrezikun për zhvillimin e depresionit.
  • Faktorët mjedisorë – ngjarje traumatike apo të vështira nga jeta, të tilla si abuzimi fizik apo seksual, vdekje ose humbje e një njeriu të dashur, një marrëdhënie e vështirë, divorci, humbja e punës apo probleme financiare,etj
  • Faktorë individual – Personaliteti, vetëbesim i ulët dhe të qënit shumë i varur nga të tjerët, të qënurit vetë-kritik apo pesimist.
  • Faktori social – paragjykimi dhe mosmbështetja nga të tjerët për orientimin seksual. Kështu personat lezbik, gay, biseksual apo transeksual kanë një rrezik në rritje për të zhvilluar depresion.
  • Faktorë fiziologjik – çrregullime të tjera të shëndetit mendor, të tilla si çrregullim ankthi, çrregullime të ushqyerit ose  stresi post-traumatik. Sëmundje serioze ose kronike, përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës, probleme me tiroiden, mungesa ushqimore, ose sëmundjet kronike si për shembull diabeti, hipertensioni mund të shkaktojnë depresion. Abuzimi me alkoolin apo drogat e paligjshme dhe disa medikamente që merren për sëmundje të caktuara, si disa lloj medikamentesh të presionit të lartë të gjakut ose pilula për të fjetur gjumë.

Bazuar në prevalencë, femrat janë tre herë më të predispozuara për të pasur depresion se sa meshkujt. Rritja e predispozitës për depresion te seksi femër mund të jetë për shkak të ndryshimeve hormonale, që vijnë si pasojë e pubertetit, ciklit menstrual, menopauzës, ose shtatzanisë. Kurse predispozita e rrezikut për depresion më e ulët te burrat mund të jetë për vetë faktin se seksi mashkull mund ta kalojë depresionin pa e diagnostikuar ose duke e kamufluar atë me përdorimin e pijeve alkoolike, përdorimin e lëndëve narkotike, agresivitetin, etj. Evidencat tregojnë që depresioni te burrat mund të ketë pasoja serioze duke çuar deri në vetvrasje. Meshkujt janë katër herë më të predispozuar të vrasin veten se sa femrat. Zakonisht depresioni fillon në adoleshencë, në moshat 20 apo 30 vjeç, por mund të ndodhë në çdo moshë. Kështu kemi depresion te fëmijët, adoleshentët, të rriturit dhe të moshuarit. Secili depresion në target grupin e tij ka karakteristika të përbashkëta por edhe të veçanta.

Depresioni mund të shfaqet në katër forma: forma emocionale, forma fizike, forma e të menduarit dhe forma e sjelljeve, ku secila prej tyre ka karakteristikat e saj. Depresioni mund të ndodh vetëm një herë gjatë jetës, por ka edhe njerëz të cilët kanë episode të shumta të depresionit. Gjatë këtyre episodeve, shenjat klinike të përgjithshme ndodhin shumica gjatë ditës, pothuajse çdo ditë dhe mund të përfshijnë:

  • ndjenja trishtimi, dëshirë e vazhdueshme për të qarë pa arsye, të ndjerit i mërzitur, bosh, i mpirë ose pa shpresë
  • shpërthime të papritura, zemërim, nervozizëm apo zhgënjim, madje edhe mbi çështje të vogla
  • ankth, axhitacion ose shqetësim
  • vetëkritikues, ndjenja faji, fiksim në dështimet e kaluara apo fajësim i vetes për gjërat që nuk janë përgjegjësia juaj
  • mos mbajtje mend
  • problem në të menduarit, të përqëndruarit apo marrjen e vendimeve
  • tërheqja nga të tjerë, dëshirë e madhe për të qëndruar vetëm
  • neglizhencë nga përgjegjësitë
  • lodhje kronike
  • mungesë energjie
  • probleme me gjumin, duke përfshirë pagjumësi ose fjetje e tepërt
  • ndryshime në oreks – shpesh reduktim të oreksit dhe humbje në peshë, ose në disa njerëz rritje e dëshirës për ushqim dhe shtim në peshë
  • ngadalësim në të menduarit, të folurit apo lëvizjet e trupit
  • probleme të pashpjegueshme fizike, të tilla si: dhimbje koke, marrje mendsh, trullosje, Vështirësi në frymëmarrje, shtrëngim në gjoks, djersitje, aritmi të zemrës, dhimbje shpine, dhimbje qafe, dhimbje mesi, dhimbje të  muskujve, probleme gastrointestinale (të përziera, diarre, kapsllëk, acarim i zorrëve)
  • çrregullime të ciklit menstrual te femrat
  • humbje e interesit ose kënaqësisë në shumicën ose në të gjitha aktivitetet normale
  • abuzime me substancat
  • mendime të shpeshta ose të përsëritura për vdekjen, mendime vetvrasjeje, tentativa për vetvrasje apo kryerje e vetvrasjes

Depresioni te fëmijët (depresioni i fëmijërisë) – ashtu siç thamë edhe më lart depresioni mund të prekë edhe fëmijët. Shenjat klinike të depresionit te fëmijët janë shenja të zakonshme, të tilla si: trishtim, nervozizëm, merak, vuajtje dhe dhimbje, refuzim për të shkuar në shkollë, ose të qënit nën peshë. Fëmijët me ADHD (attention-deficit/hyperactivity disorder) – mund të tregojnë nervozizëm pa trishtim apo humbje e interesit, megjithatë depresioni madhor mund të ndodhë edhe me ADHD. Shumë prindër i neglizhojnë dhe nuk i marrin seriozisht ankesat duke dëmtuar më keq gjëndjen e fëmijës. Prindërit duhet të jenë më shumë të vëmendshëm ndaj shenjave jo të zakonshme për fëmijën e tyre dhe të krijojnë një ambjent sa më të sigurt për mirëqenien e tyre. Siguria në familje dhe në mjedisin që na rrethon – është një nga mënyrat më të mira për kapërcimin e vështirësive të ndryshme të jetës dhe aq më tepër te fëmijët kjo siguri ndikon akoma më shumë. Personaliteti i brishtë, mendimi dhe logjika imature tek fëmijët bëjnë që ata të kenë më shumë nevojë për mbështjeje dhe përkujdesje. Çdo faktor social apo mjedisor ndikon shumë tek psikologjia e fëmijës, e cila nëse nuk merr vëmendjen e duhur mund të krijojë baza për zhvillimin e depresionit. Fëmijët e vegjël e kanë më të vështirë për të shprehur atë që ata ndjejnë në krahasim me fëmijët më të rritur. Në vend të kësaj, ata mund të kapen pas njërit prind dhe të refuzojnë të jenë të ndarë nga frika e ndodhjes së diçkaje të keqe, vazhdimisht ankohen për sëmundje fizike të paqarta që nuk kanë shkak themelor mjekësor,  refuzojnë të shkojnë në shkollë ose të largohen nga shtëpia. Prindër, mësues apo kujdestarë! – Ju duhet të raportoni nëse vëreni një fëmijë që “nuk është vetvetja”, apo nuk sillet si zakonisht.

2

                                                             Depresioni te fëmijët

Sipas një studimi në Journal of Clinical Child and Adolescent Psychology, janë vërejtur reagime të ndryshme emocionale për “internalizing symptoms”,  në fëmijët parashkollor  (3 deri 5 vjeç) me depresion apo në rrezik depresioni dhe në fëmijët të cilët nuk ishin me depresion. Internalizing symptoms përfshijnë simptoma si ndrojtje ekstreme dhe ankesa të pashpjegueshme fizike, të cilat sipas ekspertëve mental janë të lidhura me simptomat depresive. Nga studimi i kryer në grupin e fëmijëve me depresion apo në rrezik depresioni rezulton se: djemtë treguan më shumë zemërim se çdo grup tjetër studimi, kurse vajzat treguan më shumë trishtim në përgjithësi. Ky rezultat tregon se shenjat e hershme paralajmëruese emocionale mund të jenë të pranishme gjatë depresionit të fëmijërisë. Për më tepër, ky studim tregon se këto reagime emocionale ndryshojnë midis djemve dhe vajzave.

Depresioni te adoleshentët – A e keni pyetur veten ndonjëherë, nëse fëmija juaj adoleshent që është nervoz ose i pakënaqur, në fakt mund të jetë duke përjetuar depresion? Natyrisht, që në periudhën e adoleshencës, shumica e adoleshentëve ndihen të pakënaqur me jetën, kjo si pasojë e ndryshimeve hormonale. Por, nëse pakënaqësitë zgjatin për më shumë se dy javë dhe ai/ajo shfaq edhe shenja të tjera të depresionit, mund të jetë koha për të kërkuar ndihmë nga një ekspert mjekësor. Pse shfaqet depresioni te adoleshentët? Performanca e shkollës, statusi social me kolegët, orientimi seksual, apo jeta familjare mund të kenë te secili një efekt të madh mbi atë se si përjetohet një fatkeqësi, duke rezultuar në një zhvillim të ndjenjave të pavlefshmërisë dhe paaftësisë te adoleshenti. Ndonjëherë, depresioni te adoleshentët mund të rezultojë nga stresi mjedisor.

3                                                                      Depresioni te adoleshentët

Depresioni i adoleshentëve karakterizohet nga shenjat klinike të tilla si: trishtim, nervozizëm, rebelim, ankth, apo një ndjenjë e humbjes së shpresës, ndjenja negative dhe pa vlerë, zemërimi, vështirësi përqëndrimi, sjellje e papërgjegjshme, performancë e dobët apo frekuentim i dobët i shkollës, keqkuptime dhe mbindjeshmëri, përdorim i drogës apo alkoolit dhe aktivitetit të përzier seksual, humbje e interesit në ushqim ose mbi ushqyerje, mbifjetje, vetë-dëmtim, humbja e kujtesës, humbje e interesit në aktivitetet normale dhe shmangien e ndërveprimit shoqëror, preokupimi për vdekjen.

Depresionit te mosha e vjetra (të moshuarit) – depresioni nuk është një gjendje normale që duhet të ndodhi me rritjen e moshës, për këtë arsye kurrë nuk duhet të merret lehtë. Për fat të keq, depresioni shpesh nuk diagnostikohet apo trajtohet te moshat e vjetra, dhe ata mund të ndjehen ngurrues për të kërkuar ndihmë. Simptomat e depresionit te të moshuarit mund të jenë të ndryshme dhe më pak të dukshme, të tilla si vështirësi në mbajtjen mend ose ndryshime të personalitetit, sëmundje fizike apo dhimbje, lodhje, humbje e oreksit, probleme me gjumin, dhimbje ose humbje e interesit. Shpesh personat qëndrojnë të izoluar, nuk dëshirojnë të dalin të bisedojnë me të tjerët, kanë mendime për vetvrasje, sidomos në meshkuj më të vjetër.

4

Depresioni te moshat e vjetra

Përkeqësim i depresionit – Depresioni është një çrregullim i rëndë që mund të marrë një fat të tmerrshëm për individët dhe familjet e tyre, nëse nuk trajtohet. Depresioni i patrajtuar mund të sjellë probleme emocionale, probleme të sjelljes dhe të shëndetit të cilat ndikojnë në çdo fushë të jetës tuaj. Shembuj të komplikimeve të lidhura me depresionin janë rritja e peshës apo obeziteti, i cili mund të çojë në sëmundje të zemrës dhe diabetit, dhimbje dhe sëmundje fizike, përdorim të substancave të paligjshme apo alkoolit, ankth, çrregullime paniku, izolim social, konflikte familjare, vështirësi në marrëdhënie me të tjerët, probleme në punë apo shkollë, ndjenja vetvrasje, tentativa për vetvrasje apo dhe kryerje të vetvrasjes.

Vetëvrasja – Depresioni mbart në vetvete një rrezik të madh për mendime dhe kryerje të vetvrasjes. Njohja e faktorëve të rrezikut dhe shenjave paralajmëruese të vetëvrasjes janë mënyra më e mirë për të minimizuar rrezikun e saj, pse jo edhe për ta parandaluar atë. Faktorët e rrezikut për vetvrasje ndryshojnë sipas moshës, gjinisë, grupit etnik, si dhe këta faktorë mund veprojnë vetëm ose të kombinuar. Faktorët e rrezikut për vetëvrasje janë disa, por ndër ta mund të përmendim:

  • një ose më shumë përpjekje të mëparshme për vetvrasje
  • depresion klinik ose një tjetër çrregullim mendor
  • histori familjare me çrregullime mendore apo abuzim me substancat
  • histori familjare të vetvrasjes
  • dhuna në familje
  • abuzimi fizik ose seksual
  • probleme me alkoolin apo abuzimi me substancat narkotike, ose kombinim i këtyre problemeve me çrregullime të tjera mendore
  • mbajtja e armëve të zjarrit në shtëpi
  • sëmundje kronike fizike, duke përfshirë dhimbje kronike
  • burgosja
  • ekspozimi ndaj sjelljes vetëvrasëse të të tjerëve.

5d

Vetëvrasja

Shenja paralajmëruese se dikush mund të jetë duke menduar ose planifikon të kryejë një vetëvrasje janë:

  • një njeri që gjithmonë flet, apo mendon për vdekjen apo vetvrasjen
  • një person që ka tentuar vetëvrasje në të kaluarën.
  • depresion klinik – trishtim të thellë, humbja e interesit, përkeqësime të problemeve me gjumin apo me ushqimin
  • prania e një “dëshirë për vdekje,” duke marrë rreziqe që mund të çojë në vdekje, të tilla si ngarje me shpejtësi e makinës apo drejtimi i saj drejtë dritave të kuqe të semaforit
  • humbja e interesit për shumë gjëra
  • komente në lidhje me të qenit i pashpresë, i pafuqishëm, ose i pavlefshëm
  • shprehja të tilla si “ajo/ai do të jetë mirë në qoftë se unë nuk do isha këtu”
  • ndryshim i papritur, nga i të qenit shumë i trishtuar në të qënit shumë i qetë, dhe i lumtur (në dukje)
  • mendimet ose bisedat për të dëmtuar veten ose dëmtuar të tjerët (vetvrasje apo vrasjen e një personi)
  • kryerja e takimeve dhe dhënia e lamtumirës me njerëzit

Merrni, shumë seriozisht këto shenja parandaluese! Këto shenja mund të shpëtojnë jetën e dikujt!

Depresioni mund të jetë disa lloje, të tilla si:

  • Çrregullim ankthi (anxious distress ) – depresioni me nervozizëm të pazakontë apo shqetësim në lidhje me ngjarjet të mundshme ose humbje së kontrollit
  • Depresion kompleks – depresion njëkohësisht dhe mani, e cila përfshin ngritje të vetëvlerësimit, rritje shumë e të folurit dhe rritje e energjisë
  • Depresion melankolik – depresioni i rëndë, mungesë reagimi ndaj diçkaje që sjell kënaqësi, zgjim herët në mëngjes, përkeqësim i humorit në mëngjes, ndryshime të mëdha të oreksit dhe ndjenja faji, axhitacion ose ngathtësi.
  • Depresion atipik – depresioni që përfshin aftësinë për të brohoritur nga ngjarjet e lumtura, rritje e oreksit, nevoja të tepruara për gjumë, ndjeshmëri ndaj refuzimit, dhe një ndjenjë e rëndë në krahë apo këmbë.
  • Depresion psikotik – depresioni i shoqëruar nga iluzione apo halucinacione, të cilat mund të përfshijnë pamjaftueshmëri personale ose tema të tjera negative
  • Katatonia – depresioni që përfshin aktivitetin motorik që ka të bëjë me lëvizjen e pakontrolluar dhe të paqëllimtë ose fikse dhe e papërkulur
  • Depresioni peripartum – depresion që ndodh gjatë shtatzënisë apo në javë ose muaj pas lindjes.
  • Depresioni sezonal – depresioni i lidhur me ndryshimet e sezoneve dhe reduktimit të ekspozimit në diell
  • Depresioni i dyfishtë –  një sëmundje e cila ndodh kur një person me depresion kronik përjeton një episod të depresionit të madh
  • Depresioni sekondar – një depresion që zhvillohet pas paraqitjes së sëmundjeve të caktuara si hipotiroidizmi, sulmi në tru, sëmundja e parkinsonit, ose sidës, ose pas problemeve psikiatrike si skizofrenia, sëmundja e panikut ose bulimia
  • Depresioni kronik rezistent ndaj mjekimit – kjo është një sëmundje e cila zgjat për rreth një vit dhe është shumë vështirë të mjekohet me antidepresivë dhe barna psikofarmalologjike dhe psikoterapi tjetër.

Disa lloj çrregullimesh mendore që kanë si shenjë klinike gjendjen depressive janë: çrregullimet bipolare, çrregullimet “Cyclothymic”, çrregullimet e humorit te fëmijët, çrregullimet dysthymi (dysthymia), çrregullimet para-menstruacioneve, çrregullime të tjera të shkaktuara nga përdorimi i drogës rekreative, etj.

DiagnozaEkzaminimet dhe testet laboratorike mund të ndihmojnë për identifikimin e diagnozës së saktë, të tilla si:

  • Ekzaminimi nga mjeku – ku mjeku kryen një ekzaminim fizik dhe analizon historinë dhe llojin e shenjave që ju paraqisni.
  • Testet laboratorike – mjeku mund të rekomandojë kryerjen e analizës së gjakut komplet apo dhe testet e hormoneve të tiroides (për t ë parë nëse kjo e fundit funksionon siç duhet).
  • Vlerësimi psikologjik
  • DSM-5 (Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders)

Trajtimi i depresionit

Eksplorimi i mundësive tuaja për trajtimin e depresionit.Nuk ka asnjë kurë trajtim të përshtatshme për të gjithë, ashtu sikurse nuk ka dy njerëz të cilët të jenë prekur në të njëjtën mënyrë nga depresioni. Çfarë ndihmon në kurimin e një personi mund të mos funksionojë për një tjetër. Mënyra më e mirë për të trajtuar depresionin është informimi sa më shumë i personave në lidhje me opsionet e trajtimit, dhe më pastaj zgjedhja e atij trajtimi që përmbushur nevojat e gjithë secilit.

Këshilla si të trajtoni depresionin:

  • Mësoni sa më shumë rreth depresionit tuaj. Është e rëndësishme të përcaktohet nëse shenjat tuaja të depresionit shfaqen për shkak të një problemi shëndetësor. Nëse është kështu, atëherë duhet të trajtohet së pari ky problem shëndetësor. Shkalla e depresionit (ashpërsia e tij) është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që ndikon në trajtim. Sa më i rëndë të jetë depresioni, aq më intensiv është dhe trajtimi i tij. Kjo mund të kërkojë kohë dhe durim.
  • Depresioni kërkon kohë për të gjetur trajtimin e duhur. Personi mund ti nënshtrohet disa trajtimeve të gabuara derisa të gjendet trajtimi dhe mbështetja më e mirë për kurimin e tij. Për shembull, në qoftë se ju vendosni për të ndjekur një psikoterapi, kjo kërkon disa përpjekje për të gjetur një terapist që ju me të vërtetë ndiheni më rehat dhe i qetë. Ose nëse ju provoni një terapi me antidepresant, por shikoni që nuk keni nevojë për të, sepse zgjidhjen mund ta merrni edhe nëse kryeni një shëtitje të përditshme gjysmë ore. Pra, me fjalë të përgjithshme jini të hapur ndaj ndryshimeve dhe eksperimentoni sado pak.Të gjitha këto duhen bërë nën mbikëqyerjen e një mjeku specialist.
  • Mos e lini kurimin vetëm me terapinë me medikamente. Edhe pse medikamentet mund të lehtësojnë simptomat e depresionit, zakonisht kjo nuk është e përshtatshëm për përdorim afatgjatë. Duhen të ndërmerren edhe trajtime të tjera, të tilla si kryerja e aktivitetit fizik në kombinim me terapi këshilluese, kjo mënyrë mund të jetë po aq efektive sa edhe medikamentet, shpesh edhe më shumë, dhe më e mira pa efekte anësore të padëshiruara. Nëse ju vendosni të trajtoheni me medikamente, mos harroni se mjekim jep rezultate më të mira kur ju bëni një mënyrë jetese të shëndetshme.
  • Trajtimi kërkon kohë dhe angazhim. Të gjitha trajtimet e depresionit marrin kohë, dhe nganjëherë ky ngadalësim mund t’iu mërzisi dhe zhgënjejë. Mos u dorëzoni kjo është normale.  Rikuperimi zakonisht ka ulje dhe ngritje. Fokusohuni në rezultatin që do të arrini dhe do t’ia dilni.
  • Mbështetja sociale. Sa më shumë që të kultivoni lidhjet tuaja sociale, aq më të mbrojtur do të jeni nga depresioni. Nëse keni ndjenja dëshpërimi, mbytëse, mos hezitoni të bisedoni me anëtarët e familjes apo me miqtë e besuar, ose kërkoni grupe mbështetëse për depresioni. Kërkimi i ndihmës nuk është një shenjë dobësie dhe kjo nuk do të thotë se ju jeni një barrë për të tjerët. Shpesh, akti i thjeshtë i folur me dikë ballë për ballë mund të jetë një ndihmë e madhe.
  • Ndryshimet e jetesës. Një pjesë e rëndësishme e trajtimit të depresionit është rishikimi i jetës që bëni. Ndryshimet e jetesës janë mënyra të thjeshta, por të fuqishme në trajtimin e depresionit. Ndonjëherë këto ndryshime mund të jenë gjithçka që ju nevojitet. Edhe në qoftë se keni nevojë për trajtim tjetër, ndryshimet e jetesës shkojë paralelisht me këto trajtime.  Ndër ndryshimet e jetesës që mund përdoren për të trajtuar depresionin janë aktiviteti fizik, gjumi, ushqyerja, komunikimi, reduktimi i stresit, etj
  • Aktiviteti fizik. Ushtrimi i rregullt i aktivitetit fizik mund të jetë aq efektive në trajtimin e depresionit, sa edhe medikamentet. Ushtrimet rritin serotoninë, endorfinat, dhe kimikate të të tjera të trurit, të cilët shkakton rritjen e qelizave të reja të trurit dhe lidhjet, ashtu siç veprojnë edhe medikametet kundër depresionit. Kuptohet ju nuk do ndërmerrni një maratonë, në mënyrë që të merrni përfitime. Edhe një shëtitje çdo ditë gjysmë ore mund të bëjë një ndryshim të madh. Për rezultate maksimale, duhet 30 deri 60 minuta aktivitet aerobik.
  • Ushqehuni shëndetshëm. Ushqimi i mirë është i rëndësishëm për shëndetin tuaj fizik dhe mendor. Të ushqeheni me vakte të vogla, të mirë-balancuara gjatë gjithë ditës dhe kjo do t’ju ndihmojë të mbani energjinë tuaj dhe të minimizoni ndryshimin e humorit. Kur ndiheni të stresuar duhet të konsumoni fruta dhe perime të freskëta, fruta të thata, si dhe peshk.
  • Gjumi ka një efekt të fortë në humor. Kur ju nuk flini mjaftueshëm, simptomat tuaja të depresioni do të jetë më keq. Privimi nga gjumi përkeqëson gjendjen, personi bëhet me nervoz, ka ndryshime humori, trishtim, dhe lodhje. Sigurohuni që flini mjaftueshëm gjumë çdo natë. Këshillohet fletja shtatë orë çdo natë. Gjumi ndihmon trurin dhe trupin të qetësohet dhe të “rikarikohet” për ditën pasardhëse.
  • Komunikoni me njerëz të ndryshëm, me familjen, shoqërinë apo dhe çdo person tjetër. Komunikimi do të bëjë të largoheni nga mendimet që kanë pushtuar mendjen tuaj dhe do të ndiheni më mirë.
  • Kryeni aktivitete që ju relaksojnë, si: meditoni, ecni, notoni, qëndisni, punoni me shtiza, pikturoni, gatuani, këndoni ose çdo aktivitet tjetër që ju bën të fokusoheni dhe të qëndroni i qetë
  • Imagjinoni veten të relaksuar. Ndërkohë që mendja po zien nga mendimet e ndryshme që ju stresojnë, ndaloni. Përqëndrohuni dhe imagjinoni një vend të bukur, një ishull, piktura, çdo gjë që ju largon nga gjendja e stresuar
  • Merrni frymë thellë dhe mbajeni atë për 5 minuta. Relaksohuni duke u përqëndruar tek frymëmarrja
  • Qetësohuni dhe relaksohuni. Mbuloni qafën dhe shpatullat me një mbulesë. Dhe qëndroni ashtu për 10 minuta. Mbulesa do t’iu japi ngrohtësi
  • Shtrihuni, mbyllni sytë dhe qëndroni në qetësi, kjo do t’ju relaksojë fytyrën, kraharorin dhe shpinën.
  • Bëni masazh. Masazhi do të qetësojë trupin tuaj dhe njëkohësisht mendjen
  • Bëni joga. Joga është një aktivitet që largon stresin
  • Shëtisni. Ecni vetëm dhe mos mendoni asgjë. Shëtitja bën që të merrni frymë thellë
  • Mësoni të thoni jo. Shpesh herë na kërkohet të bëjmë detyra të tepërta. Dhe ne nuk themi jo, kjo për arsye të ndryshme, për të mos mërzitur, konfliktuar një familjar/apo njerëz të ndryshëm, për të hequr qafe një person, etj. Por kjo gjendje çon në një konflikt me veten duke humbur qetësinë dhe rritur stresin. Qetësia e brendshme duhet të jetë primare për secilin prej nesh. Pra, mësoni të thoni jo.
  • Mbani ditar. Shkruani gjithçka që ndiheni, mendoni. Se çfarë shkruani nuk ka rëndësi, çlironi veten dhe mos u shqetësoni për asgjë. Shkrimet mos i ndani me njeri, vetëm nëse i ndani dhe i diskutoni me mjekun tuaj. Ato do të shërbejnë për të reflektuar dhe planifikuar gjëra të reja
  • Limitoni përdorimin e telefonit, internetit apo rrjeteve sociale
  • Zgjidhni muzikën apo librin e preferuar dhe zhytuni në të
  • Mos kërcisni dhëmbët. Njerëzit që janë të stresuar shpesh herë kërcasin dhëmbët. Vendosni gishtat tregues në nofullat tuaja, shtrëngoni dhëmbët dhe merrni frymë thellë. Mbajeni frymën për një moment, pastaj hapni dhëmbët. Përsëriteni këtë veprim disa herë, derisa të ndjeheni më mirë
  • Bëni ushtrime të shpejta. Ushtrimet e shpejta mund t’iu ndihmojnë të lironi muskujt e trupit tuaj në pjesë të ndryshme të tilla si: në shpinë e sipërme, qafë, krahët apo këmbët. Uluni ose qëndroni në këmbë, dhe bëni stretching (shtrihni krahët dhe këmbët), shtrëngojnë duart fuqishëm për 10 sekonda. Kombinojini këto shtrirje me frymëmarrje të thellë, për një relaksim të mirë
  • Shprehuni sa më shumë. Mos i mbani mendimet përbrenda. Nëse e keni problemin me një mik thojani se çfarë mendoni. Kjo do reduktojë shqetësimet dhe ankthin e krijuar përbrenda.
  • Lutuni. Shumë njerëz ndihen më mire kur luten. Lutuni atëherë, në shtëpi apo institucion kulti nuk ka rëndësi. E rëndësishme është të nxirrni gjithçka që iu shqetëson dhe streson
  • Shkoni në një ambjent me njerëz si p.sh në një bar. Studimet tregojnë se muzika, bisedimet, vera dhe vallëzimi në bare, rrit endorfinat. Si rezultat i kësaj, ju relaksoheni dhe harroni gjithë ankthin dhe stresin
  • Qëndroni pozitiv. Mendoni gjëra pozitive dhe vetëvetiu do të relaksohuni. Pra, “Stay positive and positive things will happen”
  • Kujdesuni për veten. Lëreni veten të lirë. Shëtisni nëpër dyqane dhe blini gjithçka dëshironi. Ose shkoni në parukeri dhe qendra estetike. Ndryshoni çfarë nuk ju pëlqen në look-un tuaj ose eksperimentoni, kjo do t’iu bëjë të ndiheni mirë
  • Dashuroni. Ndjenjat do të bëjnë të mendoni pozitivisht dhe të harroni stresin
  • Mos mendoni për paratë. Mendo që janë veç letra, që janë krijuar për t’iu shërbyer juve dhe nëse nuk ndiheni mire çfarë rëndësie kanë
  • Përkujdesuni për njerëzit e afërt dhe jo vetëm. Shkoni në një qëndër reabilitimi, jetimore apo dhe azil. Dëgjojini dhe bisedoni me ta
  • Përkujdesuni për kafshët. Merrni një kafshë që pëlqeni mace, qen apo çdo kafshë tjetër. Dashuria e ndarë do i bëjë të dy palët e lumtur
  • Buzëqeshni sa më shumë. Shprehja që “E qeshura të zgjatë jetën” nuk është thënë kot
  • Qëndrojini afër njerëzve që mendoni se janë të stresuar apo kanë rënë depresion. Dëgjojini me vëmendje. Nëse nuk flasin, bëni pyetje
  • Edhe nëse nuk flisni, përqafojini ata. Mbështetja është një kurë shumë e mirë. Të jeni të sigurtë se ata edhe pse ndoshta nuk e shprehin, ndihen mirë kur ju kanë pranë

Merrni pesë minuta kohë dhe kontrolloni nëse keni rënë në depresion apo jo? Duke u bazuar në pyetjet e mëposhtme të figurës 5.

6                                   Paraqet një mënyrë si të kontrolloni jeni, apo jo me depresion.

1                                     Paraqet shenjat e Depresionit – Foto krijuar nga Detina Zalli.

 

Burimi: http://wespeakscience.com/depresioni-semundja-e-shkekullit/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top